Telekomi ia shkëput kontratën Z-Mobile-it me 30 korrik

24/06/2019 2:41 PM 0 komente

Punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës kanë mbajtur sot një protestë kundër vazhdimit të kontratës me operatorin Z-Mobile.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve Lamih Balaj është takuar me kryeshefin Bedri Istrefi ku ka njoftuar se është marrë vendim që kontrata me Z-Mobile të shkëputet më  30 korrik.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet Istrefi ndërsa sindikalistët në protestë kanë kërkuar nga Qeveria që ta përkrahin vendimin e PTK-së për shkëputje të kontratës.

“Kërkojmë nga kryeministri t’ia kthej dividentën Telekomit por një gjë duhet ta kenë të qartë se punëtorët e Telekomit janë të vendosur në rast se tentohet të lidhet kontratë e re me Z-Mobile një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Zotohemi sot këtu që do të ndalim shkatërrimin e telekomit të Kosovës”, tha Balaj.

Para protestuesve, kryeshefin Bedri Istrefi ka treguar se është një kompani amerikane që do të bëj ekspertizën derisa shkëputja do të vazhdojë më 30 korrik.

“Jemi ende në takim është duke u diskutuar se e kemi ftuar një kompani amerikane që të bëj një ekspertizë. Sot gjatë ditës kemi me njoftu edhe Z-Mobile që shkëputja e vazhdon me 30 korrik ndërsa pjesa tjetër e ekspertizës financiare pasi që është duke u diskutuar në mbledhje. Për shkak të pjesëmarrjes suaj erdha të au jap këtë lajm për shkëputjen e kontratës, tha Istrefi.

Sot para Telekomit të Kosovës protestuan dhjetëra punëtorë që kërkuan që kontrata 10 vjeçare me Dardafonin të ndërpritet dhe që e njëjta të mos vazhdohet.

Kujtojmë se Telekomi i Kosovës aktualisht gjendet në krizë të thellë financiare  ku po rrezikon të falimentojë dhe 2500 punëtorë do të mbesin pa punë.

Borxhi prej mbi 25 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Kompania Z-Mobile ekzekutimin prej rreth 26 milionë euro po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

/Fatos Shala për Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of