EDITORIAL MONITOR PRINT/ Durrësi nuk do të jetë më i njëjti, as sot as pas 10 vitesh. Përveç mësimit nga gabimet e të kaluarës, qyteti i bukur bregdetar, që u bë pre e një zhvillimi kaotik në tre dekadat e fundit, ka nevojë të shpëtohet, nga të gjitha drejtimet!
Në pamje të pare, qytetit më të madh bregdetar, që pësoi një goditje të rëndë nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, duket sikur i është rikthyer gjallëria. Trafiku është i rënduar, lokalet janë hapur në pjesën më të madhe dhe për më tepër janë të mbushura, njerëzit në rrugë nxitojnë të mbarojnë punët e tyre. E vetmja gjë që të kujton tërmetin janë pallatet e krisura, që i has rëndom në shumë lagje dhe që janë kryesisht të reja e të larta.
Por, përmasat e vërteta të asaj që ka ndodhur fillojnë të duken sapo perëndon dielli. Rrugët boshatisen me shpejtësi dhe në orën 7 pasdite, Durrësi, dikur plot gjallëri, i ngjan një qyteti fantazëm. Njerëzit e trembur ende kanë frikë të flenë në shtëpitë e tyre, shumë janë të shqetësuar për fatin e banesave, teksa në amullinë e krijuar, nuk arrijnë të kuptojnë nëse dhe kur do të rindërtohen dhe shumë po e gjejnë zgjidhjen tek të afërmit e tyre jashtë vendit. Burime nga Dhoma e Tregtisë Durrës thonë se është rritur në mënyrë të frikshme kërkesa për marrjen e pasaportave, duke arritur në 500-600 në ditë, nga pak dhjetëra në ditë të zakonshme.
Ndërsa rindërtimi pritet t’u kthejë besimin njerëzve dhe frika psikologjike do të shuhet dalëgadalë, një plagë më e madhe rrezikon të mbetet e hapur për shumë kohë. E kemi fjalën për biznesin dhe sidomos turizmin. Durrësi është ekonomia e tretë më e madhe në vend dhe kontributon në 10% të prodhimit të brendshëm kombëtar, po aq për numrin e ndërmarrjeve, ndërsa ka rreth 8% të të punësuarve në vend. Së bashku me Tiranën, kanë qenë të vetmet që kanë parë rritje të popullsisë, për shkak të migrimit të brendshëm, që i ka favorizuar.
Shumë biznese janë goditur direkt dhe janë detyruar të ndërpresin aktivitetin për shkak të godinave me probleme, ndërsa pothuajse të gjitha janë ndikuar indirekt. Konsumi është ulur ndjeshëm dhe kjo është një goditje e rëndë për 85% të subjekteve që janë të vogla dhe kanë më pak se 4 punonjës, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Qyteti bregdetar është dhe zemra e industrisë prodhuese. 10% e ndërmarrjeve i përkasin pikërisht kësaj kategorie, nga 6% që është mesatarja kombëtare. Sipërmarrjet e tekstileve dhe këpucëve janë ndër punëdhënësit më të mëdhenj edhe për shkak të afërsisë gjeografike me Italinë. Edhe ato, që mund të kenë shpëtuar me dëme të lehta, po vuajnë ikjen e fuqisë punëtore, dukuri që në fakt tërmeti sa e përforcoi.
Por goditjen më të rëndë dhe afatgjatë pritet ta ketë turizmi, një sektor që po zhvillohej dukshëm, pas interesit të shtuar të turistëve të huaj vitet e fundit. Kjo nxiti investime të mëdha në shtimin e kapaciteteve hoteliere sidomos në bregdetin e Golemit, duke futur një model të ri dhe të qëndrueshëm zhvillimi. Të dhënat e para nga operatorët, për fat të mirë, nuk tregojnë për rezervime të anulluara nga agjencitë e mëdha turistike të huaja për verën e ardhshme, një lehtësim shumë i madh ky. Megjithatë sektori pritet të vuajë për shumë kohë pasojat psikologjike dhe të akomodimit, sidomos për turistët e Kosovës, që përbëjnë më shumë se një të tretën e hyrjeve në vend.
Në shekuj Durrësi ia ka dalë të ringrihet dhe nuk ka asnjë dyshim që do të arrijë ta bëjë sërish. Por një trup i sëmurë sado që arrin të vetë rekuperohet, kërkon kohë të shërohet nëse nuk arrin të marrë mjekimin e nevojshëm. Dhoma e Tregtisë së Durrësit ka dhënë recetën e saj (bazuar dhe në përvojat ndërkombëtare) që do të ndihmonte një rekuperim më të shpejtë, si pezullim të përkohshëm të taksave, rimbursim të shpejtë të TVSH-së (këtu s’po kërkojnë asnjë favor se në fakt u takon), lehtësi për pagesat e kësteve të kredive etj. Operatorët turistikë nga ana e tyre kanë kërkuar subvencionim gjatë vitit që vjen apo edhe viteve më pas për Tour-Operatorëve të Huaj, me qëllim që të mbajnë apo të rrisin numrin e turistëve që sjellin drejt rajonit të Durrës – Golem.
Durrësi nuk do të jetë më i njëjti, as sot as pas 10 vitesh. Përveç mësimit nga gabimet e të kaluarës, qyteti i bukur bregdetar, që u bë pre e një zhvillimi kaotik në tre dekadat e fundit, ka nevojë të shpëtohet, nga të gjitha drejtimet!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.