Telekom Slovenije nis shitjen e IPKO-s në Kosovë

08/07/2019 1:13 PM 0 komente

Telekom Slovenije ka njoftuar të premten se ka nisur aktivitetetin për të shitur 100 për qind aksionet e saj të IPKO Telecommunications në Kosovë.

Sipas SeeNews , ky vendim është në përputhje me strategjinë e grupit Telekom Slovenije për periudhën 2019-2023, e cila gjithashtu përfshin mundësinë e konsolidimit të mëtejshëm nëpërmjet zgjerimit ose disinvestimit në tregjet ku operon grupi.

Deri më tani nuk është dhënë ndonjë informacion shtesë lidhur me këtë proces.

Në muajin mars të 2018-së, Telekom Slovenije u bë pronar i vetëm i IPKO Telekomunikacionit, pasi u pajtua të blejë pjesën e mbetur prej 6.89 për qind të kompanisë.

IPKO Telecommunications LLC është ofruesi kryesor i lidhjeve me brez të gjerë dhe ofrues i dytë më i madh i shërbimeve telefonike dhe kabllore në Kosovë.

Sipas përshkrimit që ka bërë kompania në webfaqen e vet zyrtare thuhet se IPKO Telekomunikimet, njihet si kompania e telekomunikacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë. E themeluar më 1999, IPKO është zhvilluar suksesshëm – nga ofruesi i parë i internetit në mbarë Kosovën – në një ndërmarrje moderne, që ofron spektër të plotë shërbimesh dhe përmbajtjesh të integruara në komunikime mobile, telefoni fikse, televizion kabllor digjital, internet dhe media.

“IPKO njihet si një kompani moderne me shërbime të avancuara dhe ka një reputacion të një kompanie që kujdeset për klientët e saj. Me hyrjen e saj në treg, IPKO ka sjellë konkurrencë në tregun e telefonisë mobile dhe përfitime të shumta për konsumatorët. Depërtimi i telefonisë mobile IPKO në treg, ka ulur çmimet, ndërsa ka ngritur cilësinë e shërbimeve”.

Gjatë një viti operimi, IPKO ka arritur të mbulojë me rrjetin e telefonisë mobile, më shumë se 99.7 për qind të popullatës së Kosovës. Për më pak se një vit, telefonia mobile IPKO ka 35 për qind të tregut të telefonisë mobile në Kosovë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of