Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon Ministrisë së Transporteve që të hartojë një metodologji për vendosjen e tarifave të aeroportit, si dhe tarifat të jenë të orientuara drejt kostos. Në bazë të ligjit, ato duhet të rishikohen çdo tre vjet…
Tarifat e aeroportit “Nënë Tereza” (TIA) kanë ndryshuar për herë të fundit në vitin 2007, megjithëse sipas ligjit të koncesionit, tarifat duhet të ndryshojnë çdo tre vjet, pra ka kaluar afati i ndryshimit të tarifave që duhej të kryhej që në vitin 2010. Nga ana tjetër, tarifat e Aeroportit TIA janë më të lartat se të njëjtat tarifa të krahasuara me vendet e rajonit dhe ato nuk janë ulur vitet e fundit, ndonëse numri i pasagjerëve është rritur ndjeshëm, për të arritur në rreth 1.7 milionë pasagjerë në 2013-n, nga 780 mijë në vitin 2005.
Autoriteti i Konkurrencës ka hartuar së fundmi një material për monitorimin e tregut të transportit ajror të pasagjerëve, me rekomandimet përkatëse, që i është drejtuar së fundmi operatorëve shtetërorë të organizuar (OSHA), konkretisht Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë. Lajmi është bërë i ditur për “Monitor.al” nga burime pranë Ministrisë së Transporteve.
Autoriteti i ka rekomanduar OSHA, që në zbatim të kontratës së koncesionit, në bashkëpunim me shoqërinë koncesionare, të rishikojë pagesat për shërbimet e aeroportit, siç parashikohet çdo tre vjet. Në raport theksohet gjithashtu se tarifat e Aeroportit TIA janë më të lartat se të njëjtat tarifa të krahasuara me vendet e rajonit.
Në mënyrë që të shmangen tarifat abuzivisht të larta, si rezultat i një pozite dominuese, apo çmimet abuzivisht shumë të ulëta, Autoriteti i Konkurrencës ka vlerësuar në materialin tij dërguar Ministrisë së Transporteve, se është e domosdoshme një metodologji e cila sot mungon. Aktualisht Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) aprovon në mënyrë automatike tarifat e kompanive të njoftuara në AAC, por pa pasur një analizë kostoje apo metodologji për vlerësimin e këtyre tarifave.
Si rrjedhojë, duke qenë se TIA ka ekskluzivitetin si i vetmi ofrues i shërbimeve ndërkombëtare të transportit të pasagjerëve, operatorët shtetërorë të organizuar duket të hartojnë një metodologji për vendosjen e tarifave të aeroportit dhe tarifat duhet të jenë të orientuara drejt kostos.
Dominimi
Sipas raportit, TIA është sot i vetmi operator në tregun e shërbimeve aeroportuale, pra ka një pozitë dominuese në këtë treg dhe kompanitë e fluturimeve ajrore nuk kanë mundësi tjetër zgjedhjeje për të përfituar këtë shërbim. Dy aeroportet e tjera në vend, ai i Kukësit dhe i Sarandës, nuk mund të jenë funksionalë për shkak se kontrata koncesionare mes qeverisë dhe TIA-s i ka dhënë kësaj të fundit ekskluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare.
Si rrjedhojë, kompanive ‘low cost’ të njohura për ofrimin e shërbimeve me kosto të ulët nuk ju mundësohet ofrimi i shërbimit aeroportual nga një aeroport dytësor apo me kosto të ulët, shërbim që e synojnë kompanitë ajrore ‘low cost’.
Për tarifat që aplikon aeroporti nuk ka një metodologji apo rregullore të aprovuar nga OSHA. Tregu i shërbimeve aeroportuale është treg ku operon vetëm një operator, dhe si i tillë duhet që rregullatori të ndikojë në rregullimin e tarifave, duke i orientuar ato drejt kostos, me qëllim që të parandalohet abuzimi me pozitën dominuese në këtë treg.
Sipas nenit 11/4 të Kodit të Transportit Ajror, Autoriteti i Aviacionit civil merr të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e tarifave dhe praktikave diskriminuese, çmimeve abuzivisht të larta si rezultat i një pozite dominuese dhe çmimeve abuzivisht shumë të ulëta.
Gjithashtu ekziston rreziku i tarifimit të dyfishtë, pra që të njëjtat shërbime mund të ngarkohen si nga kompanitë ajrore ashtu edhe nga tarifat e aeroportit, të cilat reflektohen në biletat e pasagjerëve, pra vendosja e një metodologjie dhe aprovimi i tarifave në bazë të kësaj metodologjie do ta eliminojnë rrezikun e tarifimit të dyfishtë.
Krahasimi me aeroportet e tjera
Sipas të dhënave nga portali zyrtar i TIA-s, kriteri për përcaktimin e tarifave bazohet në ulje-ngritjet e avionëve, përpunimit në tokë, parkimit 24 orë, ndriçimi dhe pesha e avionëve. Të njëjtat kritere përdoren dhe nga aeroportet e tjera në vendet e rajonit. Por, raporti vëren se Shqipëria rezulton me tarifat e shërbimeve më të larta. Nga ana tjetër, vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë nga një aeroport. Bosnjë-Hercegovina ka tre aeroporte, Kroacia tetë aeroporte, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë nga dy.
Marrëveshja koncesionare dhe rishikimi i tarifave
Në pikën 19, “Pagesat për shërbimet e aeroportit dhe vlerësimi ekonomik i pavarur”, nënpika 19.2, germa a, të kontratës së koncesionit, thuhet se “Organi i autorizuar shtetëror dhe shoqëria do të rishikojnë pagesat për shërbimet e aeroportit çdo tre vjet”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.