“Telenovela” e politikës ngujon bizneset

13/11/2017 3:45 PM 0 komente

Të pamotivuara për të investuar, korporatat shqiptare po rrisin me shpejtësi kursimet në banka.
Në janar-shtator, kursimet me afat të bizneseve njohën rritje vjetore jo të zakontë me 25%, teksa interesi real i depozitave është në nivel negativ.

Organizatat e biznesit pohojnë se ngjarjet e fundit me krimin e organizuar dhe planet për vetting-un po pengojnë avancimin drejt një modeli të ri zhvillimi.
Nga ana tjetër, rënia e konsumit prej rritjes së taksave duket se është një arsye tjetër madhore që ka dhënë efekte zinxhir, duke i bërë investimet jo të frytshme në disa sektorë. Bizneset, apel politikës: Stop retorikës politike, rishikoni platformën për ekonominë

Blerina Hoxha

Të pamotivuar për të investuar korporatat, shqiptare po rrisin me shpejtësi kursimet në banka. Në një situatë normale, ngurtësimi i fitimeve në depozita me afat është zgjidhja e fundit për një biznes, për tepër në një moment kur interesat në banka janë shumë disfavorizuese.

Banka e Shqipërisë ka raportuar se në fund të 9-mujorit, rritja vjetore e depozitave të biznesit në banka ishte 22%, ndërsa në krahasim me vitin 2013, ato u rritën me 80%. Stoku total i depozitave të bizneseve (korporatave jofinanciare) arriti në 142 miliardë lekë, apo rreth 1 miliard euro. Nga ana tjetër, interesat e kursimeve në lekë shënuan rënie të mëtejshme në tremujorin e tretë, duke arritur në nivelin 0.8%, ndërsa norma bazë e interesit është në minimumin historik me vetëm 1.25%. Por kjo nuk i ka penguar bizneset që të rrisin me shpejtësi depozitat në monedhën vendase.
Banka e Shqipërisë e ka shpjeguar sjelljen e bizneseve me rritjen ekonomike, e cila ka shtuar likuiditetet e korporatave, por vetë bizneset ndajnë opinione të ndryshme.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, tha se Shqipëria nuk ka shumë alternativa për të riinvestuar fitimet, për shkak të mungesës së tregjeve të kapitalit, por gjithashtu thotë se ambienti i taksave nuk i favorizon investimet e reja. Në Shqipëri, disa sektorë janë drejt maturimit, ndërsa rritja e taksave dhe rënia e konsumit e ka vështirësuar zhvillimin e disa sektorëve të tjerë, sidomos ato që lidhen me industrinë e përpunimit.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, pohon se gjithnjë e më pak ekonomia e vendit po prodhon projekte për të riinvestuar fitimet, ndërsa sipas tij, ngjarjet e fundit me krimin e organizuar dhe planet për procesin e vetting-ut, po pengojnë avancimin drejt platformave të reja të zhvillimit ekonomik.

Luigj Aliaj, nga Shoqata e Hidrokarbureve, që operon në zinxhirin e importit dhe tregtisë me pakicë të karburanteve, thotë se tendenca e bizneseve për të ngurtësuar fitimet në depozita me afat në banka lidhet me krizën e konsumit. Gjithashtu, inflacioni i retorikës politike i ka bërë pesimiste, si bizneset dhe konsumatorët për të bërë investime dhe konsumuar.

Sipas Aliajt, politikat disfavorizuese në lidhje me konsumin, nëpërmjet rritjes së taksave dhe mungesës së incentivave për biznesin, kanë sjellë efekte negative zinxhir. Barra e taksave ka pasuar rritjen e çmimeve, e cila, nga ana e saj, ka frenuar konsumin dhe për rrjedhojë, në pak të ardhura për biznesin. Rënia e të ardhurave në biznesin e shitjeve me pakicë fut në krizë edhe prodhuesit.

Këtë fenomen e pohoi edhe Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Blojës, Adi Haxhiymeri. Këtë vit, ai ka ngritur disa herë shqetësimin se rritja e barrës së taksave, shtrenjtimi i çmimit të energjisë dhe konkurrenca nga importet po çojnë drejt falimentit fabrikat e blojës. Këto biznese panë rënie dyshifrore të xhiros vitin e kaluar. Ai pohon se ekonomia shqiptare gjithnjë e më pak po jep shanse për diversifikim. Haxhiymeri po sheh mundësinë të zhvendoset në sektorë të tjerë, por mundësitë janë të kufizuara. Për momentin, vetëm sektori i ndërtimit siguron një kthim të shpejtë, por nëse të gjitha likuiditetet përqendrohen në këtë sektor, ka rrezik që investimet të shndërrohen në flukse shumë shpejt.

Në këto kushte, tregu shqiptar po jep gjithnjë e më pak mundësi për korporatat e mëdha. Samir Mane, President i Balfin Group, tha se kapacitetet e kompanisë tashmë janë shumë më të mëdha se mundësitë që ofron Shqipëria. Balfin ka njoftuar investimin e një shume prej 160 milionë eurosh në Maqedoni në 6-7 vitet e ardhshme me ndërtimin e një kompleksi shumëfunksional në periferi të Shkupit me qendër tregtare, ekspozitë panairesh dhe objekte banimi rezidenciale.

Më herët gatishmërinë për të investuar në Shkup e dha edhe presidenti i kompanisë Kastrati, Shefqet Kastrati. Kompani të tjera shqiptare janë duke parë mundësinë e investimit jashtë vendit, sidomos në Kosovë dhe Lindjen e Mesme në sektorin e ndërtimit kryesisht, por mungesa e përvojës dhe njohurive po i pengon.

Përfaqësuesi i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, tha se rritja e ndjeshme e depozitave të bizneseve në banka lidhet drejtpërdrejt me dukurinë tjetër, prej vitesh e pranishme në ekonominë shqiptare, rënien në nivele historike të kërkesës për kreditim të bizneseve. Të dyja bashkë, por sidomos rritja e fortë e depozitave afatgjata të bizneseve, tregojnë për një shkallë më të thelluar të pesimizmit për të ardhmen e ekonomisë shqiptare, thotë Buxhuku. “Nëse deri dje, bizneset gjenin forma të drejtpërdrejta ose hua për vetëfinancim nga të tretët për projektet e tyre të reduktuara të investimit dhe largoheshin nga bankat për shumë arsye, tashmë rritja e depozitave është tregues i qartë i tërheqjes së plotë nga projektet zhvilluese”, – shtoi ai.

 

Politika fut në depresion biznesin

Dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi e kanë zënë axhendën kryesore të qeverisë, por edhe opozitës. Mazhoranca në pushtet, herë në sulm dhe herë në vetëmbrojtje për çështjet në fjalë, kanë lënë në sfond angazhimin për reformat e thella në ekonomi. Opozita gjithashtu është angazhuar po në këto çështje, duke mos prodhuar alternativa të besueshme dhe konkurruese për të çuar vendin përpara. Është absurde për nevojat dhe mundësitë që ka vendi për t’u zhvilluar, të mos marrë minimumin e impenjimit të politikës, thotë Jaka. Sipas tij, Shqipëria është një vend me shumë mundësi që fqinjët nuk i kanë. Avantazhi i burimeve natyrore, pozitës gjeografike dhe forcës së re të punës nuk po orientohet me politikat e duhura. Dhe tani, pas tre dekadash në ekonominë e tregut është absurd fakti që ka ende familje në emergjencë për jetesën e ditës.

“Paaftësia e plotë për të krijuar tregje të reja, ngurtësimi skajor i tregjeve të sotme, rritja e dukshme e shkallës së konkurrencës së prodhimeve të huaja, rënia e fuqisë blerëse edhe për shkak të emigracionit, korrupsioni i të gjitha llojeve deri në formën e tij më të lartë “kapjes së shtetit” (state capture), kriminalizimi i ekonomisë, fillimi i vetting-ut, etj., janë shkaqet e natyrshme, që sjellin pesimizmin e biznesit”, thotë Gjergj Buxhuku, nga Konfindustria.

Shumë biznese, të cilët nuk duan të identifikohen, pohojnë se tashmë ndihen të lodhur nga politika dhe mungesa e vizionit të saj. Shumë prej tyre janë gati të shesin bizneset, po nuk kanë blerës. Teksa kujtojnë se, kompani të tilla si Bankers Petroleum dhe ish-koncesionarët e Rinasit, konsorciumi gjermano-amerikan, të lodhur nga klima e biznesit në Shqipëri, u larguan. Investitorët e rinj që i zëvendësuan vijnë nga offshore të shumëfishta pa një identitet të saktë.
Së fundmi, avancimi i ngjarjeve politike ku prokuroria ka kërkuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për dyshime të lidhjeve të tij me aktivitetet e paligjshme të drogës, bashkë me prag vetting-un, po i mbajnë peng diskutimet për klimën e biznesit dhe reformat në ekonomi duken luks.

Por teksa bizneset ndihen të deprimuara, treguesit makroekonomikë pohojnë të kundërtën. Ekonomia është rritur mbi 4%, por më shumë se gjysmën e kontributeve po e jep sektori i ndërtimit me ndërtimet e banesave në Tiranë dhe investimet në projektet TAP dhe Devoll. Fondi Monetar Ndërkombëtar, më herët gjatë muajit tetor, rishikoi me ulje parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2018, në 3.7%, nga 4.1% që ishin pritshmëritë në raportin e marsit, duke e reduktuar me 0.4 pikë përqindjeje. FMN dhe PBB parashikojnë se efektet pozitive të projektit TAP dhe investimeve në HEC-et e lumit Devoll do të zbehen që nga viti tjetër dhe Shqipërisë i duhet të gjenerojë mundësi të tjera për rritje.

 

Përkeqësohet perspektiva e kthimit të investimeve

Shqipëria nuk e ka një treg kapitalesh që të tregonte ditë për ditë se sa, ngjarjet ekstreme të politikës dhe stabilitetit politik do të ndikonin ecurinë reale të ekonomisë. Por disa tregues të tërthortë referojnë se klima për të bërë biznes në vendin tonë nuk është në kondita të pranueshme.

Treguesi më i qartë është mungesa e investimeve të huaja vitet e fundit. Pas projekteve të mëdha të gazsjellësit, TAP dhe Statkraft me HEC-et në lumin Devoll, që datojnë para vitit 2013 në tregun shqiptar nuk ka hyrë asnjë kompani tjetër e njohur, teksa rajoni është duke përjetuar një periudhë të artë në zhvendosjen e industrisë automative nga vendet e zhvilluara.

Kompani të tilla si Capcon, Lear Coporation dhe Johnson Control, pas përpjekjeve të pasuksesshme për të hapur fabrikat në Shqipëri, tani ushtrojnë aktivitetin në Maqedoni, duke i siguruar vendit fqinjë miliarda euro eksporte. Nuk është se ka munguar interesi për tregun shqiptar, por llogaritë për kthimin e investimeve nuk kanë qenë optimiste.

Duke dhënë këta shembuj, organizatat shqiptare të biznesit pohojnë se të njëjtat vështirësi rezultojnë edhe për kompanitë shqiptare. Nikolin Jaka thotë, se politikat ekonomike ende nuk e kanë prodhuar një platformë që të rrisë interesin për investime. Sipas tij, ky fakt duket paradoksal në kushtet kur ekonomia jonë është ende e pamaturuar në shumë sektorë, por kthimi i investimeve në Shqipëri është bërë gjithnjë e më i vështirë. Mesatarja botërore njeh kthimin e investimeve për një periudhë 3-7-vjeçare, por ekonomia shqiptare, në kushtet e tanishme, nuk e respekton këtë rregull. Duke marrë në konsideratë edhe rreziqet që vijnë nga destabiliteti i vazhdueshëm politik bëhet edhe më e vështirë që biznesi të marrë iniciativa për të investuar, – pohoi Jaka.

Në të njëjtën linjë janë edhe shoqatat e tjera të biznesit. Luigj Aliaj, nga Shoqata e Hidrokarbureve, pohon se politikat fiskale kanë rrudhur konsumin në një kohë që edhe bankat kanë ulur financimet në ekonomi nëpërmjet frenimit të kredive. Çdo taksë e rritur ndikon në uljen e konsumit, pasi ato reflektohen në çmime më të larta e për rrjedhojë, efektet negative të këtij gjenerojnë fitime më të ulëta për të gjitha linjat e ekonomisë. Fitimet e ulëta vonojnë kthimin e investimeve e për rrjedhojë, ka gjithnjë e më pak sektorë tërheqës, shpjegon ai.

 

 

Kursimet e pazakonta të biznesit

Ecuria e depozitave gjatë vitit të fundit ka shfaqur dy dukuri të kundërta. Së pari, individët po i heqin kursimet me afat në lekë nga bankat, teksa prej disa vitesh normat e interesit nuk janë të favorshme. Statistikat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se bizneset po shfaqin një sjellje të re, teksa po rrisin depozitat që mbajnë në banka. Sipas Bankës së Shqipërisë, në shtator, stoku total i depozitave në total të bizneseve (korporatave jofinanciare) arriti në 142 miliardë lekë, apo mbi 1 miliard euro.

Në krahasim me janarin 2013, stoku i depozitave të bizneseve është rritur me gati 80%, apo rreth 500 milionë euro më shumë. Rritja e fortë e depozitave ka tërhequr edhe vëmendjen e autoriteteve që janë në kërkim të faktorëve, por shpjegimi më i mundshëm mbetet mungesa e alternativave të investimit (ndërtimi është sektori i vetëm që po tërheq investime për momentin), apo stepja e sipërmarrjeve për të hedhur para në ekonomi në një ambient të pasigurt dhe të paqëndrueshëm.

Një tregues është mbyllja e parave me afat dhe jo lënia e tyre në llogari rrjedhëse, ku mund t’i tërheqin sa herë t’i duan. Vetëm në shtator, bizneset futën në banka 3.3 miliardë lekë (rreth 24 milionë euro), si depozita me afat, duke shënuar rritjen më të lartë sesa çdo kategori tjetër të të gjithë sektorëve (individëve, kompanive shtetërore, korporatave financiare etj.). Për krahasim, në total, në shtator depozitat nga të gjitha kategoritë u rritën me 1.9 miliardë lekë, apo vetëm 14 milionë euro.

Pesha e depozitave të biznesit arriti në 14.2% të totalit në shtator 2017, nga 8% që ishte në janar 2013.
Në total, stoku i depozitave në sistemin bankar në fund të muajit shtator arriti në 997 miliardë lekë, me një rrije të lehtë prej 0.2% në raport me muajin e mëparshëm. Zgjerimi ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rritjes së fortë të depozitave të korporatave jofinanciare, ndërsa kursimet e individëve vijojnë në tkurrje.

Stoku i depozitave me afat në lekë të individëve arriti në fund të muajit shtator 249 miliardë lekë (25% të totalit). Në krahasim me janarin e vitit 2013, depozitat kanë rënë me 26%, apo gati 650 milionë euro kanë dalë nga bankat në kërkim të alternativave më fitimprurëse, si investimet në maturitete më afatgjata (mbi 2-vjeçare), blerjen e pasurive të paluajtshme, letrave me vlerë të qeverisë etj.

Presidenti i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Luan Leka, duke komentuar këtë situatë pohon se, “gjëja e parë që të vjen ndër mend është fakti që aktualisht, norma e interesit mbi depozitat bankare është shumë më e ulët se 1%. Pra, paratë në bankë nuk prodhojnë gjë, element që duhej të ishte një nxitje për t’i riinvestuar në ekonomi”.

Fakti që rriten depozitat bankare, shpreh së pari gjendje të mirë financiare të bizneseve por, nga ana tjetër, dëshmon pasigurinë për investime. Ky fenomen kërkon një analizë më të detajuar shprehet Leka. Duke komentuar për zhvillimet në biznesin e tij, ai pohon se ka plane ambicioze për zgjerim vitin e ardhshëm. Do të zgjerohen investimet në ujin Qafështama, me një fabrikë të dytë dhe ndërkohë që do të ketë investime të reja në teknologjinë e fabrikës EHW.

Ai tha se ka në plan të zgjerohet edhe në tregtinë me pakicë, nëpërmjet rrjetit të supermarketeve Conad dhe gjithashtu ka në plan të diversifikohet me investime në sektorin e turizmit.
Për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, rritja e llogarive të kursimit nga ana e biznesit në banka duhet të jetë më shumë se sinjal alarmi për politikën, e cila duhet të trajtojë me seriozitet mundësitë për të diversifikuar investimet.

 

 

Sfidohet kursi monetar

Banka e Shqipërisë, që prej vitit 2007, e ka ulur normën e bazë të interesi në mënyrë sistematike, duke e çuar në maj të vitit 2016 në rekordin më të ulët historik me vetëm 1.25% nga 6.25% që ishte para dhjetë vitesh. Ndërhyrjet agresive të Bankës së Shqipërisë, duke e ulur normën e interesit si në të gjithë botën në këtë periudhë, u motivuan për të nxitur ekonominë. Logjika ekonomike e këtyre vendimeve ka të bëjë me demotivimin e bizneseve dhe individëve për të kursyer e për rrjedhojë nxitjen e konsumit.

Mirëpo në të gjitha këto vite, përpjekjet e Bankës së Shqipërisë nuk kanë shkuar në këtë trajektore. Edhe pse interesat reale të depozitave në banka të indeksuara me inflacionin janë negative me rreth 1%, ato shihen sërish si mundësia më e mirë për të mbajtur kursimet, së fundmi edhe ato të biznesit. Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i depozitave në lekë në tremujorin e tretë ishte jo më shumë se 0.8%, teksa inflacioni në këtë periudhë ishte 1.7%. Për rrjedhojë, mbajtja e kursimeve në llogari bankare më shumë ka sjellë humbje se sa fitime, por siç duket bizneset e kanë gjykuar së fundmi si alternativën më të mirë mbajtjen e cash në llogari bankare.

Kjo sjellje e bizneseve e ka bërë të paefektshme politikën monetare, pasi korporatat, përveçse kanë ulur në minimum kërkesën për kredi, kanë rritur kursimet.
Rritja e huasë për ekonominë ka qenë e brishtë edhe këtë vit. Në muajin shtator 2017, kredia për biznesin shënoi rënie vjetore me gati 2%. Një tjetër tendencë që kanë raportuar bankat është financimi i bizneseve të mesme e të vogla dhe heqja dorë prej kompanive të mëdha, ku ekspozimi është më i lartë dhe si rrjedhojë, edhe risku i moskthimit më i madh. Edhe kërkesa e bizneseve për kredi ka qenë e vakët dhe më shumë e përqendruar në kapital qarkullues se sa investime.

Një studim i Bankës së Shqipërisë në nivel ekspertësh arriti përfundimin se rënia e normës bazë të interesit nuk ka shkuar në të njëjtat shina me rritjen e kredisë re për ekonominë. Faktorët që kanë ndikuar, sipas Bankës, lidhen me ngushtimin e ofertës së kreditimit nga ana e bankave, kushtet e pafavorshme makroekonomike etj., të cilët janë bërë pengesë e varësisë së ecurisë së kredisë së re nga ulja e normave të interesit vitet e fundit për bizneset.

Për rrjedhojë, politika monetare, e cila në mënyrë agresive ka ulur normat e interesit afër zeros, me qëllim nxitjen e konsumit, ka mbetur një tentativë. Teksa ekonomia është rritur me rreth 4% në gjysmën e parë të këtij viti, konsumi që në Shqipëri historikisht ka qenë gjeneratori i rritjes është shtuar me vetëm 2% në gjashtëmujorin e parë.
Banka e Shqipërisë ka sinjalizuar më parë se norma e bazë e interesit është në nivelin dysheme dhe nuk priten ulje të mëtejshme. Por nisur nga sjellja konservative e bizneseve, duket se rikthimi në kahun rritës të interesave është shtyrë për vitin tjetër.

 

 

Reforma institucionale, pengesë serioze

Vendet e rajonit kanë kaluar kriza të thella politike më të mprehta se Shqipëria, por kjo nuk i ka penguar ato që të vijojnë në përditshmërinë e tyre me shërbimet për biznesin. Në Shqipëri, të njëjtat ngjarje shoqërohen me një tranzicion më të fortë. Reforma e re institucionale në qeverinë Rama 2 duket se ka përkeqësuar situatën, pasi reformimi i funksioneve të qeverisë, përqendrimi i tyre në pak duar, ka krijuar ngërç.

Kompanitë që kanë aplikuar për investime në energjinë e diellit dhe të erës, janë pezull prej dy vitesh, pasi institucionet nuk po shërbejnë. Ministria e Energjisë i ka hapur aplikimet për investime pa sheshuar më parë çështjet teknike që kishin të bënin me çmimin e shitjes dhe kapaciteteve të investimeve. Por tani me reformën institucionale, bizneset nuk po marrin dot lejet e mjedisit, pasi funksionet janë ende pezull.

Çështjet e mjedisit janë administruar në qeverinë “Rama 1” nga një ministri e posaçme, por me azhurnimin e ri, këto funksione i kanë kaluar Ministrisë së Turizmit. Por megjithëse qeveria, sipas ndarjes së re, ka nisur që në fillim të shtatorit, aktet nënligjore që bëjnë funksionalë transferimin e funksioneve nuk kanë dalë ende. Çdo investim i ri në ekonomi, sado modest që të jetë, duhet të pajiset me leje mjedisi, ndaj mosfunksionimi i strukturës i ka paralizuar tërësisht investimet e reja.

Një konsulent i bizneseve të huaja tha se për rreth gjashtë muaj, qysh para zgjedhjeve e deri më tani, nuk ka mundur të komunikojë as formalisht me institucionet, pasi përgjegjësitë nuk dihet se ku janë. Për disa biznese, reforma në institucione ku reduktimi i 6 ministrive dhe dhjetëra inspektorateve dhe agjencive ka bërë lëmsh bizneset që duan të zgjerohen apo të investojnë rishtas. Mirëpo ngjarjet e fundit me hetimet për krimin e organizuar në nivelet e larta të politikës e kanë ezauruar vëmendjen nga reformat. Kjo gjendje, veç të tjerash, është shndërruar në një pengesë serioze për investimet.

Gjergj Buxhuku, nga Konfindustria, pohon se, Shqipëria po kalon në një fazë shumë të rëndësishme të ristrukturimit të të gjithë sistemit ekonomik të saj. Pakësimi deri në zhdukje i disa prej burimeve kryesore, që kanë financuar dhe kanë strukturuar deri më sot thelbin e ekonomisë, por edhe vetë institucioneve shqiptare, po ndihen me pasojat e një tërmeti të zgjatur të nënujshëm, që prodhon cunam.

Reagon BSH: Pesë arsyet pse janë rritur depozitat e biznesit në banka

 

Në një prononcim të posaçëm, Banka e Shqipërisë shpjegoi disa arsye se pse bizneset kanë rritur kursimet në banka. Arsyeja e parë lidhet me një trend rritës që prej vitit 2013, duke reflektuar si përmirësimin e faktorëve strukturorë ashtu edhe të atyre ciklikë. Në shtator të vitit 2017, depozitat e bizneseve arritën në 9.2% të PBB-së, përkundrejt 7% të mesatares afatgjatë.

Së dyti, në një këndvështrim afatgjatë, rritja e depozitave të bizneseve reflekton formalizimin e ekonomisë dhe përqasjen më të madhe të bizneseve pranë bankave. Gjithashtu, kjo rritje është mbështetur edhe nga përmirësimet në infrastrukturën financiare si në drejtim të shtrirjes gjeografike, ashtu dhe shumëllojshmërisë së produkteve bankare.

Së treti, në një këndvështrim afatshkurtër, rritja e depozitave të bizneseve është në linjë me përmirësimin e likuiditetit dhe gjendjes financiare të bizneseve, në përgjigje të përmirësimit ciklik të aktivitetit ekonomik në vend.

Së katërti, Banka e Shqipërisë sqaron se struktura kohore e depozitave të bizneseve dominohet nga llogari rrjedhëse dhe depozita pa afat, duke reflektuar preferencën e bizneseve për t’i mbajtur fondet në instrumente likuide pranë bankave. Për një periudhë 15-vjeçare, kjo strukturë ka mbetur përgjithësisht e pandryshuar, ku mesatarisht 72% e depozitave të bizneseve janë likuide. Gjatë vitit 2017, depozitat pa afat të bizneseve përbëjnë 84% të depozitave totale të bizneseve. Paralelisht, raporti i depozitave me afat ndaj totalit ka ardhur në rënie që prej vitit 2011, duke arritur në 16% në muajin shtator.

Së pesti, banka referon se pavarësisht rritjes së depozitave të biznesit në tre vitet e fundit, kjo nuk është përkthyer në rënien e investimeve. Sikurse tregojnë të dhënat e ekonomisë reale, investimet private në vend, kanë qenë kontribuuesi kryesor i përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Këto investime janë mbështetur si nga financimet e huaja, nëpërmjet Investimeve të Huaja Direkte, ashtu edhe nga kursimet e brendshme të vetë bizneseve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of