Në raportin përpara vitit 2008, Banka Botërore vërente se varfëria te shqiptarët ishte zbutur nga rritja e të ardhurave individuale, por paratë e shtuara të këtyre shqiptarëve të varfër, ndonëse pak, nuk ishin përdorur për nevojat bazë, ushqim apo veshje, doemos as për kursim. Por për arsim…
Rezultati mund të ishte befasues për të huajt e këtij raporti, jo për ne, sepse historia e shqiptarëve (pavarësisht shkaqeve të ndryshme në kohë të ndryshme) ka treguar se nevoja për arsim nuk është penguar nga varfëria, por cilësia e dobët dhe pamundësia për t’u arsimuar na kanë shtyrë në varfëri. Një dëshmi e fortë e kësaj marrëdhënie pezmatuese është fakti se mbi 50% e fëmijëve nuk shkojnë në fillore se nuk duan, jo se i pengojnë kushtet.
Edhe sot, pas shumë vitesh demokraci, Shqipëria ende nuk e ka zgjidhur këtë problem madhor të saj, sepse megjithëse 32,1% e popullatës është e varfër, kryefamiljarë vetëm me fillore janë dyfishi i kësaj shifre. Mbi 44% e popullatës është me arsim fillor dhe vetëm 15.6% me arsim të mesëm. Këta tregues dëshmojnë për një nevojë të madhe të shqiptarëve për arsimim, por që ka mbetur e paplotësuar nga qeveritë, aq sa profili i shqiptarit mbi 21-vjeçar sot në raportet ndërkombëtare përshkruhet mesatarisht me vetëm 8.5 vjet shkollim!!!
Treguesit e përmendur janë fakte se politikisht qeveritë e kanë drejtuar arsimin keq. Këtë paaftësi intelektuale, qeveritë nuk kanë mundur ta kompensojnë as financiarisht. Që prej vitit 1995, mbështetja buxhetore për arsimin nuk e ka kaluar kurrë vlerën e 4% të PPB-së. Madje ky tregues në vitin 2015 ishte vetëm 2.8% e PBB-së, ose rezultati i tretë më i keq i 20 viteve të fundit.
Në luftën e saj ndaj varfërisë, OKB udhëzon qeveritë që të investojnë për popujt e tyre në arsim, sepse rezultatet arsimore janë edhe tregues i mirëqenies. Por megjithëse tabloja është dramatike, fatkeqësisht debati për këtë çështje është fokusuar, më i nxehtë dhe i dukshëm në publik, vetëm me një kënd të ngushtë vështrimi, kur është sezoni i pranimeve për shkollat e larta.
Shqipëria e viteve të demokracisë asnjëherë nuk ka mundur ta mbyllë sherrnajën e pranimeve në universitete. Këtë herë u vendosën kritere aq të çuditshme, se një nxënës me mesatare mbi 9.7 nuk kishte mundësi të zgjidhte degën që preferonte. A ka mundësi që edhe një student i shkollës më të mirë në botë të mos kualifikohet për studime të larta në Shqipëri, aty ku dëshiron? Afërmendsh, jo se është sistemi universitar në Shqipëri më i miri në botë, por se është sistem i keq që e kërkon zgjidhjen me formula selektimi dhe jo pranimi, mbi kufizimin dhe jo mundësimin; mbi përjashtimin, por jo përfshirjen, është një sistem që sot përjashton, por nuk jep akses. Është një sistem që nuk përmirëson lëndën e parë, por mundohet të zgjedhë të keqen më të vogël kundrejt së keqes më të madhe. Investimi individual për shkollat e larta mendohet nga familjet se ka një kthim të mirë në mirëqeverisjen, kur i diplomuari del në punë krahasuar me një tjetër me nivel më të ulët. Mirëpo shkollimi nuk është arsimim, se numri i lartë i njerëzve me shkollë të lartë nuk do të thotë medoemos një popull i arsimuar. Debati për shkollat e larta, megjithëse ia vlen, do të mbetet sezonal, i paaftë për të tërhequr vëmendjen e publikut, jo vetëm sepse statistikisht përfaqëson 8% të familjeve (aq sa janë sot popullsia me arsim të lartë) por edhe sepse pjesa tjetër
nuk e kupton dhe as nuk e ndien këtë problem e as ka aspiratë, sepse është e keqarsimuar. Në 2013-n, në vend kishte mbi 15% të 15-vjeçarëve analfabetë funksionalë, që janë fëmijë që mund të lexojnë, por nuk kuptojnë se çfarë kanë lexuar. A mos vallë edhe ne kemi qeveri të tipit analfabetë funksionalë, që nuk kupton ato që dëgjon dhe lexon?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Shume shkrim i thelluar dhe eshte me vend konkluzioni i arritur eshte “kemi qeveri te tipit analfabete funksionale”. Disa nga deputetet e diplomuar nuk e dine se si e ka emrin universiteti ku kane studiuar?!