Telefonia celulare, KLSH: Tregu oligopol, ka rritje të përqendrimit, mes 10 vendeve me tarifat më të larta

20/02/2020 1:40 PM 0 komente

Tregu i telefonisë celulare në vend cilësohet me strukturë oligopoli ndërkohë që vendi ynë është në vendin e 9 mes 37 vendeve për tarifat e larta. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit nënvizon problematikat që shfaqen në këtë treg duke vënë përpara përgjegjësisë në këtë rast Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Sipas KLSH lidhur me  tarifat mesatare në vendet e BE dhe BEREC variojnë nga 0,77 eurocent/min, që është mesatarja e thjeshtë aritmetike në 28 vendet anëtare të BE (EU Avg (S)) deri në 0,88 eurocent/min që është mesatarja e thjeshtë aritmetike e 37 vendeve të BEREC (Average S). “Tarifa e terminimit në Shqipëri është 0,98 eurocent/min, më e lartë se mesatarja e thjeshtë në vendet e BE dhe se tre mesataret e tjera të përllogarituar nga BEREC. Shqipëria është vendi i 9-të me tarifat më të larta nga 37 vendet e BEREC” vlerëson KLSH.

Tek konstatimet raporti vlerëson se “tregu i telefonisë celulare ka përqendrim të lartë, duke reflektuar një strukture oligopoli dhe kjo për shkak të rritjes gjithnjë e më shumë në treg të sipërmarrësit me pjesën më të madhe të tregut”.

Nga ana tjetër ky institucion sjell në vëmendje daljen e operatorit Plus Communication nga tregu që ka bërë që të rritet përqendrimi. “Përveç tarifave në dukje të larta, një problematikë tjetër është edhe niveli i ulët i konkurueshmërisë së tregut të telefonisë celulare. Dalja nga tregu e operatorit Plus Communication e ka ndryshuar strukturën e tregut nga 4 në 3 operatorë, duke vijuar trendin rritës të indeksit të përqendrimit” thuhet në raport.

Përqendrimi i lartë duket se ka ndikuar negativisht tek konkurrenca në treg duke bërë që të ketë mungesë efektive të saj.

Lidhur me këtë situatë KLSH ka vlerësuar se Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për periudhën nën auditim 2017-2018 nuk ka përmbushur me efektivitet mbikëqyrjen e tregut të telefonisë celulare kah ruajtjes së konkurrencës së lirë dhe të ndershme në tregun e telefonisë celulare.

Sa i takon teknologjisë 5G, raporti vlerëson se AKEP dhe Qeveria në tërësi nuk kanë kryer një analizë paraprake lidhur me pasojat dhe efektet që do të sjellë implementimi i teknologjisë 5G në vendin tonë. “Përfitimet ekonomiko-sociale duhet të ecin krah per krah me ato të Sigurisë Kombëtare. Implementimi i teknologjisë së gjeneratës së 5-të (5G) në Shqipëri mbart me vete një risk të lartë të thyerjes së sigurisë së informacionit dhe kërkon domosdoshmërisht të kryhet duke u bazuar në një plan-veprimi kombëtar, të detajuar qartë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim mbrojtjen e padiskutueshme nga aksesi i paautorizuar, tjetërsimi, keqpërdorimi apo mos-disponueshmëria, e një aseti të çmuar për konsumatorin shqiptar, siç është informacioni” vlerëson KLSH.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of