Reklamat arrijnë 42 milion euro
Tregu i reklamave është dyfishuar në krahasim me disa vjet më parë, por përsëri ai mbetet më i ulëti në rajon. Cilat janë kategoritë e biznesit që shpenzojnë më shumë për reklama
Bizneset vendase duket se janë ndërgjegjësuar mbi forcën që ka reklama në dobi të biznesit të tyre. Pjesa e “luanit” në këtë treg gjithnjë e më shumë në rritje i takon pikërisht medias vizive e cila duket se po triumfon në këtë garë të ethshme, që flet gjuhën e miliona eurove. Të ardhurat, që fiton nga media, për këtë treg duket se janë reflektuar edhe në teknologjitë e përparuara që po përdorin, por edhe në pagesat e punonjësve të tyre. Kompanitë e telekomunikacionit, sistemi bankar dhe ai i prodhimit dhe ekskluziviteteve të shpërndarjes së produkteve të ndryshme duket se shërbejnë si “donatorët” më të mirë në këtë treg, i cili ende konsiderohet i vogël në krahasim me vendet e tjera të rajonit, edhe Europës. Rritja e tregut të reklamave i dedikohet edhe rritjes së çmimeve, që kanë pësuar spotet publicitare gjatë transmetimeve të tyre. Gjithashtu mediat veprojnë në treg me çmime të ndryshme, por edhe me paketa të favorshme për klientët e “rregullt” të fushës së marketingut.
Të dhënat zyrtare lidhur me tregun e reklamave në Shqipëri mungojnë, ndaj “Monitor” u përpoq të bënte një vlerësim të këtij tregu, duke u nisur nga disa tregues si të ardhurat e disa prej agjencive më të mëdha publicitare në vend deklaruar nga tatimet si dhe deklarimet e disa agjencive të tjera publicitare në vend për shumat e reklamuara nga klientët e tyre.
Në bazë të këtyre vlerësimeve, rezulton që tregu i reklamave të ketë arritur në vitin 2007 në rreth 42 milion euro.
Televizioni dhe pjesa e “luanit”
Siguron audiencën më të lartë, falë figurës, zërit dhe teknologjisë, si rrjedhim media vizive është edhe ajo që shënon të ardhurat më të mëdha nga tregu i reklamave. Bizneset shqiptare nuk ngurrojnë të hapin portofolet e tyre dhe të shpenzojnë shuma marramendëse për fushatat e tyre. Shpesh kostoja e këtyre fushatave shtohet edhe në shifrën që duhet të paguhet tek transmetimi. Sipas të dhënave të agjencive publicitare, në Shqipëri, 60% e tregut total të reklamave thithet nga televizionet. Në shifra, kjo për qindje përkthehet në rreth 25 milion euro në vit. Televizioni kryesor përsa i përket të ardhurave është Top Channel me një xhiro vjetore të deklaruar të tatimet prej rreth 5.7 milion euro. Më pas janë Media 6 dhe Media 66 (të TV Klan) me të ardhura së bashku prej rreth 3.1 milion euro.
Po sipas agjencive publicitare në “hitparadën” publicitare, rreth 10% e këtij totali i takon radiove, ndërsa në një shifër disi më të lartë 10% – 15%, medias së shkruar. Tregu i reklamave është i konkurrueshëm edhe në forma të tjera publicitare, me anë të reklamave të stampuara, në kënde, mjete të transportit publik etj. Kësaj pjese të mbetur i takon shifra prej rreth 7-8 milion euro.
Biznesi, dorëlëshuar me raste
Në një detajim të shkurtër të “tortës” së tregut të reklamave, mund të dallohet fare lehtë se përqindjen më të mëdhe të shpenzimeve për këtë fushë e zënë operatorët e telefonisë së lëvizshme, bankat e nivelit të dytë, por edhe disa kompani të mëdha prodhuese.
Peshën kryesore në tregun e reklamave prej vitesh e mbajnë shoqëritë celulare. Në vitin 2007, xhiro e deklaruar te tatimet e kompanisë publicitare Ashley & Holmes, e cila menaxhonte kryesisht reklamat e AMC-së ishte rreth 7.5 milion euro. Në këtë mënyrë vlerësohet që shpenzimet për reklama të dy operatorve celularë gjatë vitit 2007 të jenë diçka më pak se 15 milion euro. Gjatë vitit 2008 telefonia po zë një peshë më të konsiderueshme në tregun e reklamave, pas hyrjes në treg të Eagle Mobile dhe rritjes së agresivitetit të Albtelecom.
Vitet e fundit, edhe sistemi bankar është një burim i fuqishëm i tregut të reklamave. Ka banka të cilat shpenzojnë shifra që i kalojnë 1 milion euro apo edhe 3 milion euro në vit.
Nuk mbeten pas në këtë garë as kompanitë prodhuese shqiptare, të cilat kanë një buxhet disi më të rezervuar. Sipas agjencive publicitare ka kompani prodhuese, të cilat shpenzojnë rreth 500,000 euro në vit për këtë shërbim apo edhe kompani importuese, buxheti i të cilave llogaritet në 2 milion euro.
13. 2 euro për banorë tregu i reklamave
Duke iu referuar shifrës prej 42 milion euro të tregut të reklamave, në bazë të përllogaritjeve mund të thuhet se në Shqipëri, ky treg për banorë llogaritet në rreth 13.2 euro në vit. Shifër kjo që është ndër më të ulëtat në rajon.
Në vende të ndryshme të rajonit shifra e reklamave për banor llogaritet në një mesatare rreth 22 euro për banor. Një dukuri e ngjashme mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit është pikërisht fakti se reklamat televizive zënë rreth 60% të tregut total. Vetëm në Bosnjë Herzegovinë, reklamat televizive zënë gati 90% të totalit.
Të dhënat nuk janë edhe aq pozitive për tregun europian të reklamave mediatike. Rritja për vitin 2008 parashikohet në 4%. Rritja e ngadaltë ekonomike, pasiguria e disa efekteve zinxhirë duket se kanë ndikuar edhe në parashikimet e këtij tregu. Shpresat më e madhe ishin Lojrat Olimpike 2008.
TABELA
|
|
|
|
TEBELA |
|
|
|
Të dhëna krahasuese për tregun e reklamave në rajon |
|
||
|
|
|
|
|
Tregu vjetor i reklamave (në milion euro) |
të ardhurat nga reklamat për frymë (euro) |
|
|
|
|
|
Shqipëria (2007) |
42,000,000 |
13 |
|
Maqedoni (2007) |
42,000,000 |
20 |
|
Kroacia (2006) |
670,000,000 |
149 |
|
Bullgaria (2007) |
245,000,000 |
34 |
|
Serbia (2006) |
150,000,000 |
15 |
|
Bosnia Herzegovina (2006) |
150,000,000 |
33 |
|
Sllovenia |
|
220 |
|
Norvegji |
|
700 |
|
SHBA |
|
560 |
|
|
|
|
|
Burimi: Monitor, ZenithOptimedia, raportet mbi tregun përkatës të reklamave në internet |
Nga Ornela LIperi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.