“Të mendojmë për cilësinë e ajrit, si për cilësinë e ujit që pimë”
Laurentiu Hutanu Drejtor i Përgjithshëm i “Uji i Ftohtë Tepelene”
Orientimi drejt objektivave të qëndrueshëm dhe rritja e kontributit në komunitete duket se po kthehet në një busull për politikat e kompanive të maturuara dhe novatore edhe në Shqipëri. Një shembull i këtij mentaliteti të ri është edhe lëvizja e fundit e “Uji i Ftohtë Tepelene” duke ndryshuar pjesën më të madhe të flotës së automjeteve të saj të cilat kishin në bazë gazin dhe duke kaluar në makina elektrike. Laurentiu Hutanu Drejtor i Përgjithshëm i “Uji i Ftohtë Tepelene” nënvizon se ky është vetëm fillimi i këtij rrugëtimi që ka në thelb qëndrueshmërinë por hapa të tjerë do të pasojnë kohë pas kohe, në të njëjtin drejtim. Në planet afatshkurtra të kompanisë janë edhe ato për integrimin e vetëprodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme siç është dielli. Projekti parashikon instalimin e paneleve fotovoltaikë çka do t’i mundësojë asaj energji për vetëkonsum. Një tjetër ambicie e “Uji i Ftohtë Tepelene” që është mjaft domethënës edhe në kontekstin e industrisë ku operohet është edhe ajo e nxjerrjes në treg të një shisheje rPET (të riciklueshme) vitin e ardhshëm.
Çfarë e motivoi në krye të herës kompaninë tuaj që të ndërmerrte këtë hap të rëndësishëm?
Lëvizshmëria e qëndrueshme në përgjithësi konsiderohet si lëvizshmëria që ndikon direkt tek shëndeti i njerëzve dhe i mjedisit. Reduktimi i dioksidit të karbonit është një kontribut i rëndësishëm, me një impakt domethënës tek ndryshimet klimatike dhe rrjedhimisht, tek shëndeti i bashkëqytetarëve.
Nga ana tjetër, Lëvizshmëria e Qëndrueshme ofron efikasitet ekonomik, duke nisur që nga reduktimi i kostove të mirëmbajtjes së mjedisit, deri tek kontributi që ka tek një stil i ri jetese, më i gjallë, më i shëndetshëm dhe njëherësh, më social.
Për hir të gjithë këtyre të mirave, “Uji i Ftohtë Tepelene” ndoqi shembullin e CCBS, që është pjesë e të njëjtit grup, duke zgjedhur të punojë me përgjegjshmëri dhe duke ofruar kontribut konkret për jetën e qytetarëve.
Si renditet projekti i qëndrueshmërisë i Tepelene mes prioriteteve tuaja të biznesit?
Qëndrueshmëria është një angazhim i vazhdueshëm. Ky është fillimi, dhe ne synojmë të kontribuojmë akoma më shumë duke e zhvilluar më tej këtë projekt ose edhe projekte të tjera. Ne kemi një angazhim serioz për të punuar cilësisht, duke siguruar njëherësh një ambient të shëndetshëm ku punonjësit tanë, fëmijët tanë, qyteti ynë, të korrin frytet e këtyre investimeve.
Teksa ndërgjegjësimi për qëndrueshmërinë në shumë vende të botës është kthyer në një qendër diskutimi lidhur me markat e njohura, në Shqipëri duket sikur ndërgjegjësimi mbi këtë çështje mbetet një diskutim korporativ. Çfarë po u komunikon Tepelene qytetarëve për rëndësinë e ambientit?
Jo vetëm çfarë po komunikojmë, por çfarë po bëjmë për këtë. Mënyra më e mirë për t’i dhënë rëndësi çështjes, është duke vepruar për çështjen që kompania kërkon të ndërgjegjësojë. Ne po kontribuojmë në pakësimin e ndotjes duke e nisur me disa automjete elektrike. Po draftojmë praktika të cilat mund t’i ndjekin edhe kompanitë e tjera. Po inkurajojmë dhe edukojmë stafin tonë jo vetëm sesi t’i zhvillojnë por edhe për të mirat e këtyre projekteve. Të mira të cilat lidhen direkt me ta dhe me mirëqenien e familjeve të tyre.
Videoja prezantuese e nismës na thotë se Tepelene vetëm sa e ka nisur rrugëtimin drejt qëndrueshmërisë. Pra, do të thotë se ka ndryshime të tjera që do të sjellë kompania Tepelene, ndoshta edhe tek vetë produkti, që lidhen me zgjidhjet për mjedisin?
Sikurse thashë, qëndrueshmëria është një angazhim i vazhdueshëm. Po përkushtohemi që të sjellim të mira për shqiptarët, ndërsa punojmë dhe jemi operacionalë. Ky angazhim i yni nuk është projekt “një-aksionësh”. Është i vërtetë, do të vazhdojë dhe ekziston si për kolegët tanë ashtu edhe për klientët tanë.
Kam një pyetje shumë të drejtpërdrejtë. A ka kosto të lartë për një kompani ndërmarrja e këtij drejtimi, pra drejt qëndrueshmërisë?
Edhe unë kam një përgjigje shumë të drejtpërdrejtë. “Herët e para” kanë gjithmonë edhe koston e edukimit të tregut, së bashku me kostot operacionale. Tani për tani, mund të konsiderohet një investim serioz, ndërsa për të ardhmen, një stil i ri jetese. Ne tani hasim edhe çështje legjislative të cilat po përpiqemi t’i zgjidhim, gjë që krijon kostot e veta: kostot e kohës; kostot e investimit; të njerëzve që janë të përfshirë; e megjithatë ne jemi angazhuar seriozisht që të marrim “hapin e parë” për një të ardhme më të mirë.
Cilat janë sfidat më të mëdha që has një kompani sot, kur kërkon të bëjë progres në çështje të qëndrueshmërisë?
- Legjislacioni
- Infrastruktura
- Bashkëpunimet
- Investimet
Sa të angazhuar janë punonjësit tuaj në këtë kauzë?
Duke zgjedhur të veprojmë, ne po krijojmë një shembull. Kështu që po, edhe punonjësit po përshtaten me këtë ndryshim. Të jesh pjesë e një kompanie me një vizion të qartë për qëndrueshmërinë me kalimin e kohës krijon edhe “qëndrimin” dhe angazhimin drejt çështjeve mjedisore. Të mendojmë për cilësinë e ajrit, si për cilësinë e ujit që pimë.
Mendoni se nisma juaj do të ndikojë edhe kompanitë e tjera, që të ndërmarrin një hap drejt qëndrueshmërisë?
Po, padyshim e besoj këtë. Po krijojmë një trend të ri i cili mund të ndiqet edhe nga kompani të tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.