Intervistë me Bankën OTP Albania
Ligji i ri “Për shërbimet e pagesave” do të ndikojë në rritjen e volumit të pagesave lokale, që kryhen nëpërmjet platformave dixhitale.
Në një intervistë për revistën “Monitor”, Banka OTP Albania e vlerëson ligjin e ri si një zhvillim pozitiv dhe shprehet se sfida kryesore që sjell për bankat është përshtatja e sistemeve informatike në një kohë të shkurtër, ndryshimet në sistemet e raportimit pranë Bankës së Shqipërisë, si dhe adresimi i përshtatshëm i riskut operacional.
Banka OTP Alania vlerëson si të rëndësishme për nxitjen e pagesave elektronike edhe mundësimin e shlyerjes kombëtare të pagesave në monedhë të huaj, si dhe praninë e procesorëve lokalë për transaksionet me karta, pasi kjo do të ndikonte në uljen e tarifave për konsumatorët e këtyre shërbimeve.
Që nga fillimi i janarit ka hyrë në fuqi ligji i ri për shërbimet e pagesave. Çfarë ndikimi prisni të ketë ligji në tregun e pagesave në vend?
Ligji i ri dhe aktet nënligjore që e shoqërojnë atë do të ndikojnë në rritjen e volumit të pagesave lokale që kryhen nëpërmjet platformave dixhitale, pasi ka reduktuar çmimet e këtyre pagesave dhe rregulluar tregun ndërbankar. Ligji gjithashtu sjell risi në aspektin rregullator për ofrimin e shërbimeve të pagesave online nëpërmjet palëve të treta dhe si rezultat pritet që të rritet fluksi i pagesave që ekzekutohen në sistemin bankar.
Cilat janë sfidat dhe mundësitë që shtron ligji i ri për bankat tregtare dhe çfarë risish mund të sjellë në qasjen e bankave ndaj shërbimeve të pagesave?
Sfida kryesore që sjell ligji ka të bëjë me përshtatjen e sistemeve informatike të bankave në një kohë të shkurtër, me ndryshimet në sistemet e raportimit pranë Bankës së Shqipërisë, si dhe me përshtatjen me aktet nënligjore që do të ndjekin.
Bankat gjithashtu do të duhet, në çdo rast, të adresojnë riskun operacional dhe të verifikojnë gjatë implementimit rregullat lokale dhe ndërkombëtare që synojnë të mbrojnë konfidencialitetin e informacionit të klientëve. Bankat do të synojnë të orientojnë klientët drejt pagesave online, duke shfrytëzuar risitë që sjell ligji i ri për të lehtësuar kryerjen e këtyre pagesave.
Shqipëria është ekonomi me përdorim shumë të lartë të parasë ‘në dorë’ ose ndryshe ‘cash’. Pse ndodh kjo dhe simund të nxitet përdorimi i formave alternative të pagesave?
Përtej traditës dhe vështirësive që sjell çdo ndryshim në sjelljet e klientëve, informaliteti i ekonomisë është një element shumë i rëndësishëm që ndikon në përdorimin e parasë cash. Ne besojmë që ligji i ri do të nxiste përdorimin e kanaleve alternative të pagesave,nëse do të kombinohej me një fushatë të gjerë mbarëkombëtare, që synon edukimin e konsumatorit në lidhje me përfitimet e përdorimit të formave alternative.
Një mbështetje tjetër për të nxitur forma alternative të pagesave do të ishte shlyerja kombëtare e pagesave në monedhë të huaj, si dhe prania e procesorëve lokalë për transaksionet me karta, pasi kjo do të ndikonte në uljen e tarifave për konsumatorët e këtyre shërbimeve bankare.
Nga të dhënat e deritanishme, sa e ka ndikuar pandemia përdorimin e pagesave elektronike nga publiku shqiptar?
Gjatë pandemisë, volumi i transaksioneve elektronike u rrit me 30%. Rritja është evidencë e një modeli të ri të operimit të publikut përkundrejt detyrimeve ekonomike dhe financiare. Edhe pse aktivitetet për rritjen e vetëdijes në kuadër të veprimeve online kishin nisur prej shumë vitesh, rezistenca e publikut mbetej çështje. Lëvrimet financiare online janë komoditet për çdo individ.
Sistemet bankare janë të tilla që garantojnë saktësinë, historizimin, dokumentimin dhe referimin në çdo rast nevoje nga ana e përdoruesit të këtyre shërbimeve online. Madje, duke i pasur elektronike, janë më të lira sesa ruajtja në version letër.
Po ashtu, shpejtësia e mbylljes së shumë nevojave derivuese, si aplikime të tjera në të ardhmen, hapja e mundësive përtej vendit, fleksibiliteti ndërbankar etj., janë përfitime të cilat klientët mbase nuk i ndiejnë në aspektin e ngushtë kohor, por në afat të mesëm dhe më tej, ndërgjegjësohen dhe sigurisht që ndërrojnë praktikën, nga veprimet cash në ato online. Ne mbetemi besimplotë që kultura e veprimeve online do të vijë duke u zgjeruar mes publikut. Mjaft të vështrojmë brezin e ri sesa shpejt u përshtat me situatën online dhe sa praktike janë këto mjedise, për të parashikuar të ardhmen e afërt.
Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave po punojnë për një sërë projektesh të lidhura me shërbimet e pagesave, si shlyerja kombëtare e transfertave në euro, instant payments dhe sistemi kombëtar i ‘card switch’. Sa mund ta ndihmojë realizimi i këtyre projekteve zhvillimin e pagesave elektronike në vend?
Projektet e përmendura do të kenë efekt shumë pozitiv në zhvillimin e pagesave elektronike, pasi krijojnë lehtësi shumë të mëdha në terma kohorë për klientët, si dhe ulin kostot e shërbimeve tregtare dhe bankare. Me kalimin e kohës, të gjithë subjektet do të evidentojnë lehtësitë që, këto projekte të sjella në jetë, do të mundësojnë për tregun vendas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.