Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të jashtëzakonshme me fillim prej orës 10:00, ku do të shqyrtojë gjendjen e krijuar në Telekom.
“Gjendja në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr.06-R-013, dt.12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës”, është pika e vetme e rendit të ditës.
Kjo seancë është ftuar me kërkesë të deputetëve të Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Kujtojmë se Telekomi i Kosovës gjendet në krizë të thellë financiare, ku po rrezikon të falimentojë dhe 2500 punëtorë do të mbeten pa punë.
Ky skenar mund të ndodhë nëse Telekomit deri më 15 qershor nuk ua kryen borxhin prej 25 milionë e 900 mijë eurove Z-mobilit.
Kompania Z-Mobile ekzekutimin prej rreth 26 milionë euro po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.
Qeveria e Kosovës është duke punuar që t’i del në ndihmë Telekomit, pasi që po rrezikohet që një numër i madh i punëtorëve të mbesin pa punë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në rrjetin e tij social në Facebook, pas një takimi që ka zhvilluar me drejtorin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi, ka thënë se Qeveria e vendit po angazhohet për qëndrueshmërinë biznesore dhe financiare të Telekomit të Kosovës.
Telekomi i Kosovës dy herë i ishte nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë radhazi Qeveria e Kosovës kishte dështuar ta përmbyllë me sukses këtë proces.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.
Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës./ Monitor.al
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.