Vetëm pak kohë më parë, qeveria miratoi strategjinë e tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve deri në vitin 2020. Në të parashikohet që për konsumatorin të ketë më shumë transparencë në informim, por edhe në publicitetin e ofruar; dëmshpërblime si dhe zgjidhje me ndërmjetësim të rasteve kur ka abuzime. Hartuesit tërheqin vëmendjen e konsumatorit për të mos qenë “indiferent” dhe të tregohen të kujdesshëm ndaj mashtrimeve.
Në Shqipëri ka shumë pak konsumatorë të mirinformuar, që i dinë të drejtat e tyre e që tregohen të kujdesshëm kur bëjnë blerje, veçanërisht ato që kanë njëfarë kosto. Dhe kur mashtrimi ndodh, ai nuk ndëshkohet, ndërsa konsumatorit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mbetet me investimin e shkuar dëm.
E, në kohën e revolucionit të teknologjisë kjo tingëllon si paradoks, por në shoqërinë shqiptare ndodh rëndom. Pak kohë më parë, qeveria shqiptare miratoi strategjinë për mbrojtjen e konsumatorit dhe të tregut 2014-2020, ku objektivi kryesor është ulja e praktikave të padrejta tregtare me mospërputhje ligjore.
Drejtorja e Tregut të Brendshëm, Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Klotilda Neziri, thotë se në të analizohen dhe vlerësohen praktikat e ndryshme tregtare me të cilat përballen konsumatorët.
“Objekt i këtij vlerësimi do të përbëjnë zbatimi i detyrimeve ligjore nga operatorët, dhe veçanërisht detyrimet në lidhje me transparencën e informacionit, publicitetit të ofruar konsumatorëve, etj.
Hartimi i kuadrit ligjor lidhur me etiketimin e energjisë për grupe produktesh me ndikim në konsumin e energjisë, duke ndjekur zhvillimet në nivel europian. Kjo do të thotë kërkesa të detyrueshme për operatorët, në lidhje me informacionin e nevojshëm në etiketën dhe skedën informative të produktit, që ka impakt në eliminimin e barrierave teknike të lëvizjes së lirë të mallrave, rritjen e transparencës në treg, mundësimin e konsumatorëve për blerje/zgjedhje të mirinformuara dhe nxitjen e tregtarëve për të ofruar në treg produkte efeciente ndaj energjisë”, thotë znj. Neziri.
Sipas saj do të bëhet rritja e shkallës së ndërgjegjësimit dhe edukimit të konsumatorëve dhe operatorëve në lidhje me: kuadrin e ri rregullator të sigurisë së produkteve, të mbrojtjes së konsumatorëve, etj.
“Ky objektiv u shërben konsumatorëve, për t’ju mundësuar marrjen e një informacioni të qartë, të besueshëm dhe transparent nëpërmjet mjeteve të informimit si media (TV), fletëpalosje, faqe interneti, organizimi i aktiviteteve të ndryshme informuese, përfshirë këtu ndërgjegjësimin e konsumatorit për paraqitjen e ankesave pranë strukturave të mbrojtjes së konsumatorëve, shoqatave të konsumatorëve”, thotë drejtorja e Tregut të Brendshëm.
Në Strategjinë e Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Tregut, si një element i rëndësishëm parashikohet edhe dëmshpërblimi. “Në strategji parashikohet edhe përcaktimi i detyrimeve ndaj operatorëve/tregtarëve për të siguruar informacion të përgjithshëm për konsumatorët gjatë ofrimit të mallrave apo shërbimeve mbi të drejtat dhe detyrimet kontraktore, mbi ankesat dhe mekanizmat e dëmshpërblimit në dispozicion në rast mosmarrëveshje, përfshirë aspekte praktike të përdorura në këto mekanizma. Një objektiv i synuar është aplikimi i Zgjidhjes Alternative të Mosmarrëveshjeve të Konsumatorëve (ADR), që ka për qëllim të sigurojë që skemat të jenë në dispozicion në të gjithë sektorët, për të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet konsumatorëve dhe tregtarëve. Ato duhet të respektojnë disa parime të tilla si: cilësia, të transparenca, paanësia dhe efektiviteti në linjë me parashikimet në legjislacionin europian. Konsumatorët duhet të informohen për ekzistencën e një skeme të ADR gjatë transaksioneve të blerjes”, thotë znj. Neziri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.