Të punosh në Australi, ia vlen

16/11/2013 8:14 AM 3 komente

Cilësia e jetës, shpejtësia me të cilën mund të gjendet një vend pune, paga e lartë, sigurime shëndetësore dhe taksa të ulëta, fleksibilitet dhe mundësi të mira për karrierë, këto janë disa nga arsyet që mund t’ju bëjnë që të zgjidhni për të punuar në Australi.

Australia duket se është kthyer në një treg pune të shumëkërkuar, pasi ofron mundësi për të gjithë. Falë vizave të tipit “working holiday”, që iu lejojnë të rinjve të kalojnë një vit në këtë vend duke punuar me kohë të pjesshme, por edhe duke vlerësuar mundësitë për të qëndruar më gjatë me një tip tjetër leje. Ekziston një e ashtuquajtur “skilled occupation lists” (listë punësimi) e cila azhurnohet çdo ditë dhe që orienton aspirantët “australianë” (kujtojmë këtu se duhen katër vjet qëndrim për të kërkuar nënshtetësi lokale me të gjithë avantazhet që përfaqëson), por me më shumë vite përvojë mbi supe mund të paraqitet kërkesa për vizë pune, kur mundësitë në sektorë janë të mira. Në këtë artikull të shkurtër do të mundohemi të paraqesim mundësitë që ofron vendi në cepin tjetër të botës për ata që ende nuk po e gjejnë veten ose kërkojnë një përvojë tërësisht ndryshe. E në fakt ekzistojnë pesë motive të forta dhe të vlefshme që do ta bënin çdokënd të mendohej për t’u transferuar në Australi.

 

Cilësia e jetës

Nuk numërohen klasifikimet që e rendisin kryeqytetin australian në vendet e para për sa i përket cilësisë së jetës, lehtësisë me të cilën mund të rritet një fëmijë, gjallërisë, transparencës dhe meritokracisë. Këto janë vetëm disa nga avantazhet që paraqet ky vend. Edhe pse ndoshta disa nga këto klasifikime e ekzagjerojnë disi panoramën, nuk mund të mohohet se qytete si Sidnei apo Melburni janë realisht “shumë të thjeshta për t’u jetuar”, vende ku është e lehtë të integrohesh shumë më lehtë se në çdo metropol të Europës dhe kjo jo vetëm për shkak të informalitetit dhe buzëqeshjes me të cilën australianët mirëpresin të huajt.

 

Lehtësia për të gjetur punë

Natyrisht nuk mund të pretendohet se mund të gjendet puna e ëndërruar brenda një jave, por fakti që pjesa më e madhe e të rinjve që hyn me një “working holiday visa”, pas një jave nis nga puna, konfirmon se burokracia dhe shkalla tatimore janë të ulëta dhe se mundësitë janë të shumta. E kjo nuk vlen vetëm për ata që duan të punojnë si “babysitter”, kamerierë e baristë. Shumë të rinj në fund e gjejnë veten duke punuar për qeverinë. Pra, është e udhës që në fillim të synohet të fitohet pak, të adaptohesh dhe më pas me qetësi të kërkohet një punë më e mirë, pa rrezikuar që të mbeteni pa para.

 

Paga të larta

Në Australi fitohet shumë. Dhe për këtë fakt nuk ka arsye përse të mos pranohet puna e parë që ju ofrohet, sepse do të paguhet mirë. Sa për të sjellë disa shembuj: një dado fiton 20 – 26 dollarë australianë në orë (pak më pak se 20 euro). Pagesa minimale për orë është 20 dollarë. Një asistentpedagog mund të marrë rreth 90,000 dollarë në vit (dhe jemi duke folur për ndihmës dhe jo për profesorë të zakonshëm). Natyrisht kostoja e jetës është e lartë pothuaj në të gjithë aspektet e jetës, por pagat janë proporcionale, në varësi të sektorit se ku punohet.

 

Shëndetësia dhe taksat

Shpenzimet mjekësore dhe tarifat janë të larta (por asnjëherë të ngjashme me ato të pjesës më të madhe të vendeve europiane), megjithatë në Australi ata të cilët nuk punojnë me kohë të plotë apo janë të punësuar në bazë të kontratave atipike mund ta kenë të vështirë të paguajnë vizitat te mjekët specialistë. Kjo është arsyeja pse kërkohen më shumë viza pune, por në pushime, pasi mund të paguhen kontributet. Ato garantojnë të drejtën e qasjes në sistemin shëndetësor kombëtar (pjesërisht falas). Ndërsa të gjithë ata të cilët punojnë më pak se 30 orë në javë mund të mos paguajnë taksa. Si këmbim punëdhënësi nuk paguan kontributet.

 

Fleksibilitet dhe perspektivë karriere

Edhe nga ky këndvështrim, Australia duket se është përpara vendeve të tjera. Para së gjithash, shumica e njerëzve arrijnë një stad karriere duke punuar me orë të zakonshme pune (në përgjithësi zyrat mbyllen rreth orës 17:00), madje edhe drejtuesit shkojnë në shtëpi në atë orar, përveç rasteve urgjente (të tilla janë sporadike). Fleksibiliteti, transparenca dhe meritokracia lejojnë marrjen e ofertave më të mira. Së fundi, nënat e reja nuk lodhen për të gjetur një ekuilibër të mirë midis mëmësisë dhe karrierës. Për sa kohë që fëmija është nën tre vjeç konsiderohet normale që kontratat e punës me kohë të plotë të bëhen të pjesshme, madje të punojnë edhe në shtëpi. Sigurisht, jo të gjitha profesionet e lejojnë këtë, por në një shoqëri

ku edhe baballarët shpesh shfrytëzojnë këto mundësi për të shpenzuar më shumë kohë me fëmijët e vegjël, kalimi nga me kohë të plotë në të pjesshme nuk sjell asnjë ndryshim sa i përket perspektivës së karrierës.

 

Tri mënyra për të mbërritur në “tokën e kangurëve”

Mënyra më e zakonshme dhe më e lehtë për të arritur në vendin e kangurëve është viza “working holiday” (e ashtuquajtura viza e punës gjatë pushimeve). Ju lejon të jetoni në Australi deri në një vit dhe kushton vetëm 365 dollarë australianë ose rreth 300 euro. Këtë vizë e përfitojnë personat që janë nën moshën 30 vjeç. Këta persona mund të jetojnë në një garsonierë deri në 12 muaj, por kjo periudhë mund të zgjatet me kusht që të punohet për rreth 3 muaj në një fermë, një sipërmarrje bujqësore ku puna vullnetare e të rinjve kërkohet për mbledhjen e ullinjve, verës apo të perimeve. Kjo nuk është një punë që zgjat për gjithë jetën, por sigurisht është një mundësi e madhe për ata që dëshirojnë të hyjnë në Australi. Ndërkohë keni kohë për të kërkuar një tjetër mundësi sistemimi.

Një tjetër mënyrë është ajo e hyrjes me vizë “të pavarur”, por që është më e kushtueshme dhe më e vështirë për t’u marrë (dhe jo rastësisht shfrytëzohet nga mosha mesatare). Bëhet fjalë për një leje qëndrimi që jepet vetëm nëse personi ka një sponsor në Australi ose më saktë një punëdhënës, i cili është i gatshëm të ofrojë një punë dhe një pagë. Në këtë rast do të duhet të niseni me 2,500 euro në xhep, që përbëjnë garancinë që qeveria kërkon për t’u siguruar se ju jeni të aftë të mbani veten, të paktën për shpenzimet fillestare.

Rregullat australiane në çështjet e emigracionit janë disi të ashpra. Nëse nuk keni një sponsor, mund të punoni në Australi vetëm nëse bëheni pjesë e një liste të veçantë profesionesh të autorizuara, duke u bazuar në nevojat e tregut. Lista përfshin profesione si inxhinierë, kimistë, veterinerë, kardiologë, hartografë, dentistë etj., pra të gjitha që kërkojnë një diplomë.

Kërkesa të tjera përfshijnë njohuri të shkëlqyera të anglishtes e përvojë pune të paktën tre vjet, me certifikata të posaçme që e vërtetojnë atë. Kostoja e vizës në këtë rast është shumë e lartë. Përveç vizës ju duhet të shtoni shpenzimet mjekësore për një vizitë të bërë në procesin e hyrjes në vend (350 dollarë australianë), tatimet (që llogariten nga 325-3,060 dollarë australianë), taksa të tjera (duke filluar nga 4,499 dollarë për Premier EOI, shërbimin e vizës dhe 300 dollarë.

Për ata që nuk kanë një diplomë? Mund të gjejnë një punë në industrinë e turizmit, në bare, restorante (në shumë prej tyre mund të flitet edhe italisht) ose si kujdestare fëmije. Pa sponsor dhe pa një punë me kohë të pacaktuar, ju nuk mund të qëndroni shumë gjatë në Australi. Ana tjetër e “vendit të kangurit” përfaqëson një ëndërr për shumë njerëz, me bukuri ekzotike, tepër tërheqës si nga aspekti gjeografik ashtu edhe kulturor.

 

Gabimet që nuk duhet të bëni

Ndër gabimet që ju duhet të shmangni janë: Mos filloni të kërkoni punë shumë para nisjes. Përzgjedhjet për në Australi janë të shpejta dhe punëdhënësit nuk janë të gatshëm të presin me muaj punonjësit e rinj. Mos synoni shumë lart. Në një vend ku përvoja konsiderohet si vlerë e shtuar duhet të prisni të paktën një vit për të marrë kualifikime ose ngritje në detyrë. Mos u gënjeni nga paga bruto. Krahasimi me ato që keni marrë në vendin tuaj duhet ta bëni me pagën neto. Këshillohet që të njiheni me procedurat e emigracionit përpara se të filloni duke iu përgjigjur njoftimeve. Ndoshta mund të filloni me aplikimin për vizë. Për punëdhënësit është e rëndësishme që kandidati potencial synon të transferohet të Australi dhe se do ta bëjë këtë brenda ligjit. Demonstrimi i aftësive për të paraqitur letra rekomandimi dhe CV sipas standardeve australiane përbën një tjetër avantazh. Për ata që janë më pak se tridhjetë vjeç, gjërat janë më të lehta. Ata mund të hyjnë në Australi me një “working holiday visa”. Një dokument që i autorizon ata që studiojnë (maksimumi 17 javë) dhe të punojnë me kohë të plotë (jo më shumë se gjashtë muaj për të njëjtin punëdhënës). Ata sigurohen dhe iu mbulohet kujdesi shëndetësor për 180 ditët e para të qëndrimit në Australi. Nëse po kërkoni një punë të re, ju nuk duhet të kufizoheni vetëm duke parë faqet tradicionale, por mund të shkarkoni aplikacionet e karrierës si App My Career ose të konsultoni JobAdvisor, një vend ku punëtorët mund të përshkruajnë pro dhe kundër eprorëve.

Së fundi, për ata që ende nuk janë të bindur, ju sugjerojmë që t’u hidhni një sy faqeve të qeverisë australiane ku mund të gjeni se cilat janë punët më të kërkuara: aventurë dhe argëtim i siguruar, në këmbim të një shpërblimi jo pak mbresëlënës.

3
Komente

avatar
3 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
3 Comment authors
ValbonaAnonymousAnonymous Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Valbona
Guest
Valbona

Ku mund te aplikoj per vize turistike ne australi

Anonymous
Guest
Anonymous

vetmir

Anonymous
Guest
Anonymous

Ekam ender me shku