25 kompani vendase që kanë dhënë shërbime në ndërtimin e autostradës “Arben Xhaferi” paralajmërojnë protestë për shkak të, siç thuhet, mos kryerjes së pagesave ndaj tyre për punën që kanë kryer. Protesta e paralajmëruar për sot mbahet nga ora 10:00- 12:00 para kampit të “Bechtel & Enka” në Ferizaj. Ndryshe, autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, që lidh Kosovën më Maqedoninë do të hapet më 29 maj.
Grupi prej 25 kompanive nga Kosova e Shqipëria të kontraktuar si punëkryese në autostradën “Arbën Xhaferi”, pretendojnë se janë mashtruar nga kompania Bechtel Enka lidhur me pagesat për ndërtimin e disa prej urave. Ata pretendojnë se kjo kompani u ka mbetur borxh 989 mijë euro.
Fillimisht këto 25 kompani ishin nënkontraktuar nga kompania kroate “Suma Engineering Platform” që kishte qenë e kontraktuar drejtpërdrejt nga Bechtel Enka, e cila është fituese e tenderit për ndërtimin e autostradës.
Këto kompani javë më parë i janë drejtuar zyrës së Kryeministrit, një kërkesë për zgjidhjen e problemit. Ata kërkojnë reagimin e qeverisë pasi në të kundërtën thonë se një numër i madh i kompanive do të falimentojnë dhe do të mbeten pa punë rreth 300.
“Meqenëse ne kishim marrëveshje kontraktuale me kompanin “Suma Engineering Platform” dhe kohë pas kohe vërehej dukuria e mospagesave nga ana e kësaj kompanie, në mes të muajit maj 2018 kemi njoftuar përfaqësuesin e kompanisë z. Antonie Tomic për ndërprerjen e punëve në këtë projekt për arsyje të mospagesave me kohë të faturave”, thuhet në letrën e dërguar nga këto kompani te kryeministri Haradinaj.
Në këtë dokument kompanitë thonë se i kishin ndërprerë punimet kah mesi i muajit maj të vitit të kaluar. Dhe se pas këtij veprimi nga ta, përfaqësuesit e Bechetel Enka i kishin ftuar në takim me 24 mars.
Konsorciumi turko-amerikan “Bechtel-Enka”, është kompania e cila po ndërton këtë autostradë.
Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, që lidh Kosovën më Maqedoninë, e quajtur “Arbën Xhaferi”, ishte paraparë të përfundonte në fund të vitit 2018. Por, ajo nuk ka përfunduar ende, duke i tejkaluar tashmë afatet e parapara.
Realizimi i këtij projekti filloi në vitin 2014. E tërë autostrada është në gjatësi prej 60 kilometra, ndërsa është paraparë se kjo autostradë do të kushtojë 700 milionë euro. Autostrada “Arben Xhaferi” është vazhdimësi e autostradës “Ibrahim Rugova” deri në kufirin Kosovë-Shqipëri, e cila nga ana tjetër lidhet me autostradën Durrës-Kukës në kalimin kufitar Morinë, në kufirin Shqipëri-Kosovë.
Ndryshe, autostrada “Arbën Xhaferi” do të hapet më 29 maj, projekt ky të cilin kryeministri Ramush Haradinaj e konsideron si veprën infrastrukturore prej më të mirave që ekzistojnë në Ballkan./Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.