E-qeverisja mund të jetë jo vetëm më e leverdishme dhe eficiente, por mund të shpëtojë edhe planetin
Dixhitalizimi dhe e-qeverisja mund të duken koncepte abstrakte. Por në një sesion të Global Technology Governance Summit të World Economic Forum, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, dha një shembull se si kalimi te bota dixhitale mund të ketë ndikim në botën reale.
Kursimi i letrës, ujit, energjisë elektrike dhe ruajtja e pemëve
Znj. Brnabić shpjegoi se si dixhitalizimi është bërë një element thelbësor për gjithçka që qeveria e vendit po përpiqet të realizojë. Kjo ka përfshirë zhvendosjen tek e-qeverisja për ta bërë qeverinë “tërësisht të përqendruar te qytetari” – shpjegoi kryeministrja. Përfitimet shtrihen përtej eficiencës dhe më shumë transparence. Që kur shërbimet elektronike nisën të zbatohen më 1 qershor 2017, qeveria ka kursyer më shumë se 180 milionë fletë A4 – deklaroi znj. Brnabić në sesionin e Leading Industry Transformation.
“Kjo do të thotë se kemi kursyer 900 tonë letër, e barabartë me 18 mijë pemë, të cilat u korrespondojnë më shumë se 76 milionë litra ujë dhe më shumë se 6 mijë megavat/orë energji elektrike” – shpjegoi kryeministrja e Serbisë. Dhe kjo është “Serbia e vogël” – shtoi znj. Brnabić. Imagjinoni se çfarë do të ndodhte dhe ndikimin në planet, nëse edhe vende më të mëdha do të ndiqnin shembullin tonë. Fokusi te dixhitalizimi ka ndihmuar vendin të kapërcejë sfidat e pandemisë së koronavirusit – me arsimin, një histori suksesi, ku fëmijët kishin akses në mësimin online. Natyrisht edhe zhvendosja e dokumenteve online sjell shqetësime mjedisore.
Një kërkim para pandemisë shkruan se qendrat e të dhënave vlerësohet se përdorin 200 terravat/orë energji çdo vit – vetëm 1% të kërkesës globale për energji elektrike – por më shumë se konsumi energjetik në disa vende. Përdorimi do të rritet në të ardhmen. Një model parashikon se përdorimi i energjisë elektrike nga Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit mund të kapërcejë 20% të totalit global deri në fund të dekadës.
Kompani si Amazon Web Services dhe Facebook po punojnë për të përmirësuar qëndrueshmërinë e qendrave të tyre të të dhënave, duke përfshirë përdorimin më të madh të energjive të rinovueshme. Me pak fjalë, e-qeverisja mund të jetë jo vetëm më e leverdishme dhe eficiente, por në të njëjtën kohë mund të ndihmojë edhe në shpëtimin e planetit.
Burimi: World Economic Forum