Platformën mobile Tegra 3 të Nvidias synojnë ta përdorin edhe shumë prodhues të automjeteve. Kompania publikoi zyrtarisht se Tegra 3 do ta përdorin në automjetet e tyre Audi, Tesla dhe Lamborghini për sistemet e zbavitjes dhe navigacionin GPS, por edhe për shfaqjen e shpejtësisë dhe të dhënave të tjera, si zëvendësimi i instrumenteve klasike analoge. Nga viti 2013, Audi synon të përdorë Tegra 3 në të gjitha makinat në formën e moduleve VCN (Visual Computing Module) që përbëhet nga vetë procesori, memoria dhe kontrolluesi hyrje-dalje. Modulet VCM në veçanti janë të krijuar për tregun e automobilave dhe implementimin e shpejtë dhe të thjeshtë në vetura. Tesla në modelin e vetë S do të ketë madje dy çipa Tegra 3, njërin për instrumentet dhe një për sistemin multimedial dhe të navigacionit me ekranin 17 inç të ndjeshëm në prekje. Sa i përket Lamborghinit, edhe më parë është e njohur se modeli kryesues i kompanisë Aventador ka çipat e Nvidias për vënien në punë të sistemit multimedial të navigimit, e tani këtë do ta bëjë Tegra 3, katërbërthamësh.
Prezantohet Envy Spectre
HP në CES prezantoi kompjuterin të cilin e paralajmëroi javës së kaluar. Bëhet fjalë për ultrabook-un Envy 14 Spectre. Portativi është i pajisur me ekranin 14 inç brenda shtëpizës me dimensione të rezervuar për portativët 13.3 inç. Ekrani është i mbrojtur me xhamin e qëndrueshëm Gorilla, nga i cili është i mbrojtur edhe kapaku, touchpad-i dhe pushuesi i duarve. Pesha e portativit është 1.72 kg, ndërsa kohëzgjatja e baterisë, nëntë orë. Portativi është i pajisur me sistemin e zërit Beats dhe është kompatibël me teknologjinë e transmetimit të zërit pa tela KleerNet. Tastiera është e ndriçuar dhe falë sensorëve të cilët detektojnë praninë e shfrytëzuesit, ndriçimi i shfaqjes në ekran rregullohet në mënyrë automatike. Portativi zakonisht shitet me procesorin Core i5 nga Intel me takt pune prej 1.6 GHz, 4 GB RAM dhe SSD-në 128 gigabajt. Fillimi i shitjeve në tregun amerikan është data 8 shkurt dhe çmimi i propozuar i shitjes është 1,400 dollarë.
Google TV 3.0, në treg këtë vit
Duket se kompania Google është duke planifikuar të lançojë versionin e saj të ri të platformës së saj Google TV, raporton Bloomberg. Sipas pritjeve të njohësve të teknologjisë dhe mediave të ndryshme, Google do të lançojë versionin e ri të Google TV 3.0 në fund të këtij viti. Mirëpo në raportin e Bloomberg, në të cilin janë cituar edhe zyrtarët e kompanisë Google thuhet se lançimi i Google TV 3.0 do të ndodhë në pjesën e dytë të vitit 2012, edhe pse nuk janë dhënë detaje të veçorive të reja që do të jenë pjesë e kësaj platforme, apo çmimit të mundshëm të cilin përdoruesit e saj duhet ta paguajnë për ta shfrytëzuar atë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.