Teknologjia “Smart Home” sipas Huawei
Demonstrimi i shtëpisë inteligjente si zgjatim i shqisave njerëzore
Nëse ka një projekt novator për të cilin teknologjia elitare po angazhohet fuqishëm duke ndërthurur të gjitha format e saj, është projekti i shtëpisë inteligjente. Huawei, kompania lider për prodhimin e pajisjeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, zgjodhi që të prezantojë modelin e saj të shtëpisë inteligjente në një sipërfaqe prej vetëm 550 m2.
Ky ambient përfshin një dhome ndenje, kuzhinë, studio pune, palestër, dhomë argëtimi dhe garazh. Në të gjitha këto ambiente përdoret teknologji wireless përmes pajisjeve të prodhuara nga vetë gjiganti i teknologjisë. Në gamën e pajisjeve që mund të përdoren janë: smartphones, PC, tableta, orë inteligjente, altoparlantë inteligjentë dhe Vision TV po ashtu. Përveç këtyre, projekti përfshin edhe pajisje të integruara me partnerë të tjerë.
Qëllimi i “Smart Home” është t’u ofrojë klientëve një “përvojë të rehatshme, inteligjente dhe gjithëpërfshirëse.” Për më tepër, ky projekti përfaqëson një pjesë integrale të strategjisë së markës, e cila përmban në gamën e saj teknologji të tilla si HiLink, HarmonyOS, dhe më e fundit HiCar. Me fjalë të tjera, kjo është shtëpia inteligjente tipike e epokës së “Internetit të Gjërave.”
Në dhomën e ndenjes vetëm me anë të disa fjalëve mund të zgjohet ndihmësi inteligjent, i cili aktivizon automatikisht “Back Home” duke ndezur kondicionerin, dritat e ngrohta, pastruesin e ajrit dhe mbyllur perdet. Në mënyrë të ngjashme, kuzhina është po ashtu e lidhur me wireless dhe e pajisur me produkte që mbështesin sistemin operativ HarmonyOS. Kushdo mund mund të kontrollojë këto pajisje thjesht duke përdorur smartphone, pas lidhjes me një rrjet të përbashkët në shtëpi. Kur hyn në garazh, dyert e makinës mund të hapen drejtpërdrejt përmes telefonit, të cilat gjithashtu mund të sinkronizohen me aplikacione dhe shërbime të tjera celulare si muzikë dhe navigacion.
Sipas Huawei, shtëpia inteligjente nuk ka të bëjë thjesht me shtimin e më shumë produkteve IoT, përkundrazi, synon mënyrën se si këto pajisje lidhen dhe formojnë një “botë virtuale”. Me fjalë të tjera, kompania synon të ndërtojë një zgjatim të shqisave njerëzore, ndërsa përmirëson mënyrën si ndërveprojnë përdoruesit me këto pajisje duke zhvilluar një “repertor të komandave intuitive të zërit dhe gjestit.”
Për momentin, marka ka më shumë se 800 partnerë në platformën e saj HiLink, e cila mbulon mbi 220 milionë pajisje IoT, dhe synon të sjellë më shumë se 40 marka kryesore për të siguruar 100 milionë produkte të bazuara në HarmonyOS për familjet.
Në Shqipëri, Huawei operon prej vitit 2008 duke sjellë fjalën e fundit të teknologjisë si për bizneset ashtu edhe konsumatorët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.