Telekomi i Kosovës është në krizë të thellë financiare, ku po rrezikon të falimentojë dhe 2500 punëtorë, të cilët do të mbeten pa punë. Ky skenar mund të ndodhë, nëse Telekom nuk paguan borxhin prej 25.9 milionë eurosh te Z-Mobile. Fillimisht, afati për ta paguar këtë borxh ishte deri të premten e javës së kaluar, por tashmë, Z-Mobile i ka dhënë kohë Telekomit deri më 15 qershor.
Një kompani tjetër private, e cila kishte lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët e Kosovës, ka falimentuar. Bordi i Bankës Qendrore ka vendosur ditë më parë që t’i heqë licencën kompanisë së sigurimeve INSIG. Edhe kjo kompani kishte vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore. Revista “Monitor” sjell detaje të asaj që ka ndodhur me këto dy kompani.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Telekomi i Kosovës rrezikoi javën e kaluar që t’i vihej dryni. Por, kësaj ndërmarrje i është zgjatur jeta edhe për disa ditë, teksa kompania Z-Mobile ka vendosur që deri më 15 qershor të këtij viti ta presë Telekomin, që të paguajë borxhin prej 25.9 milionë eurosh. Z-Mobile, nëpërmjet një letre zyrtare, i ka kërkuar në fillim kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefi që brenda dy javësh të paguhet ky borxh. Përmes letrës së dërguar më 26 prill, bëhet e ditur se, nëse nuk paguhet shuma në këtë afat, Z-Mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.
“Tani, vendimi i Arbitrazhit është i përmbarueshëm dhe kamatat ligjore rriten çdo ditë, prandaj vonesat në pagesën e borxhit nga vendimi i Arbitrazhit më së paku i leverdisin Telekomit të Kosovës. Duke pasur parasysh të lartcekurat, ju lusim që brenda afatit prej 14 ditësh nga data e pranimit të kësaj shkrese të deklaroheni se a dëshironi ta paguani borxhin vullnetarisht, pa nevojë nga ana jonë që të iniciohen procedurat e përmbarimit”, thuhet në letrën zyrtare.
Borxhi prej mbi 25 milionë eurosh që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G. Kompania Z-Mobile po e kërkon ekzekutimin prej rreth 26 milionë eurosh nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.
Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i Telekomit, dhe Besa Shatri, kryetare e Bordit, në mbledhjen e përbashkët me Komitetin Ndërministror për Ndërmarrje Publike i udhëhequr nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe përfaqësuesit e kompanisë Dardafon.net (Z-mobile), janë zotuar që të dalin me një plan konkret të shlyerjes së detyrimeve ndaj Z-Mobile, sipas vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar. Me këtë propozim janë pajtuar edhe përfaqësuesit e Z-Mobile, të cilët, në mënyrë që t’i jepet kohë Telekomit për të përpunuar planin, kanë pranuar që procesi i përmbarimit të detyrimeve të shtyhet deri në datën 15 qershor 2019.
“Palët janë shprehur të bindura se kjo qasje nënkupton mënyrën më të mirë për të ecur përpara, duke i mbrojtur interesat e të dyja ndërmarrjeve, si dhe duke respektuar ligjshmërinë e obligimeve kontraktuale. Anëtarët e Komitetit janë zotuar të shikojnë opsionet e garantimit nga Qeveria të kredisë investive për Telekomin”.
Komisioni Hetimor thërret në intervistë Thaçin e Haradinajn
Komisioni Hetimor Parlamentar diskutoi javën e kaluar për çështjen e Telekomit të Kosovës, ku shqyrtoi dhe miratoi edhe listën e dëshmitarëve që do të dëgjohen. Lista që është bërë publike, nis me dy krerët e shtetit, Kryeministrin Ramush Haradinaj, dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe është propozuar edhe lideri i LDK-së, dikur kryeministri Isa Mustafa. Deputeti i Nismës, Milaim Zeka, i cili është pjesë e Komisionit Hetimor ka thënë se ata që kanë nënshkruar marrëveshjen e Telekomit dhe Z-Mobile duhet të përfundojnë në burg.
Hetime, protesta e kërcënime
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deri tani nuk ka dhënë ndonjë qëndrim konkret për gjendjen që po kalon Telekomi i Kosovës. Në fillim të javës, ai priti në takim kryeshefin e Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefin, ku me këtë rast premtoi se do ta mbështesë këtë ndërmarrje publike.
Sipas një statusi, të cilin e ka publikuar në rrjetin Facebook, Haradinaj tha se qeveria e vendit do të angazhohet për qëndrueshmërinë e biznesit dhe financiare të Telekomit të Kosovës. “Prita në takim drejtorin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në këtë kompani dhe për obligimet financiare që ka kjo ndërmarrje, duke përfshirë këtu edhe kontratën me Z-Mobile’”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se Telekomi i Kosovës është në prag të falimentimit. Ai po ashtu bëri të ditur se janë duke u hetuar disa kontrata të lidhura. “Telekomi sot prapë po operon me një humbje rreth 15 milionë euro. Telekomi rrezikohet nga shumë operatorë për të përfunduar te përmbaruesi”, ka thënë ai.
“Të gjitha këto kontrata, me të përfunduar te përmbaruesi, rrezikojnë operimin e tërësishëm të Telekomit prandaj, për këtë arsye, Telekomi është në buzë të falimentimit”, ka shtuar ai. Lluka po ashtu bëri të ditur se Telekomit të Kosovës i skadon licenca në korrik. Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë se, nëse nuk bëhet shpejt një zgjidhje për të mos lejuar shkatërrimin e Telekomit, atëherë, do t’ju prijë 2500 punëtorëve për të kërkuar të drejta në rrugë. “Jemi duke negociuar. Shpresoj shumë se do të gjejmë një marrëveshje që të mos ekzekutohet vendimi i Gjykatës, për t’ia marrë Telekomit ato mjete”, ka thënë Bedri Istrefi.
Ai ka kërkuar ndihmën e qeverisë për të kapërcyer këtë situatë. Në të kundërtën, ka thënë se do të jetë në krye të protestave të 2500 punëtorëve të kësaj kompanie publike. “Unë do të luaj rolin e kryesindikalistit dhe do të dal në rrugë bashkë me punëtorët”. Më i ashpër me pronarët e Z-Mobile ka qenë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj. “Për ne si Sindikatë, e gjithë kjo është e papranueshme. Në rast të bllokimit të llogarive bankare të Telekomit, situata do të përshkallëzohet, pasi po rrezikohemi të mbetemi pa punë, por që këtë nuk do ta lejojmë, nuk është faji ynë për këtë gjendje të krijuar në Telekomin e Kosovës”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se shteti nuk di të menaxhojë asetet që transformohen shpejt, duke theksuar se është shumë vonë për PTK-në. “Vonë, shumë vonë për PTK-në. Shteti nuk di të menaxhojë asete që transformohen shpejt. 2008-2012, vazhdimisht për 4 vite me radhë, kokat racionale dhe jo-populliste, kanë argumentuar fuqishëm për privatizimin e Telekomit. E mbaj mend edhe angazhimin e ish-sekretares së Shtetit, znj. Clinton, në një prej vizitave zyrtare në Kosovë, bënte përpjekje për të bindur skenën politike për të kaluar strategjinë për privatizimin e PTK-së”, ka shkruar Rukiqi.
Sipas tij, kjo periudhë kohore ishte moment fantastik për privatizim. Rukiqi shton se shteti, as dje, as sot, as nesër nuk di të menaxhojë, sidomos asete që janë në transformim të shpejtë. Lëvizja Vetëvendosje ka arritur që të mbledhë 40 nënshkrime, për të thirrur seancë të jashtëzakonshme rreth gjendjes në Telekom, për të martën më 14 maj.
Historia e shkatërrimit të kompanisë më të madhe publike, Telekomit të Kosovës, nisi me një kontratë të nënshkruar në vitin 2009. Kontrata ishte lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile, pronar i së cilës ishte Blerim Devolli.
Sipas kontratës, Z-Mobile do ta përdorte të gjithë infrastrukturën e Telekomit të Kosovës, për të nisur një biznes brenda tij, pa asnjë investim paraprak. Zyrtarët e kësaj kompanie publike ishin pajtuar që të kishin një konkurrent, MVNO-në (Mobile Virtual Network operator), i cili pastaj do t’i merrte 78% të fitimeve, përkundër 22% që do t’i shkonin kompanisë amë, MNO (Mobile Network Operator).
Por e keqja nuk përfundoi me kaq, dikush në Telekomin e Kosovës u përkujdes që të mos e respektonte këtë kontratë, duke bërë që çështja të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Telekomi nuk ia kishte ndarë numrat me 3G dhe 4G Z-Mobile dhe nuk i kishte shpërndarë numra aq sa parashiheshin me kontratën e 2009-s.
Në dhjetor të 2016-s u publikua vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit. Sipas tij, Telekomi do t’i paguante 32 milionë euro Blerim Devollit, ku përfshiheshin edhe 4.5 milionë euro që Z-Mobile ka shpenzuar për mbrojtje në Arbitrazh.
Sipas kësaj marrëveshjeje, përveç që Z-Mobile do t’i jepeshin 4.5 milionët, aty ishte rënë dakord që Telekomi deri në vitin 2023 të mos e marrë asnjë cent prej të hyrave që i realizon Z-Mobile. Për më tepër, i detyrohet që t’i japë edhe më shumë numra dhe më shumë akses në 3G dhe 4G.
4.5 milionë euro i janë paguar krejtësisht në heshtje Z-Mobile për shpenzimet në rastin me Telekomin, të cilin kjo e fundit e humbi. Pasi u pagua kjo shumë, gjithçka tjetër ra poshtë dhe Devolli vendosi që, përmes Gjykatës në Prishtinë të kërkojë nga Telekomi t’i paguheshin 27 milionë eurot, pra të ekzekutohet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionere, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milionë konsumatorë në nivel vendi. Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100% të aksioneve të Telekomit të Kosovës.
Humbje kolosale, kompania është praktikisht e falimentuar
Kompania ndërkohë paraqitet në një gjendje të rënduar financiare, sipas të dhënave zyrtare të publikuara në bilanc. Në vitin 2017, të ardhurat ishin 70 milionë euro, me rënie 5 milionë euro, nga viti i mëparshëm. Për shkak të shpenzimeve të larta, humbjet në 2018-n ishin rreth 14 milionë euro.
Humbjet e larta kanë çuar në zhvlerësimin e kapitalit, që ka zbritur në 41 milionë euro. Detyrimet janë 58.3 milionë euro, duke e kaluar me 41% kapitalin e vet të kompanisë.
Një vit më parë, në 2016-n, humbjet e Telekom ishin 51 milionë euro, për shkak se 28.7 milionë euro ishin provizione për vendimet e gjykatave, shumë e cila ishte liruar në vitin 2017, por që tashmë po kërkohet sërish nga Z-Mobile. Kompania audituese thekson në opinion e saj se gjendja e kompanisë është e rënduar për shkak të humbjeve të mëdha dhe faktit që detyrimet rrjedhëse e kalojnë pasurinë aktuale për gati 40 milionë euro. “Këto çështje tregojnë një pasiguri materiale, që mund të hedhë dyshime të konsiderueshmenë aftësinë e kompanisë për të përmbushur pajimin e vijueshmërisë”.
INSIG, plot me borxhe, i merret licenca
Një histori të ngjashme me Telekomin ka edhe kompania e sigurimeve INSIG. Kjo kompani, e themeluar në vitin 1991 në Shqipëri, e që prej vitit 2002 hapi edhe filialin në Kosovë, tashmë ka falimentuar (vetëm në Kosovë). Dega e saj që ishte hapur në Kosovë në vitin 2000, është mbyllur javë më parë nga Banka Qendrore e Kosovës. Në vendimin e Bordit të BQK, për revokim të licencës thuhet se Kompania e Sigurimit INSIG, dega Kosovë, ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës.
“Mungesa e gatishmërisë së Aksionerit për të plotësuar kërkesat e kapitalit ka vënë në rrezik serioz kapacitetet e Kompanisë për të përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe kreditorëve të tjerë. Prandaj, me qëllim mbrojtjen e policëmbajtësve dhe parandalimin e rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligji për Sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës së Kompanisë”, thuhet në vendimin e BQK-së.
BQK-ja ka treguar se tashmë ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm, sipas Kapitullit 18 të Ligjit nr. 05/L-045 për Sigurimet, duke emëruar Likuidatorin, i cili do të drejtojë Kompaninë e Sigurimit në Likuidim INSIG dhe do të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, ndaj të gjithë kreditorëve. “Me emërimin e Likuidator, pushojnë të gjitha përgjegjësitë e Administratorit, të Bordit Drejtues dhe Menaxhmentit të Kompanisë në raport me menaxhimin e Kompanisë”.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës udhëzon të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorët e tjerë që të përcjellin njoftimet në ditët në vijim nga Likuidatori dhe BQK-ja lidhur me udhëzimet mbi procesimin e kërkesave që kanë në raport me Kompaninë e Sigurimit në Likuidim INSIG.
Monitor.al ka kërkuar disa sqarime edhe nga Banka Qendrore lidhur me procedurat që janë duke u ndjekur me kompaninë INSIG, por në BQK nuk kanë pranuar të japin detaje. Zyrtarë të këtij institucioni janë shprehur se për momentin nuk mund të japin një deklaratë për këtë çështje. Ata thonë se për INSIG do të flasin në ditët në vijim. Edhe në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës kanë vendosur të heshtin përballë kësaj situate. As në këtë institucion nuk kanë pranuar të flasin.
Cili është INSIG
Kompania e sigurimeve INSIG është themeluar në vitin 1991 me pronësi 100% të Parlamentit Shqiptar për të ushtruar veprimtarinë e sigurimeve dhe risigurimeve në Republikën e Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave. Më 1 mars 2000, Kompania e sigurimeve INSIG është licencuar për të operuar në tregun kosovar të sigurimeve, si degë e kompanisë amë INSIG Shqipëri. Kompania e sigurimeve INSIG, dega Kosovë, është Licencuar në përputhje me Urdhrin Administrativ 1999/3 të Rregullores Nr. 2001/25 mbi Licencimin, Mbikëqyrjen dhe Rregullimin e Kompanive të Sigurimeve e të Ndërmjetësuesve të Sigurimit.
Në vitin 2015, INSIG sh.a ndryshon pronësinë e aksioneve, të cilat zotëroheshin në masën 100% nga Ministria e Financave. Gjatë vitit 2016, Kompania e Sigurimeve INSIG sh.a me seli në Tiranë ka shitur 100% të aksioneve të zotëruara nga shteti, duke ndryshuar pronësinë e aksioneve të cilat tani zotërohen ne masën 100% nga Shoqëria e Sigurimeve EUROSIG sh.a me seli në Tiranë, me pronar Kadri Morinën. Misioni i kompanisë së sigurimeve INSIG ishte që të ofrojë produkte inovative dhe shërbim cilësor te klientët, thuhet në prezantimin zyrtar në faqen e INSIG Kosovë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.