Të krijojmë një treg të përbashkët prej 5 milionë konsumatorësh

09/08/2019 10:04 PM 0 komente

Intervistë me ministrin e Financave të Kosovës, Bedri Hamza

 

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka folur për herë të parë në një intervistë për Monitor.al. Në këtë intervistë, shefi i Financave ka folur për taksën ndaj Serbisë që ka vendosur Kosova. Ka treguar se kur hyn në fuqi Ligji për Paga. Hamza ka dhënë detaje për këtë ligj, duke treguar se a do të këtë rritje apo ulje të pagave.

Nuk la pa përmendur edhe shpenzimet që janë bërë në rezervat e shtetit, duke thënë se është zëri më kritik për këtë heshtje. Për raportet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës ai thotë se përafrimi i tregjeve na ndihmon dy shteteve për arsye se do të kalojmë në një treg përafërsisht prej 5 milionë konsumatorësh, duke na bërë tregun e dytë më të madh në këtë pjesë të Europës dhe menjëherë do të bëhemi shumë motivues për investime të huaja strategjike. Kurse sa i përket taksës në “Rrugën e Kombit”, Hamza thotë se është çështje e brendshme e Shqipërisë.

 

Tashmë kanë kaluar tetë muaj që kur Kosova ka vendosur taksë 100% ndaj Serbisë. Si e vlerësoni ju këtë taksë?

E kemi thënë edhe më herët që taksa 100% ndaj produkteve me origjinë nga Serbia, ka ardhur si pasojë e sjelljes së Serbisë ndaj Kosovës. Nëse i shikojmë të dhënat nga Dogana, shihet se sasia e mallit, e cila është importuar nga Serbia, tani është duke u importuar nga vendet e tjera, që do të thotë se në pikëpamje të buxhetit nuk ka pasur asnjë ndikim.

Sipas jush, si ka ndikuar në ekonominë e Kosovës kjo taksë?

Po, ekonomia e Kosovës ka përforcuar shumë mirë këto dy vite, e njëherazi është edhe performanca më e mirë edhe në rajon. Rritja ekonomike në Kosovë ka qenë në nivel të mirë, duke u luhatur rreth një norme vjetore reale mbi 4%. Për vitin 2018, pritet të shënojë një normë vjetore rritje prej 4.3% në terma realë, ndërsa në periudhën afatmesme, kjo rritje do të shkojë më tej në një mesatare 4.7%.

Kontributi kryesor në këtë rritje ka ardhur kryesisht prej:

– Reformave fiskale të ndërmarra nga Ministria e Financave gjatë dy viteve të fundit, që kanë shfaqur efektet e tyre pozitive në përmirësimin e kushteve të favorshme në të bërit biznes dhe nxitjen e prodhimtarisë vendore,

– Konsumit privat dhe investimeve (private dhe publike),

– Dërgesave të emigrantëve (remitancat),

– Përmirësimit të kushteve kredi-dhënëse dhe qasjes në financa, dhe

– Dinamikës së shtuar të ekzekutimit të shpenzimeve kapitale apo rritjes së kapaciteteve absorbuese nga institucionet financiare ndërkombëtare, kanë qenë ndër faktorët shtytës të kësaj rritjeje ekonomike. Kështu që, duke i parë këta tregues, e shohim se taksa nuk ka pasur asnjë ndikim në ekonominë e Kosovës, përveç tek disa prodhues vendorë, të cilët lëndën e parë është dashur ta importojnë në distancë më të largët se sa e kanë importuar në të kaluarën.

A duhet të vazhdohet me këtë taksë apo duhet të hiqet tani?

Çdo herë kur merret një vendim, merret për të arritur efektin e caktuar, andaj edhe ky vendim, sipas mendimit tim, duhet të jetë në fuqi deri në momentin e arritjes së efektit për çka edhe është vendosur.

Sipas raportit të BQK, deficiti buxhetor rrezikon ta kalojë rregullin fiskal prej 2%. A është shqetësuese kjo për ekonominë e vendit?

Shikuar historikisht, asnjëherë nuk ka ndodhur që shpenzimet të kenë ekzekutim 100%, ndërsa të hyrat kanë nënperformancë apo trend më të ngadalshëm të rritjes. Edhe në rastin konkret, Ministria e Financave është shumë e kujdesshme në ruajtjen e stabilitetit makro fiskale, dhe këtë e kanë dëshmuar edhe të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare, që si rezultat i mirë i menaxhimit të hyrave dhe shpenzimeve për dy vite, kemi arritur që të marrim në formë granti (dhuratë) mbi 200 milionë euro, ku edhe letra e Komisionit Europian, e dëshmon se Kosova këto dy vite ka pasur një performancë shumë të mirë makrofiskale dhe planifikimi i mirë buxhetor për t’i ruajtur rregullat fiskale në vitin 2020 do t’i japë Kosovës një shumë të mjeteve për mbështetje buxhetore.

Pra raporti i BQK-së është nën supozimin që do të ketë shpenzime kapitale 100% dhe nëse të hyrat kanë nënperformancë të theksuar, gjë që kjo nuk qëndron.

Kosova tashmë ka edhe Ligjin e ri të Pagave. Ky Ligj a do të ketë efekte edhe në shpenzimet kapitale në vitet e ardhshme. Pra, a do të kemi zvogëlim apo rritje të kësaj kategorie?

Kosova, brenda strukturës së vetë të Buxhetit ka dhe ruan nivelin më të lartë të shpenzimeve kapitale në krahasim me vendet e rajonit, dhe ky është një sinjal shumë i mirë për zhvillimin ekonomik dhe besoj se edhe në të ardhmen, pavarësisht se kush do të jetë Ministër i Financave duhet ta ruajë këtë strukturë.
Kur jemi te Ligji i Pagave nuk do të lejojmë që të ketë efekt në uljen e shpenzimeve kapitale, për arsye se do të marrim të gjitha masat e mundshme që ta menaxhojmë implementimin e Ligjit për paga, pa i cenuar shpenzimet kapitale.

A ka Ministria e Financave politika konkrete për ta bërë sa më funksional tregun e punës në Kosovë?

Nga këndvështrimi praktik, Ministria e Financave, mbetet e përkushtuar për reforma konkrete që rrisin mundësitë për punësim në sektorin privat. Në këtë kontekst, politika jonë është fokusuar në drejtim të ofrimit të përkrahjes financiare dhe institucionale për skemat konkrete që rrisin mundësitë e investimeve në sektorin privat, e rrjedhimisht, në rritjen e mundësive për punësim.

Një shembull konkret i punës sonë është fillimisht themelimi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (Fondi), i cili ka për qëllim rritjen e mundësive për kreditim të bizneseve, respektivisht sektorit privat në vend, me kosto të përballueshme.

Përveç kontributit direkt të Ministrisë së Financave në ndarjen e buxhetit të nevojshëm për kapitalin fillestar të këtij Fondi, ne kemi punuar intensivisht me një numër të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare, për të ofruar forma të reja të financimit për Fondin, dhe si rezultat, ky Fond tani ka rritur në masë të konsiderueshme portofolin e vet të garancive kreditore për një numër relativisht të madh të bizneseve.

Për më tepër, ky Fond ka dizajnuar produkte specifike, me kushte mjaft të mira për sektorin privat, siç është shembulli i sektorit të bujqësisë. Falë punës së Ministrisë së Financave, dhe natyrisht partnerëve të tjerë të përfshirë në këtë projekt, dhe vetë Fondit, gjatë dy viteve të fundit janë krijuar vende të reja të punës në sektorin privat, dhe një gjë e tillë pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, me tendencë rritjeje.

Përveç përkrahjes përmes Fondit për Garanci Kreditore, Ministria e Financave ka ofruar financim të skemave të ndryshme që synojnë rritjen e mundësive për punësim, siç janë programet e punësimit nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, skemat e përkrahjes direkte për bizneset nga Ministria e Inovacionit dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe institucionet e tjera.

Këtu do të përmendja natyrisht edhe reformat tatimore, që si synim kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rritjen e aktivitetit prodhues, e rrjedhimisht rritjen e punësimit. Nga analizat tona të brendshme, del se ndryshimet tatimore, që stimulojnë prodhimin vendor, kanë pasur efekte shumë të mira, dhe këto efekte do të rriten më tej në vitet në vijim.

Qeveria e Kosovës është kritikuar shumë për shpenzimet e rezervave shtetërore. Si është gjendja financiare te rezerva e shtetit?

Po nëse e shikojmë në histori për tri vitet e fundit e shohim se kemi pasur më së paku shpenzime të rezervës, ku në vitin 2016 ka qenë 8.1 milionë euro, në vitin 2017 kanë qenë 7 milionë euro, në vitin 2018 kanë qenë 4.6 milionë euro, ndërsa gjatë këtij viti, 2019, janë vetëm 4 milionë euro. Dhe për këtë, siç e dini, jam pikërisht unë nga pozicioni i ministrit të Financave, që kam qenë në vazhdimësi ai zëri kritik, që Qeveria të ketë kujdes me rezervën shtetërore.

Ministër, muaj më parë ka falimentuar kompania e sigurimeve INSIG. Kjo kompani ka qenë funksionale gjatë kohës sa ju keni qenë Guvernator në BQK. Si e shihni ju falimentimin e kësaj kompanie? A është shqetësues ky fakt?

Unë kam qenë Guvernator i BQK-së, tani jam për dy vite Ministër i Financave. Ne tani nga Ministria nuk i mbikëqyrim kompanitë e sigurimeve, por i mbikëqyr BQK-ja. Andaj, mendoj se për këtë çështje është më mirë që BQK-ja të deklarohet si organ rregullator dhe mbikëqyrës i kompanive të sigurimit.

Kohë pas kohe, është duke pasur acarime të raporteve mes Kosovës dhe Shqipërisë, për shkak të barrierave që po hasin bizneset nga ana e dy shteteve. Si e shihni ju raportin mes Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin ekonomik?

Marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri janë marrëdhënie vëllazërore që dallojnë nga marrëdhëniet që i kemi me vendet e tjera fqinje. Është bërë një progres i jashtëzakonshëm në avancimin e procedurave për t’i eliminuar burokracitë, masave tarifore dhe jotarifore. Ekziston një vullnet i madh në dy anët që të kemi avancim më tej në integrimin më të madh ekonomik dhe është fakt që ka hapësirë ende shumë për t’u bërë. Përafrimi i tregjeve na ndihmon dy shteteve për arsye se do të kalojmë në një treg përafërsisht prej 5 milionë konsumatorësh, që i bie të jemi tregu i dytë më i madh në këtë pjesë të Europës dhe menjëherë do të bëhemi shumë motivues për investime të huaja strategjike.

Andaj, për këtë arsye jam i kënaqur sa është arritur në bashkëpunim ekonomik me Shqipërinë dhe kam besim të madh se do të bëjmë edhe më shumë në të ardhmen. Të gjithë treguesit e importit dhe eksportit na e dëshmojnë se kemi rritje të shkëmbimit të mallrave ndërmjet dy shteteve tona, andaj unë e shoh me shumë pozitivizëm marrëdhënien tonë.

A duhet të hiqet taksa rrugore që ka vendosur Shqipëria në “Rrugën e Kombit”?

Kjo është çështje e brendshme e Qeverisë së Shqipërisë.

 

Intervistoi: Fatos Shala

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of