Një rreze e vogël shprese lulëzoi për bizneset e tregtisë elektronike mes errësirës së pasojave të pandemisë COVID-19. Por a po vijon të jetë i qëndrueshëm bumi që pati sektori në fillim të pandemisë dhe cilat janë problematikat që po hasin sipërmarrjet?
Nga Deada Hyka
Trendi në rritje i viteve të fundit për përdorimin e lartë të pajisjeve teknologjike i ka nxitur shqiptarët të jenë përdorues të dyqaneve online. Me përdorimin gjithnjë e më të madh të internetit po rritet njëherësh edhe shfrytëzimi i mundësive që ai ofron.
Gjithnjë e më shumë, shqiptarët nuk po e përdorin atë vetëm për të lexuar një lajm apo për të komunikuar, por edhe për të bërë blerje produktesh apo shërbimesh të ndryshme. Disa kompani të mëdha ofrojnë shërbimet e tyre edhe në internet, duke u ofruar klientëve kursim kohe, sikurse theksojnë edhe ata.
Rritja e tregtisë dixhitale përfaqëson ndryshim të përhershëm në mënyrën se si njerëzit blejnë.
Tregtia online është e gjerë, pasi përfshin shumë industri dhe tregje të ndryshme, ndaj dhe bizneset theksojnë se nuk ka më vend të flasim se cilat janë produktet apo kategoritë e preferuara, por se çfarë mund të bëhet për t’u strukturuar industria, potenciali i së cilës është shumë i lartë.
Nismat e para janë ndërmarrë, siç ishte krijimi i Shoqatës së Tregtisë Online në vend, e cila po nis funksionimin me mbi 110 biznese të fushës, për të ofruar besueshmëri dhe të qenët një zë i unifikuar për të zgjidhur problematikat dhe sfidat.
Informaliteti vijon
Valer Pinderi, themelues i “NetTrade Albania”, i cili zotëron platformën “Aladini.al”, shprehet se informaliteti në atë që mund të konsiderohet si pjesërisht e-commerce ka ekzistuar edhe më parë, por në pandemi u shumëfishua.
“Në Shqipëri, në total, parimisht duhet të ketë 85 milionë euro nga tregu i shitjeve online në vitin 2020. Nga këto, janë 3 mijë biznese që operojnë çdo muaj. Të dhënat i kam nga postat private, për të krijuar një ide. Nuk i marrim dot nga bankat apo kartat e kreditit, sepse mbi 95% janë “cash on delivery” (paguaj kur merr porosinë).
Shumica e atyre në treg janë individë të cilët nisën dhe u shtuan gjatë pandemisë dhe punojnë në mënyrë informale. Mendoj se informaliteti është mbi shifrat e 60%” – thekson ai.
Dalip Bali, drejtues i “Gjeje Vetë”, shprehet se informaliteti vështirëson funksionimin, duke vënë në kushte të pabarabarta operatorët formalë në treg.
“Kemi konkurrencë të padrejtë, gjithashtu humb konsumatori, sepse nuk mund të marrë garancinë dhe përvojën e shërbimit nga një anonim.
Gjithashtu dëmtohet ekosistemi, sepse bie besueshmëria e klientit, e cila përkthehet në më pak shitje për të gjithë aktorët në treg”, -thotë ai.
Roli i fiskalizimit
Tregu i shitjeve online do të ndryshojë për shkak të Procesit të Fiskalizimit që ka filluar prej datës 1 Janar 2021. Efekti i parë do të jetë formalizimi i tregut, pasi sistemi i ri nuk lejon qarkullimin e mallrave pa faturë. Të gjitha transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe organeve publike do të fiskalizohen.
Për të gjitha transaksionet me para në dorë, printimi i një fature është i detyrueshëm, përveç shërbimeve elektronike, ose kur furnizimi i mallrave ose shërbimeve është kontraktuar dhe ngarkuar me detyrim për t’u paguar nëpërmjet një aplikacioni celular, dyqan në internet, ose të ngjashme.
Në këto raste, fatura nuk ka pse të printohet në letër, por mund t’i dërgohet blerësit, ose marrësit të faturës, me postë elektronike, ose si faturë elektronike.
Në dallim nga tatimpaguesit për shitjet e mallrave dhe shërbimeve, me para në dorë, subjekteve të tregtisë online nuk do t’u duhet printeri, por duhet të instalojnë një program kompjuterik për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, si dhe një certifikatë dixhitale për nënshkrimin elektronik.
Rritet përqindja e ndërmarrjeve që shesin online
Sipas INSTAT, në vitin 2022, 13,8 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve.
Krahasuar me periudhën para pandemike, përqindja e kompanive që shesin online ka pasur rritje të ndjeshme. Në vitin 2019, vetëm 5.8 % e kompanive shitën online.
Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në
fushën e informacionit dhe komunikacionit me 31,6 %, pasuar nga akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit me 29,7 % dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 25,6 %.
Sipas INSTAT, në vitin 2022, 13,8 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve. Krahasuar me periudhën para pandemike, përqindja e kompanive që shesin online ka pasur rritje të ndjeshme. Në vitin 2019, vetëm 5.8 % e kompanive shitën online.
“Informaliteti dhe shërbimi postar ‘rrënon’ bizneset”
Flet Flamur Zenelaj, drejtues i Arteg
“Rendja pas shpejtësisë së dorëzimit të pakove ka ulur ndjeshëm shërbimin cilësor që duhet të kishte shërbimi postar.
Kjo ndikon padyshim negativisht në kurriz të biznesit”, – shprehet Flamur Zenelaj, drejtues i “Arteg”.
Ai shton se informaliteti është i dukshëm në sektor, si dhe mashtrimi me çmimet online…
Si ka qenë ecuria e tregtisë online vitet e fundit në Shqipëri?
Tregtia online i ka pasur fillimet e veta shumë vonë në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera rreth nesh apo pak më tutje në Europë.
Gjithsesi, ky segment tregu mori një hov të madh në vitet e pandemisë, për shkak edhe të nevojës emergjente për të zëvendësuar shitjet fizike, të cilat u bënë të pamundura, si pasojë e rregullave strikte dhe kufizimeve.
Gjatë muajve të parë të pandemisë, kujtojmë këtu periudhën mars-maj 2020, shumë biznese i dhanë një zgjidhje ad-hoc biznesit nëpërmjet shitjeve online në platforma të ndryshme sociale, kryesisht ato të Meta, duke i dhënë biznesit një ndryshim të papritur dhe të paplanifikuar.
Natyrisht, bizneset që kishin pilotuar suksesshëm në këtë sektor ishin në pararojë dhe u shndërruan në modele biznesi dhe forma shitjesh për t’u ndjekur. Ata ishin përshtatur me sektorin më herët sesa nevoja për t’u përshtatur.
Pas valës së parë të pandemisë online, me hapjen e dyqaneve fizike, filloi të ulet edhe epidemia e shitjeve online për shkak se sërish mjaft biznese, në shumicën e tyre dërrmuese ju rikthyen me dëshirë dhe fokus maksimal te shitja në dyqane.
Në këtë mënyrë, shitjet online pësuan rënie të vazhdueshme, derisa tregu fitoi stabilitetin e vet dhe një nevojë e re u shfaq sërish në vëmendjen e mjaft sipërmarrësve, ku pyetja kryesore ishte – si të rrisim shitjet?
U pa qartë se ky sektor paraqiste mjaft potencial duke i joshur shumë kompani të investonin në këtë drejtim për ta diversifikuar sektorin e shitjeve brenda biznesit të tyre.
Kjo në shumë raste ka dhënë sukses, por në masën më të madhe ka qenë dhe vijon të mbetet një çështje, e cila krijon shqetësim dhe problematika të vazhdueshme për secilin biznes.
Cilat janë problematikat më të mëdha të sektorit dhe çfarë mund të bëhet për t’i përmirësuar
Sektori has ende problematika, për shkak se kompanitë nuk kanë përshtatur praktika të mirëfillta për t’i zhvilluar ekipet e shitjeve online si departamente kyçe në një kompani, duke u ngarkuar detyra të ndryshme punonjësve më të kualifikuar ekzistues.
Është e pamundur që të mendohet se një kompani mund të marrë modelin e shitjeve fizike dhe të përpiqet ta virtualizojë, pasi ka një sërë ndryshimesh midis tyre.
Njohuritë e pakta në fushën e shitjeve online, mungesa mbi informacionin teknologjik, volumi i lartë i informalitetit, stafet e patrajnuara janë vetëm njëra anë e medaljes së problematikave të këtij sektori.
Klientët, të pamësuar me krijimin e llogarive në faqe webi kompanish, kulturën dominuese të pagesave cash, shërbimet informate të transportit përbëjnë anën tjetër të medaljes me problematika, të cilat mjaft biznese nuk i shohin qartë. Por si mund të vazhdohet përpara duke i trajtuar këto çështje për t’i dhënë zgjidhje dhe për t’ju përafruar modeleve europiane të këtij sektori.
Është e nevojshme që kompanitë të investojnë, së pari duke përmirësuar faqet e webit, për të lehtësuar lundrimin dhe kryerjen e blerjeve nga klientët nëpër këto faqe. Duhet kuptuar qartë se nëse një çast Meta ndal së funksionuari, normalisht dyqani mbyllet.
Të kesh një faqe web e-commerce do të thotë të jesh me një dyqan virtual në çdo kohë i disponueshëm ndaj klientëve, të cilët janë në kërkim të produkteve apo shërbimeve të tua.
Ky është edhe hapi i parë ku bizneset duhet të fokusohen në investimet apo vendimet e tyre. Pasi kjo mënyrë të përqafohet nga një numër i madh biznesesh, do të vijë edhe momenti kur presioni i grupeve të interesit do të luftojë informalitetin e lartë, e cila mbetet një “hall më vete” për ketë sektor.
Edhe nëse shteti bën sehir, duke mos ndërhyrë fare, ose në mënyrë të vobektë, duhet që bizneset të ushtrojnë presion mbi organet ligjzbatuese për të rrënuar sa më shumë ketë fenomen që po e dëmton dukshëm sektorin, që në embrionin e tij.
Sa shqetësues është informaliteti dhe në çfarë pozite ju vendos ju si biznes?
Mashtrimi me çmimet mbetet një fakt shqetësues, pasi një numër i madh llogarish të shitjeve online nuk kanë çmime të deklaruara në dyqane fizike, duke vendosur në fuqi rregullin e kungulleshkave e kisha aq dhe e bëra kaq.
Shteti shfaqet sërish mjaft i dobët për të kontrolluar apo për të stabilizuar edhe këtë aspekt të funksionimit të shitjeve online, pasi ka dështuar shpesh edhe në kontrollin e çmimeve në dyqanet fizike më parë.
Për të luftuar këtë fenomen është nevojë urgjente unifikimi i çmimeve prej bizneseve serioze, duke paraqitur të njëjtin çmim shitje për produktet, mallrat apo shërbimet, si për ato që kryhen në dyqane, apo njësi fizike, po ashtu edhe nëpër faqet e tyre online.
Një çmim dhe dy filozofi shitje duhet të jetë objektivi i çdo biznesi për të rritur fuqinë e vet të shitjeve fizike, apo online.
Të ecësh ngadalë, duke u ngjitur, është shumë herë më mirë se të vraposh për t’u rrezuar ndaj kompanitë duhet të ndërmarrin hapa konkretë, të panxituara, por me përmbajtje të qartë, duke shpalosur vizionin e tyre se nga cili pozicion po e nisin dhe ku duan të mbërrijnë në këtë sektor, i cili mbetet me siguri e ardhmja për secilin prej tyre.
Një mangësi tjetër është edhe marrëdhënia me shërbimin postar, duke i besuar mundin, lodhjen, investimin dhe portofolin e klientëve disa djemve të shkathët me motor, që kanë krijuar shërbim postar të panjohur më parë, shpesh edhe pa seli apo magazinë të mirëfilltë për të finalizuar dorëzimin e një shitje të suksesshme.
Përpara se të nisësh një pako, duhet kuptuar qartë se klienti, nga ana tjetër, po dallon se ai djali i shkathët me motor të përfaqëson kompaninë tënde. Ndaj, a je i sigurt se ai po të përfaqëson si duhet, apo po të shndërron fytyrën e biznesit.
Rendja pas shpejtësisë së dorëzimit të pakove ka ulur ndjeshëm shërbimin cilësor që duhet të kishte shërbimi postar. Kjo ndikon padyshim negativisht në kurriz të biznesit.
Shpesh, bizneset marrin përsipër të shpërndajnë vetë porositë e tyre, duke e përfshirë veten në një spirale lodhje dhe problemesh më të shumta se ato që përmendëm më lart.
“Shqiptarët përqafojnë nismat e reja, tregu do të rritet”
Flet Shpëtim Dervishi, menaxher ekzekutiv i Movida.al
Informaliteti në këtë sektor ka arritur masivitetin, ku çdokush, nëpërmjet një faqeje Instagram-i, mund të blejë dhe të shesë pa pasur një biznes të regjistruar, një përfaqësi apo përgjegjësi ndaj klientit.
Sipas Shpëtim Dervishit, drejtues i “Movida.al”, kjo situatë duhet ndryshuar…
Si ka qenë ecuria e tregtisë online vitet e fundit në Shqipëri?
Tregtia elektronike në Shqipëri zinte hapësirë modeste dhe me fillimet e pandemisë iu dha një shtysë e veçantë, por kjo vetëm në dukje, sepse konsumi ishte momental dhe i paparashikueshëm në kategori produktesh!
Aktualisht ka një trend në ulje të kërkesës nga ana e klientëve dhe shtim të “subjekteve”, i vendos në thonjëza, sepse është rritur informaliteti në këtë sektor, por në të njëjtën kohë po përballemi me rritje të çmimeve nga fabrikat prodhuese dhe çmimit të transportit drejt vendit tonë, që mund ta konsiderojmë si ndikimin negativ të pandemisë!
A ka ndryshuar mendësia e konsumatorit shqiptar për t’u drejtuar shitjeve online dhe çfarë ndikimi pati vijimi i pandemisë në këtë drejtim?
Kryesisht, klientela shqiptare në këndvështrimin tim mund të konsiderohet si klientela më eksploruese dhe më guximtare në blerje. Në lidhje me pandeminë patëm luhatje të theksuara dhe të paparashikueshme, por po shkon drejt normalizimit!
Cilat janë produktet/kategoritë më të kërkuara, sipas resurseve që keni?
Kemi një popullsi që përqafon shumë shpejt nismat e reja! Pas vitesh pune jam i bindur që klienti dëshiron çdo lloj kategorie dhe produkti online, mjafton që të kenë garancinë për të dhe t’i bëhen të ditura kushtet e ndërrimit apo rimbursimit, në rast pakënaqësie!
Fokusi është kryesisht në Fashion dhe Consumer Electronics, sepse pakot kanë volume më të vogla dhe janë më të demonstrueshme, por nuk do përjashtoja dhe elektroshtëpiakët, pavarësisht se gama e këtyre produkteve është disi më delikate, kërkesat janë në përditshmëri!
Cilët janë problematikat më të mëdha të sektorit dhe çfarë mund të bëhet për t’i përmirësuar?
Çdo ditë, në këtë sektor, është sfidë, dhe më pëlqen që në pyetje janë përmendur sfidat kryesore.
Informaliteti në këtë sektor ka arritur masivitetin, ku çdokush nëpërmjet një faqeje Instagram-i mund të blejë dhe të shesë pa pasur një biznes të regjistruar, një përfaqësi, apo përgjegjësi ndaj klientit.
Këtë do ta lidh dhe me rritjen e mosbesimit, sepse një pjesë e madhe nuk e konsiderojnë si një biznes afatgjatë, por e shohin si diçka momentale. Mund të ndodhë që klientit t’i dërgohet produkti tjetër për tjetër, apo të mos zbatohen kushtet e ndërrimit apo rimbursimit të produktit!
Kultura e dobët financiare vjen si pasojë e të ardhurave të ulëta të masës së popullsisë, por edhe komisioneve të larta të shërbimeve bankare, apo dhe sistemeve të dobëta të tyre për pagesat elektronike!
Në kushtet e sotme, ne funksionojmë ende me pagesa Cash on Delivery, që në mënyrë të drejtpërdrejtë për biznesin do të thotë më shumë sfida dhe rritje kostoje.
Nisma të shumta janë marrë nga aktorë të fushës, por deri më tani po qëndrojmë me të njëjtat problematika çdo ditë, dhe kjo vjen si pasojë sepse çdo nismë që merret, ngrihet mbi interesa vetjake të secilit biznes dhe asnjëherë nuk ka unifikim dhe qëndrueshmëri në pikat e përbashkëta që kanë!
Çfarë stimujsh mund të përdoren për të nxitur më shumë e-commerce në vend dhe platforma si e juaja?
Në vendin tonë, prej gati dy vitesh, flitet për ligjin e tregtisë online, por ende edhe sot nuk kemi parë një draft paraprak të këtij ligji që t’i prezantohet të paktën bizneseve të regjistruara në këtë sektor.
-Hartimi dhe hyrja në fuqi e një legjislacioni të veçantë për e-commerce!
-Përmirësimi i shërbimit postar shtetëror dhe shtimi i shërbimit për e-commerce!
-Politika mbështetëse, bazuar në legjislacionet botërore e-commerce për të nxitur konkurrencën e drejtë!
-Nxitja dhe mbështetja për të konkurruar jashtë kufijve të Shqipërisë duke përmirësuar infrastrukturën e eksporteve!
-Unifikimi i tarifave postare nëpërmjet operatorëve ofrues të shërbimit!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.