Të rinjtë, ta pavaksinuarit, mbi 50 vjeç apo ata që kanë marrë një dozë, kush janë më të rrezikuar për t’u prekur me variantin Delta

30/06/2021 3:16 PM 0 komente

Varianti Delta vazhdon të jetë ndër mutacionet më të vëzhguar të koronavirusit dhe kjo sepse ka një arsye të fortë: Është lehtësisht më i transmetueshëm sesa variantet e mëparshme dhe ka prova që rrit rrezikun e shtrimit në spital dhe është më rezistent ndaj vaksinave.

Varianti Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi në fund të vitit të kaluar ku shkaktoi një valë të dytë infeksionesh dhe mijëra vdekje, tani po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën. Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se Delta është varianti më i shpejtë dhe më i fortë i koronavirusit dhe ai do të “zgjedhë” njerëzit më të prekshëm, veçanërisht në vendet me nivele të ulëta të vaksinimit anti-Covid-19.

Britania e Madhe po vëzhgohet nga afër nga shtetet e tjera, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, sepse ka parë që varianti Delta është kthyer në dominues pavarësisht shkallës së lartë të vaksinimit.

Kush rrezikohet më shumë?

Të dhënat e publikuara në Angli tregojnë shkallën e përhapjes së variantit Delta dhe se cilat grupe janë më të rrezikuara nga ky mutacion.

Delta është dominues në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë 95% të të gjitha rasteve të evidentuara, sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik në Angli, me të rinjtë, të pavaksinuarit dhe ata që kanë marrë vetëm një dozë vaksinimi rrezikohen më shumë nga infektimi ndërsa njerëzit e moshuar vazhdojnë të jenë më të rrezikuar të vdesin nga një infektim i mundshëm.

92,029 raste që u analizuan midis fillimit të shkurtit dhe mesit të qershorit rezultuan te infektuar me variantin Delta.

Pothuajse 82,500 nga këto raste janë zbuluar te personat mbi 50 vjeç dhe pjesa më e madhe (53,822 raste) te individë të pavaksinuar. Midis atyre rasteve në grupin e pavaksinuar, shumica dërrmuese i takonin grupmoshës nën 50 vjeç (52 846 raste) dhe vetëm 976 raste ishin mbi moshën 50 vjeç.

Sidoqoftë, të dhënat treguan se ka pasur 117 vdekje në Angli të shkaktuara nga varianti Delta, ku shumica i përkisnin grupmoshës mbi 50 vjeç. Janë regjistruar tetë vdekje në grupmoshën e atyre nën-50 vjeç, ku gjashtë prej tyre ishin individë të pavaksinuar dhe dy të tjerët që kishin marrë vetëm një doze vaksinimi.

Po në lidhje me vaksinimet?

Të dhënat në Angli tregojnë se rastet e variantit Delta u evidentuan si tek njerëzit pjesërisht ashtu edhe tek ata plotësisht të vaksinuar, edhe pse në një shkallë më të vogël tek këta të fundit, duke treguar rëndësinë e vaksinimit të plotë.

Nga 92,029 infektime në total me virusin Delta, pothuajse 20 mijë u evidentuan në njerëz që kishin marrë një dozë të vaksinës anti-Covid, dhe 7,235 infektime u konfirmuan tek njerëzit që kishin marrë dy doza.

Këto të dhëna shërbejnë për të kujtuar se asnjë vaksinë Covid aktualisht në dispozicion nuk ofron mbrojtje 100%, megjithëse shumica e vaksinave të autorizuara aktualisht ofrojnë një mbrojtje të lartë dhe ekspertët po nxisin këdo që nuk është vaksinuar ende të vaksinohet, si dhe rëndësinë e të dy dozave për të arritur mbrojtjen më të mirë të mundshme.

Britania e Madhe ka vaksinuar popullatën e saj sipas moshës dhe nevojave shëndetësore. Programi i saj i vaksinimit filloi me punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të moshuarit dhjetorin e kaluar, duke vazhduar me grupmoshat më të vjetra, ndërsa grupmoshës nën-50 vjeç filluan t’u ofroheshin doza Covid në mes të prillit.

Aktualisht, të gjithë personave mbi 18 vjeç po i janë ofruar dozat e para ndërsa ata që i takojnë grupmoshës nga 30 deri në  40 pritet të marrin dozat e tyre të dyta; gati 85% e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar tani kanë marrë një dozë të vaksinës dhe 61.9% kanë marrë dy doza, duke e bërë atë një nga programet më të shpejta të vaksinimit në botë.

Varianti Delta është mbizotërues

Sipas Institutit të Shëndetit Publik në Angli varianti delta është “mbizotërues” dhe “vazhdon të shënojë një rritje të konsiderueshme” krahasuar me variantin alfa të zbuluar më parë në Mbretërinë e Bashkuar.

Vetëm në bazë javore, të dhënat e lëshuara nga Instituti i Shëndetit Publik në Angli të Premten e kaluar treguan se numri i rasteve të shkaktuara nga varianti delta në Mbretërinë e Bashkuar ishte rritur me 35,204 që nga java e kaluar (që përfaqëson një rritje prej 46%) në një total prej 111,157 rastesh.

Instituti i Shëndetit Publik në Angli theksoi se “analiza vazhdon të tregojë se efektiviteti i vaksinës kundër variantit Delta është i lartë pas marrjes së 2 dozave” dhe se provat vazhdojnë të sugjerojnë se vaksinat janë efektive kundër shtrimit në spital./CNBC

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of