Të rinjtë shqiptarë kanë një dozë më të lartë pesimizmi për tu integruar në tregun e punës në raport me femrat.
Sipas të dhënave të INSTAT 18,7 për qind e meshkujve në moshën 15-29 vjeç nuk punojnë pasi mendojnë se nuk ka punë dhe se tregu nuk ofron zgjidhje për ta. Kjo kategori konsiderohen në statistikat e tregut te punës si të dekurajuar.
Për femrat kjo përqindje është më e ulët, pasi vetëm 7,7 për qind e tyre nuk punuan në vitin 2019, pasi e menduan se nuk kishte asnjë zgjidhje për ta.
Niveli i lartë i dekurajimit ndër të rinj është një tregues negativ për nivelin afatgjatë të papunësisë në vend, pasi kjo kategori me kohën humb aftësinë për tu integruar në tregun e punës.
Gjithashtu në vitin 2019, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç as në punësim e as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 26,6 % të të rinjve gjithsej. Në këtë grup, 36,5 % e të rinjve janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (12,7 %), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (18,1 %) ose për arsye të tjera (32,7 %)
Shqipëria dhe Kosova kanë numrin më të lartë te të rinjve 15-24 vjeç, që nuk janë as në punë e as në shkollë. Në Shqipëri kjo përqindje ishte 26,6% dhe në Kosovë 33%.
Në vendet e tjera të rajonit dhe BE, kjo përqindje është shumë më e ulët.
Në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2019, ishin vetëm 18% e të rinjve nuk ishin as në punë e as në shkollë. Kategoria e të rinjve “dembelë” ka pësuar rënie të dukshme gjatë dy viteve të shkuara në Maqedoni, pasi në vitin 2017, 25% e të rinjve nuk ishin as në punë dhe as në shkollë.
Në Malin e Zi, përqindja e të rinjve që as nuk punon dhe as nuk është në shkollë është 17%, në Serbi 15%, ndërsa në vendet e BE ky tregues ishte 10% në vitin 2019.
Situata e tregut të punës së të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor karakterizohet nga pasiviteti i lartë, nivele të larta papunësie të vazhdueshme, punësim në sektorin informal dhe emigrim të lartë.
Pjesëmarrja e forcës punëtore të të rinjve në Ballkanin Perëndimor ishte e ulët në raport me standardet europiane dhe mbeti pothuajse e pandryshuar vitet e fundit.
Një studim i Bankës Botërore për zhvillimet e tregut të punës në vitin 2019 në vendet e Ballkanit Përëndimor gjeti se, edhe ata të rinjë që punojnë janë zakonisht me kontrata të përkohshme.
1 në 4 persona të rinj të punësuar është me kontratë të përkohshme. Cilësia e dobët e arsimit, e cila nuk arrin të përmbushë kërkesat e tregjeve të punës, konsiderohet një nga shkaqet kryesore të shkallës së lartë të papunësisë së të rinjve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.