Të padenja për të mbijetuar

07/11/2020 10:00 PM 0 komente

Çfarë duhet bërë për firmat zombie? Nëse nuk tregohet kujdes, masat e marra gjatë pandemisë do të mbajnë gjallë firma që duhen mbyllur

 

Për vite me radhë, ekonomistët kanë debatuar nëse qeveritë dhe bankat qendrore në vendet e pasura kanë zgjatur gabimisht jetën e “firmave zombie”.

Thuhet se peizazhi i korporatave, është kthyer nga një hapësirë, e mbushur me krijesa luftarake të pamëshirshme, në një zonë gri plot me të gjallë thuajse të vdekur, të paaftë për inovacion ose dinamizëm. Tani ky debat ka marrë një rëndësi të re. Pandemia mund t’i nxisë qeveritë të zgjasin jetën e shumë firmave të padenja. Mbajtja nën kontroll e firmave të tilla të dështuara, do të jetë jetike për rimëkëmbjen ekonomike afatgjatë, shkruan The Economist.

Firmat me fitim të dobët ishin të rëndësishme në “dekadën e humbur” të Japonisë në vitet 1990, kur bankat, të gatshme për të mbështetur kompanitë, vazhduan t’u mundësonin kredi huamarrësve që përndryshe do të falimentonin. Industritë e infektuara me firmat zombie vuajtën nga tregjet inerte të punës dhe një rritje më të ulët të  produktivitetit.

Që atëherë, vendet e pasura në përgjithësi, duket se kanë filluar të duken gjithnjë e më të zombifikuar. Në ekonomitë e përparuara, pjesa e firmave të listuara me kapitalizim të ulët të tregut, dhe fitimet e të cilave janë të pamjaftueshme për të mbuluar pagat e interesit, u rrit nga rreth 4% në mes të viteve 1980, në 15% në vitin 2017, sipas Bankës për Rregullimet Ndërkombëtare. OECD llogarit se nivelet e produktivitetit në Itali dhe Spanjë, do të ishin mbi 1% më të larta pa rritjen e firmave zombie, të cilat mendohet se kanë zënë vendin e rivalëve me potencial.

Provat për zombifikim në vitet 2010, janë të paplota: ekonomia botërore shfaqi disa shenja të mungesës së kapitalit ose fuqisë punëtore, të cilat ju mund të mendoni se do të ishin më të theksuara  nëse do të ishte e vërtetë se firmat zombie po shpërdoronin burimet. Shumë firma ishin pak fitimprurëse sepse shpenzimet totale ishin të dobëta. Megjithatë, pandemia po krijon një rrezik më të madh të zombifikimit shtesë.

Qeveritë kanë ndërhyrë në ekonomi në një shkallë të madhe, në mënyrë që të mbajnë firmat gjallë. Një kombinim i skemave kundër papunësisë për të ulur faturat e pagave, kredive të mbështetura nga shteti për të siguruar likuiditet dhe ligjeve ose masave të tjera për të frenuar falimentimet, ka parandaluar një valë dështimesh të ndërmarrjeve. Por ekziston rreziku që, teksa ekonomitë dalin nga pandemia me dëshira dhe nevoja të reja, disa firma që duhet të lejohen të dështojnë, do të vazhdojnë të ekzistojnë.

Marshimi i të vdekurve mund të mbahet nën kontroll. Qeveritë duhet të mbështesin punëtorët, jo vendet e punës, dhe duhet të ndërhyjnë më kirurgjikisht. Skemat kundër papunësisë i mbajnë punëtorët të lidhur me ndërmarrjet; prandaj do të ishte më mirë të ofroheshin përfitime bujare papunësie. Huatë e mbështetura nga shteti nuk duhet të mundësohen për një kohë të pacaktuar, por përkundrazi, duhet t’i nënshtrohen gradualisht rritjes së normave të interesit, duke i inkurajuar huamarrësit të mbështeten në financat private.

Nëse qeveritë besojnë me të vërtetë se përçarja në industrinë e mikpritjes do të jetë vetëm e përkohshme, atëherë mbështetja e tyre do të ishte e justifikuar. Por për shkak se industria nuk do të rimarrë kurrë të ardhurat që ka humbur gjatë pandemisë, do të ketë nevojë për grante, jo për kredi – një ndryshim që do të ndihmonte në përqendrimin e fokusit të politikanëve.

Një përparësi tjetër është shmangia e një krize bankare. Huadhënësit me bilance të tendosura kanë një nxitje për të vazhduar financimin e klientëve të tyre ekzistues, duke i maskuar gabimet e kaluara të huazimit me më tepër hua. Në terma afatshkurtër, kjo shmang njohjen e humbjeve, në planin afatgjatë, bankat po u japin kapital firmave që po e shpërdorojnë atë. Rregullatorët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj rrezikut të grumbullimit të këtyre firmave zombie. Bankat duhet të qëndrojnë sa më të forta gjatë pandemisë, për të zvogëluar nxitjen për të fshehur humbjet. Kjo është një arsye për të kufizuar aftësinë e tyre për të paguar dividendë.

Së fundmi, duhet siguruar që firmat të mund të dështojnë shpejt dhe me efikasitet, në mënyrë që ato të mund të rikapitalizohen ose asetet dhe stafi i tyre të rishpërndahen. Gjykatat e falimentimit duhet të jenë në gjendje të rilindin firmat me perspektivë të arsyeshme, ose të likuidojnë asetet që mund të kenë përdorime të reja produktive në duar të tjera.

Bërja e procesit më të shpejtë dhe të qartë, do të ulë nxitjen e kreditorëve për të kërkuar likuidime të pavlefshme, veçanërisht për bizneset e vogla. Pezullimi i falimentimeve për periudha të gjata, siç kanë bërë Australia dhe Gjermania, vetëm sa mohon realitetin. Amerika, me qasjen e saj josentimentale për ndihmën ndaj firmave të sëmura, ofron një model shumë më të mirë.

Ndihma pa dallim për të mbështetur firmat dhe punëtorët, ishte një masë e domosdoshme për shpëtimin ekonomik këtë vit, në kushtet e imponimit të karantinave që bllokuan ekonominë. Sidoqoftë, ndihma është kthyer në një kërcënim për dinamizmin. Ndërkohë që ekonomitë rimëkëmben, tregu duhet të lejohet të luajë rolin e duhur në përcaktimin e fituesve dhe humbësve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of