Teknologji, inovacion dhe … histori frymëzimi në Expocity Albania, çfarë solli Tirana Tech Open 2019
Ngjarjet dedikuar teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve, për fat të keq, janë të rralla në Tiranë, ndonëse interesi i bizneseve, individëve dhe studentëve nuk është aspak i vogël. Javën e kaluar, në Expocity Albania, gjatë tri ditëve (25-27 shtator) u mbajt një nga eventet më të rëndësishme të sektorit, Tirana Tech Open 2019, me dëshirën për t’u shndërruar në një traditë të përvitshme.
Eventi, i organizuar për herë të parë nga Expocity Albania, vinte si një organizim shumëdimensional, ku në të njëjtën kohë bizneset e sektorit prezantonin produktet e tyre më të mira, u zhvilluan forume të ndryshme ku folësit e përzgjedhur nga organizatorët ndanë përvojën e tyre dhe frymëzuan të rinjtë e pranishëm.
Tiranan Tech Open 2019 ofroi mundësi për të gjithë startup-et për të prezantuar atë çka bënin për bizneset apo investitorët e interesuar.
Në event nuk munguan as trajnimet për të rinjtë që ndjekin studimet dhe aspirojnë që të jenë profesionistët e së ardhmes.
Aida Lutaj, CEO e Expocity Albania, theksoi se Tirana Tech Open 2019, së pari synon të krijojë një përvojë të re, në mbështetje të inovacionit dhe zhvillimit në Tiranë.
“Ne u frymëzuam për Tirana Tech Open 2019, pasi vizituam disa ngjarje të teknologjisë ndërkombëtare dhe rajonale, me qëllimin për të sjellë vëmendjen në komunitetin e TIK, për të ndarë praktikat dhe perspektivat më të mira të sektorit, si dhe progresin në këtë komunitet”, u shpreh Lutaj.
Për pjesëmarrjen e një numri të madh të rinjsh, Lutaj tha se besonte në një gjeneratë të re në rritje, që është e talentuar, e aftë dhe ka ide krijuese – por shpesh u mungon drejtimi dhe udhëzimet e duhura për të kaluar nga krijimi i ideve në ekzekutimin e suksesshëm dhe në një shkallë të mëtejshme.
“Ne kemi përgjegjësinë sociale të jemi modele të mira për brezat e rinj për sa i përket mënyrës sesi mund ta çojnë krijimtarinë e tyre në nivelin tjetër. Kjo është arsyeja pse ne përfshijmë startup-et, rininë dhe programet studentore në këtë edicion.
Forum Zona, histori suksesi dhe frymëzim nga më të mirët
Gjatë Tirana Tech Open, organizatorët kishin dedikuar një zonë të veçantë për zhvillimin e forumeve, me një agjendë të pasur me të ftuar nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndanë me pjesëmarrësit historitë e suksesit dhe përvojat e tyre.
Dita e parë iu kushtua edukimit, ku të ftuarit shpalosën qasjet ndaj sistemit. Një ndër të ftuarit special ishte Alan Greenberg, themeluesi i kompanisë “Education and Healthcare Tech” dhe që një pjesë të karrierës së tij e ka ndërtuar në gjigantin e teknologjisë Apple, i cili foli për perspektivat në Edukim.
Ndër mesazhet që ai përcolli gjatë forumit për të rinjtë e pranishëm, ishte që kur të krijonin produkte të reja, të mendonin për një përdorim më të gjerë se sa Shqipëria.
Ndër të ftuarit e tjerë që i dhanë vlerë forumit në ditën e parë ishte edhe Henry Leerentveld, Drejtor Rajonal për Swisscontact, një nga partnerët kryesorë të organizimit të Tirana Tech Open. Në një fjalim të përbashkët me Sidita Dibrën, ata folën për arsimin profesional në Shqipëri, se si të kalohet nga metodat tradicionale të të mësuarit pasiv, në metodat moderne të mësimdhënies interaktive, ku shkolla të mos jetë një mjedis i zymtë, por një vend tërheqës dhe produktiv për të rinjtë.
Ndërkohë nuk munguan as fjalimet motivuese. Një prej tyre ishte fjalimi i Lara Menke, bashkëthemeluese e CAIA, e cila dha mesazhe të forta për udhëheqëset femra dhe startup-et.
TIK, në kontekstin
e Shqipërisë
Transformimi digjital sot përfshin pothuajse çdo gjë që na rrethon, mjetet e komunikimit, shpejtësinë e shkëmbimit të informacionit tek e nga çdo cep i globit, shpikjet e risitë novatore (IOT), blerjet online (e-commerce), pajisjet (AI/ Artificial Intelligence), robotikën në shërbime (mjekësi, shërbime sociale, etj.), IOT të cilat kanë lehtësuar kushtet e jetesës dhe kanë përmirësuar cilësinë e jetës. Në kontekstin e Shqipërisë, gjatë viteve të fundit vihet re rritja e influencës në njohjen dhe zhvillimin e këtyre tendencave globale. Shënohen më shumë kompani që janë regjistruar në këtë sektor, vihen re tregues në rritje të punësimit të specialistëve të fushës, veçanërisht të të rinjve të arsimuar në shkenca kompjuterike, elektronikë e profile të ngjashme.
Gjithashtu ka më shumë programe në mbështetje të kualifikimit, qoftë brenda kompanive apo dhe një agjendë gjithnjë e më në zhvillim të aktiviteteve në nxitje e zhvillim për startup. Përgjithësisht, duhet përmendur që Shqipëria ka shumë për të bërë, për të zhvilluar e për të ofruar për këtë sektor. Ka ende për të mësuar veçanërisht nga përvoja e rajonit të Ballkanit Perëndimor, dhe ajo e BE-së apo më gjerë. Ashtu si ka dhe histori suksesi, qoftë edhe sporadike disa herë – kryesisht nga brezi i ri, që kanë marrë vlerësime shumë inkurajuese dhe të çmuara si përfaqësues shqiptarë në evente apo konkurrime ndërkombëtare.
“Gjithashtu, dua të falenderoj të gjithë partnerët tanë: Swisscontact, Raiffeisen Bank, Paylink, AKSHI / E-albania, 1Up, T- mobile, partnerët mediatikë, Digitalb dhe A2CNN, si dhe të gjithë folësit tanë në forum, që na u bashkuan nga vende të ndryshme të botës”, tha në fund të fjalës së saj, Lutaj.
Albi Greva, Menaxher Projekti i Tirana Tech Open 2019, tha se ky event së pari, mundësoi që pjesëmarrësit të informoheshin dhe të njiheshin me arritjet dhe historitë e suksesit mbarëbotëror në fushën e “Edukimit & Teknologjisë”, “Sipërmarrjes dhe Novatorizmit”, dhe “Investimit për të ardhmen”.
“Të ftuarit special me prezantimet e tyre, si dhe përgjigjet për pyetjet e audiencës (të pranishmëve) i dhanë vlerë e cilësi këtij eventi.
Agjenda ishte planifikuar që do t’i shërbente një game të gjerë audience, përfshirë këtu (gjatë ditës së parë) studentëve, mësuesve e edukatorëve, punonjësve të arsimit, si dhe palëve të interesuara; në ditën e dytë, audiencës së novatorëve, në radhë të skuadrave të bizneseve që kërkojnë të jenë novatorë e që do të duan të ndryshojnë e përmirësohen, startup-et rinore, por dhe të pasionuarit ndaj teknologjisë; ndërsa në ditën e tretë, shoqatave (associations) të bizneseve, Dhomave të Tregtisë e Industrisë, inkubatorëve për investim dhe të tjera institucione”,- u shpreh ai.
Në këtë event u ekspozuan biznese dhe institucione të ndryshme nga korporatat, te bizneset e vogla dhe të mesme, përfaqësuesit qeveritarë, partnerët mbështetës të startup-eve, si dhe donatorë dhe përfaqësues nga rajoni.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.