Në zonat e thella malore të Shqipërisë, jetesa nuk është aspak e lehtë dhe të gjesh mënyra për të siguruar të ardhmen, kërkon mund dhe shumë guxim.
E tillë është edhe historia e Dylbere Pinos, familja e së cilës, falë punës gëzon frytet e një ferme të ngritur me shumë mund e sakrificë dhe investimi po merr jetë për rindërtimin e një restoranti dhe një bujtine të vogël për të pritur punëtorët e TAP-it, por pse jo edhe turistët që do të nisin të vijnë, tashmë që rruga është tërësisht e rehabilituar dhe me standarde.
Deri në moshën 42-vjeçare, përpara ardhjes së demokracisë, ajo nuk e dinte se çfarë do të thoshte të merreshe me blegtorinë.
“Kur hyri demokracia, filloi edhe prona të na hynte në ‘gjak’. Dhe kështu nisëm të investonim në blegtori.
Im shoq pati mundësinë që të ikte në Francë dhe aty fitoi përvojë në rritjen dhe mbarështimin e bagëtive. Në fillim kishim 70 bagëti, për të cilat kujdesesha krejt e vetme.
Më pas morëm një mëshqerre, të cilën me kalimin e kohës dhe me përkujdesje e shtuam e deri sa sot ne numërojmë 93 kokë”.
Dylberja tregon se në Shtyllë, por edhe në zonat përreth, jeta është shumë e vështirë, por ata kanë arritur që të gëzojnë edhe frytet e punës së tyre. “Rregullimi i rrugës na ka ndihmuar shumë dhe nuk kemi mbetur të izoluar përgjatë kësaj kohe. Një pjesë të prodhimit e mbaj për nevojat familjare, ndërsa pjesën tjetër e shes. Bëjmë qumësht, djathë, gjalpë, të gjitha nevojat i plotësojmë brenda familjes”, tregon ajo.
“Ndoshta, mund të na ndihmojnë me kredi të buta, që edhe ne të kemi mundësi të investojmë dhe të rrisim jo vetëm ekonominë familjare, por edhe të zonës përreth. Bukuritë e natyrës duhet të shfrytëzohen. Ja tek ai rezervuari i vogël që ju patë në të hyrë të fshatit e që është toka jonë, mund të ngremë disa shtëpi të vogla prej druri dhe të presim turistë. Ne idetë nuk na mungojnë, por nuk kemi para. Edhe kredi kemi marrë disa herë për të ngritur në këmbë stallat e për të shtuar lopët”, thotë Dylberja, që në krah gjithmonë i qëndron si i shoqi, si dhe njëri nga djemtë.
“Unë të ardhmen e shoh këtu. Do ta krijoj vetë. Nuk më mungon iniciativa dhe me këtë frymë kam edukuar edhe djemtë”, thotë Dylberja, e cila me mikpritjen e saj, të bën të kuptosh se cila është pasuria më e madhe e shqiptarëve.
Në foto: Dylbere Pino, banore e zonës
Në foto: Një pjesë e fermës
Foto: Gent Shkullaku
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.