Segmenti i qiradhënies në tregun e pasurive të paluajtshme ka hyrë në fazë stanjacioni. Operatorët e tregut pohojnë se nuk ka rritje apo ulje të çmimeve në raport me një vit më parë dhe as lëvizje dinamike, për të ndryshuar ambientet e aktivitetit, pasi pandemia ka sjellë pasiguri e për rrjedhojë, të gjithë janë në pritje.
Pas heqjes së kufizimeve dhe mbylljes së verës, shumica janë rikthyer në zyrat që kanë, duke gjetur forma alternative për të ruajtur sigurinë e punonjësve, nga puna në shtëpi tek ajo me turne, kur është e mundur. Hapësirat e reja të biznesit që priten të hyjnë në treg në 12 muajt e ardhshëm do t’i japin një tjetër dinamikë tregut, teksa vihet re trendi i lindjes së hapësirave fleksibël.
Nga Nertila Maho
Efektet e pandemisë në tregje po shfaqen gradualisht, ku më dhimbshëm e ku më lehtë. Në atë të pasurive të paluajtshme e specifikisht në segmentin e qiradhënies së zyrave, ujërat nuk kanë lëvizur shumë, duke lënë situatën pezull, si në aspektin e çmimeve, ashtu edhe të hapësirave të lira të disponueshme.
Agjentët e tregut pohojnë se janë vënë re disa tendenca, duke nisur nga kategoria e bizneseve më të prekura nga kriza të cilat janë detyruar të lënë ambientet, tek grupi i atyre që kanë parë mundësinë e zgjerimit apo gjetjes së formave alternative të punës, duke mos hequr dorë nga ambienti që zotërojnë. Dinamika e vërtetë pritet të shfaqet sapo të përfundojnë njësitë e reja të biznesit në fazë ndërtimi, diçka që në rastin më të mirë do të jetë në harkun e një viti.
Bizneset e vogla e ndiejnë më shumë krizën, të mëdhenjtë po përshtaten
Nuk është shumë vështirë të kuptosh se bizneset e vogla morën goditjen e parë të krizës. Këtë konstatim mund ta bësh nga numri i madh i tabelave “jepet me qira”, që i has rëndom në njësi ku dikur mund të ushtronin aktivitet biznese të vogla veshjesh, ushqimore, parukeri, agjenci, bare. Kompanitë më të mëdha në tregun imobilar pohojnë këtë panoramë.
“Ambientet e vetme tregtare, që janë liruar në këtë periudhë, janë ambientet e vogla komerciale, ku kryesisht zhvillohej aktivitet i kategorizuar si ‘biznese të vogla’ apo ‘persona fizikë’. Nuk kemi vënë re asnjë rast të një hapësire të liruar, e cila ka qenë në dispozicion të një korporate, apo me staf të madh që ka vendosur ta mbyllë biznesin apo të lirojë ambientin” – thotë Jonian Antoni, administrator i CENTURY 21 Albania.
Nga ana tjetër, edhe Genc Zike, Menaxher i Përgjithshëm i DevInf, thekson se kompanitë kanë gjetur mënyra alternative për të kaluar këtë fazë paqartësie e të mos marrin vendime të nxituara.
“Kompanitë janë përshtatur me kushtet e reja të punës nën masat COVID, duke rritur distancat ndërmjet punonjësve apo duke alternuar oraret e punës në zyrë apo punën me turne. Kjo edhe për shkak se në treg, gjatë kësaj periudhe, nuk ka pasur hyrje të reja të ambienteve për zyra, gjë e cila mund të shtonte ofertën në treg” nënvizon ai. Sipas tij, të vetmet që mund të kenë pasur nevojë dhe presion për hapësira të reja janë “call center”.
Edhe Stela Dhami, Drejtore e Colliers International Albania, thotë se më aktivë në tregun tonë mbeten korporatat dhe kryesisht ato të sektorit të BPO-ve (Business Process Outsourcing), pra të ofrimit të shërbimeve të ndryshme, nga ato të komunikimit-call center, deri tek ato të cilat kryejnë shërbime për jashtë).
“Këta qiramarrës janë të rëndësishëm për godinat sepse kërkojnë hapësira të mëdha dhe gjithashtu punonjësit e tyre kërkojnë shërbime të tjera komplementare, të cilat mund të jenë një burim tjetër të ardhurash për qiradhënësit” – shprehet Dhami. Në total, biznesi i madh mbetet në pritje për të parë drejtimin që do të marrë situata e pandemisë duke mbajtur të njëjtat hapësira.
Çmimet njëlloj, priten të hyjnë në treg ambiente të reja biznesi
Segmenti i qiradhënies së zyrave vijon të mbetet me të njëjtat çmime si para pandemisë, edhe tani gjatë saj. Sipas operatorëve të tregut, kjo lidhet ndoshta edhe me mentalitetin e qiradhënësve shqiptarë që në përgjithësi nuk zgjedhin të negociojnë ulje kur bie fjala te pasuritë e paluajtshme. Ndërkohë që në kontekstin e pandemisë nuk ka pasur as rritje.
“Deri tani nuk është vënë re rritje e çmimeve, vetëm ka një stanjacion të tyre, pasi në treg nuk ka pasur hapësira bosh të padhëna me qira” pohon Genc Zike nga DevInf. Edhe Jonian Antoni shprehet se, nga të gjitha kontratat e qiradhënies të zhvilluara në këtë periudhë nuk është vënë re asnjë ndryshim krahasuar me një vit më parë.
Genc Zike, Menaxher i Përgjithshëm, DevInf
“Bizneset po mbajnë të njëjtat ambiente, por duke alternuar punën”
Pasiguria që ka shkaktuar situata e COVID-19 ka bërë që bizneset të mos hedhin hapa të nxituar në shkurtimin e kostove edhe kur bëhet fjalë për zyrat. Kjo ka bërë që të ketë pak zhvillime në tregun e qiradhënies e për rrjedhojë, edhe çmimet të mbeten njëlloj.
Genc Zike, Menaxher i Përgjithshëm i DevInf, shprehet se bizneset kanë zgjedhur të alternojnë punën nga shtëpia, të aplikojnë punën me turne kur kjo është e mundur apo të gjejnë zgjidhje të tjera alternative, për të zbatuar protokollet e sigurisë, duke mbajtur të njëjtat ambiente për aktivitetin.
Kanë kaluar më shumë se shtatë muaj që kur u shfaqën rastet e para të COVID-19 në vend, gjë që solli ndryshime në një sërë sektorësh, përfshirë edhe dhënien me qira të zyrave. Ku jemi sot sa i takon këtij segmenti të tregut të pasurive të paluajtshme?
Momentalisht nuk ndihet të ketë sasi të shtuar të ambienteve për zyra, pasi me sa kuptohet, nuk ka pasur lëvizje të shtuar jashtë normales të kompanive nga zyrat e tyre. Kompanitë janë përshtatur me kushtet e reja të punës nën masat COVID-19, duke rritur distancat ndërmjet punonjësve apo duke alternuar oraret e punës së zyrë, apo punën me turne. Kjo edhe për shkak se në treg, gjatë kësaj periudhe, nuk ka pasur hyrje të reja të ambienteve për zyra, gjë e cila mund të krijonte ofertë të shtuar në treg.
Si ka qenë dinamika në hapësirat e lira për zyra që mund të kenë dalë në treg, si pasojë e bizneseve të mbyllura nga kriza?
Siç parashtrova më sipër, nuk ka pasur oferta jashtë së zakonshmes në treg të zyrave, me përjashtim të disa rasteve specifike, të cilat janë liruar për shkak të çmimeve nga më të lartat në treg.
Po ecuria e bizneseve që janë zhvendosur për hir të çmimeve më ekonomike ose hapësirave më të mëdha, që ju janë dashur për të respektuar protokollet?
Kemi pasur raste kur kompani call center janë zgjeruar, për shkak të protokolleve të COVID-19, por në raste jo shumë të shpeshta, pasi shumica kanë zgjedhur të rishikojnë politikat e punës, duke praktikuar punën nga shtëpia, apo duke reduktuar numrin e punonjësve në mënyrë që të përshtaten me protokollet e sigurisë.
Si shfaqet ecuria e çmimeve në tregun e qiradhënës së zyrave, ka pasur ulje të tyre, stanjacion apo rritje?
Deri tani nuk është vënë re rritje e çmimeve, vetëm ka një stanjacion të tyre, pasi në treg nuk ka pasur hapësira bosh të padhëna me qira.
A ka vazhduar tendenca drejt zyrave në godina Mix-Use apo ka ndonjë tendencë për godina biznesi, edhe pse numri i tyre mbetet i kufizuar?
Më të preferuarat për momentin janë godinat Mix-Use, pasi kanë dhe çmimin më të ulët dhe më të pranueshëm në këtë periudhë të vështirë.
Sektori i ndërtimit është i vetmi që ka qenë aktiv me vijimin e investimeve pavarësisht krizës COVID-19, a prisni në afatshkurtër apo afatmesëm rritjen e njësive të lira të disponueshme për përdorim nga bizneset?
Pritet që në treg së shpejti, pra në periudhë maksimumi 12-18-mujore, do të hyjnë në treg shumë ambiente të reja biznesi, pasi duhet të përfundojnë një numër i madh objektesh të reja, qoftë të dedikuara për biznes apo Mix-Use.
Nëse ndalemi te profili i bizneseve ai i vogël, i mesëm apo korporatat a keni vënë re ndonjë tendencë sa u takon hapësirave që kërkojnë për zyra? Cili ka qenë më aktiv në zhvendosje?
Vëmë re se shoqëritë/kompanitë janë në periudhë pritjeje, pasi duket që edhe parashikimi për ardhmen është i vështirë. Me aktiv në kërkesa kanë qenë kompanitë e mesme apo ato të mëdha.
A po funksionon puna nga shtëpia për kompanitë, apo kjo ishte diçka që u zbeh me heqjen e karantinës?
Për momentin kemi vënë re se kompanitë po punojnë nga shtëpitë, por njëkohësisht nuk po i lëshojnë ende zyrat, duke paguar rregullisht qiratë mujore. Kjo pasi edhe spostimi i infrastrukturës/logjistikës është proces i vështirë dhe me kosto.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.