Albin Kurti e Isa Mustafa ende s’kanë arritur marrëveshje për ta krijuar qeverinë e re të Kosovës. Takimet e nisura tre muaj më parë po vazhdojnë ende. Tashmë Kosova ka hyrë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar. Në mungesë të buxhetit, asnjë projekt i ri kapital nuk mund të fillojë së zbatuari. Alarmi se Kosova mund të falimentojë është ngritur. Nga 1 marsi në Kosovë s’mund të realizohet asnjë pagesë. Ndërsa letrat mes presidentit Hashim Thaçi e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit s’kanë të ndalur.
Telenovela e nisur prej tre muajsh tashmë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon. Albin Kuirti e Isa Mustafa nga muaji tetor e deri i vitit të kaluar nuk po arrijnë të bien dakord që të krijojnë institucionet e Kosovës. Gjithccka që është bërë janë takimet e lëna mes tyre.
Deri më tani, këta dy lider të partive fituese të zgjedhjeve të fundit të mbajtura në Kosovë, janë takuar mbi 10 herë, çdo herë pas takimit kanë thënë “ jemi pajtuar që të takohemi sërish”… Kështu ka mbetur situata edhe nga takimi i fundit.
Mustafa e Kurti mund të takohen edhe këtë javë, por ende nuk ka ndonjë sinjal konkrete se kur ata do të merren vesh.
Se bisedimet mes tyre janë të vështira dhe se ka pengesa të mëdha për të arritur në krijim të institucioneve e ka thënë edhe vet Albin Kurti të dielën në mbledhjen me qendrat e partisë, ku është diskutuar për situatën politike në vend.
Kurti është shprehur se takimet me partinë e Isa Mustafës për një marrëveshje i ka nisur menjëherë pas zgjedhjeve.
“Ne kemi filluar kontaktet, komunikimin dhe takimet me 7 tetor me LDK-në, vetëm disa orë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve preliminare, pa u vonuar dhe pa hezituar që shpresën dhe fitoren e madhe ta kthejmë sa më parë në qeverisje, por ajo që në dukej lehtë e arritshme doli të jetë e mundimshme”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se duhet të ketë durim për arritjen e marrëveshjes, ndërkaq thotë se bisedimet nuk janë të lehta.
“Duhet t’i ruajmë nervat. Të punojmë e të angazhohemi, por me durim. Këto bisedime nuk janë të lehta. Edhe më të rënda na presin bisedimet në të ardhmen si qeveri me faktorë të ndryshëm”, ka thënë Kurti.
Kurti thotë se për shkak të mosarritjes së marrëveshjes me LDK’në, atij i është dashur të ekspozohet dy herë në mënyrë të rrezikshme. E këtu ai përmend 26 dhjetorin, ditën e konstituuimit të Kuvendit të Kosovës, ku edhe u zgjodh Glauk Konjufca Kryeparlamentar, si dhe ditën kur është takuar me presidentin Hashim Thaçi.
Kurti sërish ka thënë se në takimin e fundit me LDK’në ka pasur lëvizje, pasi sipas tij të dyja palët kanë bërë nga një propozim. Por, ai nuk tregon se çfarë kanë propozuar, shkruan Monitor.al.
Ndërkaq ai ka shtuar se është i gatshëm të takohet çdo ditë me përfaqësues të LDK’së, deri në arritjen e marrëveshjes.
E enjtja ka qenë dita e fundit që kur kanë shtrënguar duart Albin Kurti e Isa Mustafa, mbi shpatullat e të cilëve njerëz po qëndron arritja e një marrëveshje për krijim të Qeverisë.
Nga ajo ditë në Lidhjen Demokratike të Isa Mustafës nuk ka pasur asnjë deklaratë.
Në LDK kanë folur vetëm pas takimit të fundit që është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës.
Partia e Isa Mustafës ka thënë se partneri i mundshëm i koalicionit e ka të qartë ofertën e LDK-së.
“Të gjitha supozimet dhe hipotezat që po qarkullojnë sonte nëpër medie rreth diskutimeve të sotme në mes të LDK dhe LVV janë të pavërteta. LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje”, ka shkruar LDK në Facebook.
Kurse, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një paraqitje publike ka thënë se bisedimet kanë të bëjnë me modalitetin dhe mënyrën për të mbyllur pakon e marrëveshjes për pozicionet mes dy partive.
Ai thotë se nëse nuk përfaqësohen si duhet në marrëveshje, çmimin do ta paguajë LDK-ja.
“Mandat pa shumicë relative nuk është mirë ta marrë askush, nuk e merr as Kurti. Ne po shpresojmë që e kemi çliruar pengun. Nuk është aq e lehtë arritja e marrëveshjes. Edhe për ne është bërë e tepërt. Nuk ka munguar vullneti politik i LDK-së me arrit marrëveshjen. Ne kemi eliminuar edhe opsionin e zgjedhjeve, ka kapacitet dhe vullnet për me arrit marrëveshjen”, ka thënë ai.
Sipas tij, përderisa nuk ka një marrëveshje duhet të pasur durim.
“Ne po presim që lideri i VV-së ta thërras liderin e LDK-së me oferta dhe me mbyll pjesën e fundit”.
Letrat mes Thaçit e Kurtit s’kanë të ndalur
Të premten e kaluar, presidenti i vendit Hashim Thaçi i shkroi edhe njëherë liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Thaçi theksoi se është në pritje të përgjigjes së Kurtit, që sipas tij kishte premtuar në takimin e tyre konsultativ, por se ende nuk e ka pranuar propozimin e tij.
“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi-Kurtit, duke theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/1”.
Por është pikërisht Kurti ai i cili vendosi që t’i kthejë letrën Thaçit, duke thënë se mesazhi i tij përbën ndërhyrje dhe paragjykim të procesit të formimit të institucioneve dhe paralajmërim kërcënues, në këtë rast për subjektin fitues.
Në letrën e Kurtit thuhet se presidenti i shtetit nuk ka kompetencë t’i drejtohet asnjë deputeti të Kuvendit, asnjë kryetari partie, asnjë kryetari të grupit parlamentar apo asnjë përfaqësuesit të një koalicioni parazgjedhor me pyetjen se a e pranon mandatin për Kryeministër apo jo. Tutje thuhet se veprimi ndryshe i Presidentit, mund të shtrembërojë rendin kushtetues.
Po ashtu u tha se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të gjashtë tetorit dhe se ende nuk është dërguar propozimi për Kryeministër.
“Do ta bëjmë këtë në të ardhmen e afërt, me shkresë zyrtare, porsa të jemi gati. Vetëvendosje nuk po e shfrytëzon këtë kohë për të neglizhuar ndërtimin e koalicionit, as edhe të cenojë autoritetin e Presidentit, por me qëllim të arritjes së një marrëveshje politike që adreson një dakordim për programin qeverisës, zvogëlimin e qeverisë dhe reformat e thella që e presin vendin në muajt e vitet në vazhdim”, thuhet ndër të tjerash në letër, ku edhe theksohet se ndodhen në fazën e finalizimit të marrëveshjes me LDK.
Për buxhetin “drita e kuqe” është ndezur
Në Ministrinë e Financave, që menaxhon edhe me buxhetin e Republikës së Kosovës kanë konfirmuar se në rast që nuk formohet qeveria e re, me 1 mars nuk do të mund të realizohet asnjë pagesë, përfshirë edhe pagat e punonjësve shtetërorë.
Pavarësisht se me ligj nuk përcaktohet ndonjë afat kohor se kur duhet të miratohet buxheti i shtetit, në këtë institucion thonë se nëse është Kuvendi aktiv afati optimal është 31 tetori.
“Sa i përket buxhetit të Republikës së Kosovës në ligjin për menaxhimin e financave publike nuk ka ndonjë afat ligjor se kur duhet të aprovohet buxheti në qeveri. Me përjashtim të rastit kur ligji për menaxhimin të financave publike e parasheh se në situatat kur e ke një Kuvend të Republikës së Kosovës deri më 31 tetor duhet të aprovohet buxheti, duhet të shkojë në Kuvend të Republikës së Kosovës. Mirëpo në rastin konkret ne kemi një situatë më ndryshe për arsye se më 31 tetor ne nuk kemi pasur kuvend për shkak të procesit të zgjedhjeve”.
Ministria e Financave ka përgatitur buxhetin ashtu siç ka qenë i obliguar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe është i gatshëm për procedim në Qeveri e Kuvend.
“Ministria e Financave kësaj i ka ndërmarrë të gjitha hapa dhe ka përgatitur buxhetin siç ka qenë e obliguar me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe një draft është final në Ministri të Financave i cili është i gatshëm që në rrethanat të cilat ndodhemi sot për arsye se buxheti është përgatitur në rrethana dhe në kohën që jemi tani dhe është i gatshëm që të përcillet tutje për në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Në Ministrinë e Financave tregojnë se buxheti i vitit 2019 mund të shfrytëzohen vetëm dy muajt e parë të vitit 2020.
“Nëse konstituohet Kuvendi, atëherë mundet që me një vendim edhe muaji mars të mbulohet me shpenzime buxhetore, por sfidat dhe problemet do të paraqiteshin në muajin prill, pasi që (në atë muaj) më asnjë pagesë e brendshme nuk do të mund të bëhet përveç borxhit ndërkombëtar që e kemi”.
Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo një milion euro më shumë sesa buxheti i këtij viti.
Jo më vonë se më 31 tetor, Ministria e Financave e ka për detyrë që ta përgatisë propozimin me ndarjet buxhetore për secilën organizatë buxhetore dhe Qeveria aprovon atë.
Haradinaj: Kosova mund do të falimentojë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse nuk votohet buxheti për vitin 2020, nga 1 prilli shteti do të bankrotojë.
Ai këtë alarm e ka ngritur gjatë javës së kaluar në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.
“Në bazë të ligjeve të Kosovës, një e dymbëdhjeta e buxhetit aktivizohet me automatizëm për dy muajt janar dhe shkurt, pra 1 e 12-ta e buxhetit paraprak. Ndërsa në fund të shkurtit nëse nuk ka qeveri të re dhe nëse ende nuk është votuar ligji për buxhetin, ekziston një procedurë që t’i kërkohet parlamentit për vazhdimin e një të dymbëdhjetës edhe për muajin mars, por nëse me 1 prill nuk ka instrumente tjera ligjore të funksionit të shteti të kuptimit financiar, jo që bankrotojmë por dështojmë tërësisht. Deri me 1 prill është fundi”.
Haradinaj tutje ka thënë se aktualisht në janar-shkurt nuk ka pengesa ose vështirësi të funksionimit buxhetor.
“Edhe kjo e 1 marsit duhet t’i drejtohemi këtij parlamenti me një kërkesë për me na dhënë pëlqimin që ta vazhdojmë edhe për një muaj, që do të thotë ekziston mundësia ligjore e vazhdimit të 1/12-ës vetëm për muajin mars. Aktualisht në janar-shkurt nuk ka pengesa ose vështirësi të funksionimit buxhetor. Çdo gjë është në rregull, ndërsa nëse hymë në gjysmën e dytë të shkurtit pa buxhet atëherë fillon rreziku”.
Kurse, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu ka thënë se është çështje urgjente të miratohet buxheti i vitit 2020.
“Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë çdo gjë për të miratuar buxhetin e vitit 2020, edhe nëse nuk krijohet qeveria e re”.
Sipas tij tani Kuvendi i Kosovës është konstituar dhe kjo jep mundësi të dilet nga bllokada e cila mund të ketë pasoja të rënda.
“Nëse nuk votohet buxheti i vitit 2020, më së shumti do të dëmtohen bizneset e vendit të cilat do të duhet të marrin kredi në banka”.
Ndërkaq, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka ka thënë se skenari me i keq në të cilin gjendet Kosova është pasi nuk do të mund të implementojë projektet kapitale për vitin 2020.
“Nëse tashme ky është skenari i keq i mundshëm që qeveria e re nuk do të krijohet me kohë dhe Kuvendit nuk i dihet gjendja që të marrë një projektligj për buxhetin për vitin 2020 dhe të njëjtin ta aprovojë, do të ketë disa dispozita kalimtare që do të mundësojnë hyrjen në vitin e ri fiskal ose buxhetor me kufizime. Kjo do të thotë e kufizuar për sektorin privat meqenëse qeveria nuk do të mund të implementojë projektet e parapara kapitale për vitin 2020”.
Kosova edhe në vitin 2019 pati hyrë pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Buxheti për vitin 2019 në vlerë prej 2.3 miliardë eurosh ishte miratuar në muajin shkurt.
Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo një milion euro më shumë sesa buxheti i vitit të kaluar.
Kosova në gjysmën e dytë të vitit 2019 ishte pa institucione funksionale, që nga dorëheqja Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pasiqë ky i fundit u ftua për intervistim si i dyshuar nga Gjykata Speciale për Krime Lufte.
/Fatos Shala për Monitor.al
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.