Në Shqipëri ka nisur prej një viti strukturimi i tregut për detyrimet që kanë bizneset për ‘copyright’. Pas miratimit të ligjit “Për të Drejtat e autorit” në vitin 2016 dhe krijimit të Agjencisë SUADA, sfidat e këtij viti janë sensibilizimi në masë më të gjerë për bizneset, si dhe lidhjet ndërinstitucionale për të zbatuar ligjin në të gjithë vendin…
Nga Deada Hyka
Kuptimi i ligjit të Pronësisë Intelektuale është bërë një aftësi thelbësore për fillimin dhe rritjen e një biznesi. Shumë produkte, teknologji dhe vepra krijuese që bën një kompani e caktuar, mbrohen nga një prej katër llojeve të Ligjit të Pronësisë Intelektuale: të drejtat e autorit, markat tregtare, patentat dhe sekreti tregtar.
Ndryshe nga ligji i “Pronës së paluajtshme”, i cili rregullon pronën fizike dhe tokën, duhet kuptuar drejt se pronësia intelektuale rregullon përdorimin e veprave krijuese dhe teknike, si dhe markave.
Nëse jeni të interesuar të ripërdorni përmbajtjen nga të tjerët ose të përpiqeni të mbroni përmbajtjen dhe idetë tuaja, është e rëndësishme që të kuptoni se prona intelektuale është tashmë një pronësi e rëndësishme, e rregulluar me ligj, por që në vendin tonë ka ende mungesa dhe problematika për administrimin e tyre. Lidhur me markat dhe idetë tregtare, kemi jo pak raste në Gjykatë dhe problematikat janë në pranishme çdo vit e më shumë, ndonëse ka pasur përmirësim në ndërgjegjësimin për të regjistruar dhe jo për të vjedhur marka apo ide, sipas Drejtorisë së Patentave dhe Markave Industriale.
Po me të drejtat e autorit ç’po bëhet? Prej një viti në Shqipëri funksionon një agjenci e re, e cila është bashkim i katër instancave të mëparshme nën përgjegjësinë e Ministrisë së Kulturës dhe risi në tregun shqiptar, që vjen me qëllimin e rregullimit të këtij tregu ku askush s’paguan për të drejtat e autorit.
SUADA ose Sporteli Unik për Administrimin e të Drejtave të Autorit (dhe të drejtave të tjera të lidhura me të) ka si rol të kontaktojë, të informojë dhe të mbledhë të ardhura nga subjektet përdorues të veprave që mbrohen nga LDA dhe përfaqëson të gjitha Agjencitë të cilat janë licencuar nga ministri i Kulturës, për të administruar të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të. Nëse jeni përdorues i veprave artistike, muzikore apo kinematografike duhet të drejtoheni drejt Sporteli Unik për Administrimin e të Drejtave të Autorit (SUADA) për t’u pajisur me leje/autorizimin përkatës për përdorimin e veprave.
Ligji i ri mbron dhe garanton një kategori vulnerabël që është ajo e krijuesve, që asnjëherë nuk kanë përfituar mbrojtjen e merituar dhe njohjen me të drejta të plota të së drejtës së vet të pronësisë intelektuale.
Ky ligj u njeh, mbron dhe garanton autorëve, mjedis të sigurt dhe mundësi për të përfituar nga puna e veprave të tyre. Autori e gjen veten të mbrojtur në këtë ligj, sidomos për garancitë ligjore që i jep, ç’ka bën që tregu intelektual të funksionojë në interes të krijuesve dhe të jetë dokumenti bazë për të shtrirë dhe për të zhvilluar veprimtarinë e tyre krijuese.
Ndërkohë ka filluar miratimi i akteve nënligjore të këtij ligji, të cilat do të japin efektet e para pozitive drejt standardizimit të tregut shqiptar me atë europian. Edhe ky proces u është nënshtruar konsultimeve të gjera me grupet e interesuara. Procesi i miratimit të këtyre akteve përfundon në fillim të muajit nëntor.
Ligji i ri për herë të parë pozicionon qartë palët në fushën e administrimit të të drejtave, ku autori do të ketë mundësi përfitimi nëpërmjet skemave të reja që janë parashikuar. Një tjetër garanci që buron nga ky ligj është rregullimi i marrëdhënieve të përfaqësimit agjenci – autor, duke siguruar transparencë e llogaridhënie nga agjencitë për krijuesit dhe institucionet publike. Ky ligj tashmë e mbron autorin përballë veprimeve arbitrare të shkelësve dhe i jep mundësinë të shpërblehet për punën e tij krijuese. Për herë të parë: krijohet sporteli unik, i cili jep lehtësi për subjektet përdoruese dhe i shërben formalizimit të tregut intelektual.
Janë bërë rregullimet e nevojshme, të thjeshta dhe të qarta për organin procedues, gjykatën dhe adresimin e problematikave në lidhje me masat paraprake, sigurimin e provave dhe zgjidhjen efikase të rasteve gjyqësore; vendosen kufijtë sa duhet të shpenzojnë agjencitë për të qenë eficentë dhe transparentë. Kështu shpërblimet e merituara të autorëve nuk shkojnë për asgjë tjetër, përveçse në emër të tyre.
rriten dhe forcohen sanksionet për shkelësit dhe abuzuesit me të drejta pasurore të autorëve; vendosen tarifat për shpërblim të drejtë, të cilat do të jenë të publikuara dhe të qarta për këdo.
Të ardhurat nga të drejtat e autorit
Duke caktuar të drejtën ekskluzive për të kopjuar dhe për të shpërndarë veprat origjinale të krijuesit, ligjet e autorit sigurojnë që mbajtësit e së drejtës së autorit mund të fitojnë të ardhura nga puna e tyre.
Autorët mund të shesin, të marrin ose të licencojnë veprat e tyre, ose t’u japin leje të tjerëve t’i përdorin ato dhe të mbledhin honoraret. Këto të ardhura i lejojnë krijuesit të vazhdojnë aktivitetet dhe të prodhojnë vepra të reja. Përveç përcaktimit të veprave që mund të mbrohen dhe caktimit të të drejtave ekskluzive, ligjet e autorit përfshijnë përdorimin e drejtë si një kufizim mbi të drejtën e autorit.
Anëtarët që mund të riprodhojnë seksione të vogla të një vepre të mbrojtur nga të drejtat e autorit për qëllime kritike, mësimdhënieje, komentimi ose kërkimi. Përdorimi i drejtë i materialit me të drejtë autori është përgjithësisht jokomercial, i kufizuar në një pjesë të vogël të punës dhe i kufizuar në aktivitete që nuk ndikojnë ndjeshëm në vlerën komerciale të punës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.