Mes televizioneve kryesore shqiptare ka nisur një garë e ethshme, programacioni. Formate të reja, që synojnë të bëjnë për vete audiencën. Nuk do të mungojnë në këtë sezon as programet e “importuara” nga jashtë nën formatin italian. Po cilat janë programet e reja që do të ndjekin shqiptarët? Si pritet të fitohet audienca? çfarë problemi paraqet mungesa e një matjeje shkencore të audiencës? Si janë rritur tarifat e publicitetit? çfarë po ndodh me konkurrencën? “Monitor” i zbardh të gjitha këto detaje.
Top Channel: synojmë argëtim dhe informim
Që nga 1 shtatori, në televizionin kombëtar Top Channel kanë nisur programet e reja televizive, të tjera edhe më interesante pritet të nisin në vazhdimësi. Drejtorja e programacionit pranë këtij televizioni, Vjollca Dedei, thotë se ky sezon do të ofrojë shumë surpriza për teleshikuesin. Me një strategji të mirëpërcaktuar, ku asgjë nuk i lihet rastësisë, personeli drejtues, falë edhe teknologjisë së përparuar garanton se ky sezon është tërësisht ndryshe nga ai i mëparshmi. Programi i ri që ka nisur është “Procesi sportiv”, i drejtuar nga Edi Manushi dhe Marina Vjollca. Sipas drejtueses së programacionit, ky është një emision sportiv, i cili do të prezantojë të gjitha ngjarjet më kryesore nga vendi dhe Bota, ku nuk do të mungojnë edhe analizat.
Emisioni “Shqip” i drejtuar nga Rudina Xhunga, vjen me një format të rifreskuar, ku përveç të ftuarve do të ketë edhe filmime të reja si edhe tematika, të cilat do të zhvillohen në terren. Risia tjetër është kalimi i “Top Show”, në transmetim 3 herë në javë. Ndryshimi është se në qendër është një temë e cila analizohet në tre elemente të përzgjedhur. Fiks Fare, vazhdon udhëtimin e tij me tematikat investiguese, ndërsa për herë të parë në ekranin e Top Channel do të shfaqet një cikël emisionesh i titulluar “Rrugëtim” i realizuar në formatin HD nga gazetari Fatos Baxhaku, që do të nisë të transmetohet në datën 20 shtator. “Është një cikël, që ka për qëllim të sjellë në ekran, informacion, dije, njohuri për Shqipërinë, traditën, zhvillimin, braktisjen etj. Po në këtë datë do të nisë edhe transmetimi i programit Top Gear, një ‘show´ britanik, i njohur tashmë nga publiku”, -thotë Dedei.
Top Channel, duket se nuk ndalet këtu. Në bashkëpunim me kompaninë holandeze, Endemol është blerë e drejta e transmetimit për dy programe, “Ti vlen” dhe ” 7 për 7000″. Formati “Ti vlen” është një spektakël me origjinë spanjolle dhe transmetohet për rreth 8 vjet, me elemente argëtues, por që nxjerr në pah talente të reja, në fusha të ndryshme. Ende nuk është përcaktuar se kush do të prezantojë këto dy spektakle, por sipas drejtusve të këtij televizioni, për herë të parë do të provohet suksesi i tyre sikundër ka ndodhur edhe në vendet e tjera. “çdo kush që di të tregojë diçka që është e veçantë nga njerëzit normalë, e sjell dhe e shfaq përpara një jurie dhe publiku. Në qendër është sensi krijues. Është realizuar audienca dhe po përgatiten elementet e fundit për të dalë në skenë me 13 spektakle. Në këtë shfaqje nuk do të ketë një juri klasike, por ndëraktive. Juria do të ketë rolin kryesor, pasi merr pjesë bashkë me personazhin në shfaqje”, -thotë Vjollca Dedei.
Sipas saj, formtati tjetër, “7 për 7000” do të jetë një quiz-mendjeje. Ku për çdo javë do të konkurrojnë 4 persona, të cilët në finale do të luftojnë për të marrë një çmim prej 7,000 euro. Këta konkurrentë do të sfidojnë 7 fëmijë të cilësuar supergjeni nga mosha 9 vjeç deri në 15 vjeç.
“Portokalli” do të kthehet në ekranin e këtij televizioni në datë 5 tetor, me personazhe të reja dhe me një konceptim të ri.
E diela, është padyshim arena ku televizionet kombëtare në vend do të konkurrojnë më ashpër. Top Channel ofron formatin e tij që do të quhet “E diell”. Do të prezantohet nga Adi Krasta, nën shoqërinë e Arbana Osmanit dhe Xheni Shehut. Mund të konsiderohet pa frikë si “binjakia” e emisioneve të njohura italiane “Domenica In” dhe “Buona Domenica”. ” Është një format italian dhe kjo është arsyeja përse kemi punësuar një producente, e cila ka punuar në krah të Pipo Baudos dhe prej dy javësh është duke punuar në krah të personelit shqiptar. Brenda tij, do të ketë muzikë, balet, argëtim, informacione, intervista dhe i dedikohet të gjitha grupmoshave.
TV Klan: në gjurmët e formateve italiane
Besnikë të disa emrave, të cilët kanë prodhuar sukses me programet e hedhura në treg, duket se edhe këtë vit do të shërbejnë si garanci për ecurinë e televizionit kombëtar Klan. Emri i vetëm i ri në këtë televizion është ai i drejtueses së emisionit “Njerëz të humbur”, Aida Shtino, e cila tashmë duket se ia ka besuar prodhimin këtij kanali. Pikat e forta të televizionit Klan, duket se do të mbeten “Opinioni” i Blendi Fevziut, “Më shumë dashuri” nga Alketa Vejsiu, si dhe “E diela shqiptare” nga Ardit Gjebrea. Sipas drejtorit të programacionit, Albert Dumani, ky televizion këtë vit vjen për teleshikuesit më i kompletuar, me prodhime të përmasave më të mëdha, me orë transmetimi më shumë.
“Programi që ka nisur në datë 21 shtator është pikërisht “E diela shqiptare”. Ka kohë që televizionet kanë pasur një vakum programesh në ditën e fundit të javës dhe tashmë është një personel i gjithë, i cili do të mbajë mbi supe 6 orë transmetim direkt, nga ora 13.30 deri në orën 19.30. Në përmbajtjen e tij është formati “talk show”, orkestra direkt, humor, rezultate të ndeshjeve, sport, por edhe prezantimi i Këngës Magjike do të bëhet brenda këtij formati”, -thotë Dumani. Sipas tij, është një format italin, i përshtatur për Shqipërinë, duke parë suksesin që kanë korrur në vendin fqinj formatet me orë të zgjatura transmetimi të ditës së dielë. Drejtori i programacionit në këtë televizion thotë se, ky format garanton shikueshmërinë dhe thith audiencën e kërkuar dhe mund të krahasohet me programet “simotra” në vendet e tjera.
Një ndryshim në formatim, që është parë tashmë në transmetim, është edhe “Opinin” nga Blendi Fevziu, i cili ka hyrë në vitin e 12-të të transmetimit të tij.
“Tashmë, ai transmetohet katër herë në javë, me tema të ditës në fokus, për rreth një orë nga e hëna deri të mërkurën, në orën 22.00 dhe ditën e enjte do të jetë takimi tradicional, që do t´i kushtohet politikës, për shkak edhe të pritshmërisë elektorale”, -thotë Dumani.
Sipas tij, një tjetër blerje interesante konsiderohet edhe “Njerëz të humbur”, i cili u katapultua nga Vizion Plus, për të marrë një dimension më të gjerë, falë një investimi më të madh. “Do të ruhet pak a shumë i njëjti format ekzistues, por me një personel më të zgjeruar, me lidhje direkte në vendet e tjera, do të bëhet më ndëraktiv”, -thotë Albert Dumani.
Një tjetër format rikthehet pas 3 vitesh në këtë televizion dhe është pikërisht “Blue”, që do të drejtohet sërish nga Bledi Strakosha. “Do të ketë elemente të rinj në këtë program sikundër edhe personazhe, të cilët kanë hyrë në skenë gjatë kohës që ky emision nuk ishte në transmetim. Do të ketë rubrika shtesë, ku edhe publiku do të bëhet pjesë, pasi do të ketë mundësi të drejtojë pyetje. Një prej rubrikave do të titullohet “Facebook”, si një prej ‘blogeve´ më të fashmëm në Botë. Është menduar që do të jetë publiku i cili do të zgjedhë personazhin si edhe pyetjet që do të drejtohen”, -thotë Dumani.
Televizioni Klan duket se do të ketë një tjetër format të ngjashëm me analogët në Itali, si “Aldo, Giovani e Giacomo” apo edhe “Le hiene”, të cilin do ta realizojnë personazhet e njohura të ish-grupit “The SHBLSH” në “Portokalli”.
“Do të ofrohet një shkrirje e disa programeve, të cilat janë parë në ekranet italiane, një miks. Do të ketë tema të trajtuara me humor, imitime, por edhe në në formë investigative. Ky program pritet të nisë transmetimin në muajin nëntor”, -thotë drejtori i programacionit pranë televizionit Klan. Ndërkohë që në këtë ekran ka nisur transmetimi i emisioneve të mëparshme, si “Aldo Morning Show” apo edhe “Kutia” nga Enkel Demi. Një tjetër program i cili synon sërish të thithë audiencë është “Më shumë dashuri” nga Alketa Vejsiu dhe që mban firmën e regjisores dhe producentes, Vera Grabocka.
Vizion Plus: në fokus problemet sociale
Risitë nuk mungojnë as tek televizioni Vizion Plus. Emra të rinj dhe të vjetër do të jenë të pranishëm gjatë këtij sezoni. Ajo çka ende nuk po ndihet në këtë ekran është pikërisht dora e grupit “Was Group”, i cili zotëron një pjesë të mirë të aksioneve. Aksioneri gjerman momentalisht është duke monitoruar nga afër ecurinë e televizionit pa ndërhyrë në “zemrën” e tij.
Sipas drejtorit të promocionit, Ilir Dyrmishi, Vizion Plus do të vazhdojë të jetë një ekran i cili i shërben interesave të shtresës së mesme dhe elitare të shoqërisë. “Blerjet” më të fundit të këtij ekrani janë dy emrat e njohur mediatik, Mero Baze dhe Rudina Magjistari. Në formatin e edicioneve informatike do të ketë sërish ndryshme. Sipas Dyrmishit, do të shihet edhe një edicion lajmesh në orën 17.00, si edhe do të ketë një rifreskim të paraqitjes grafike të këtyre edicioneve.
Vizion Plus, do të jetë edhe televizioni që do të ketë transmetimet më të mëdha të ngjarjeve sportive, si “Champions League”, finalia e kupës UEFA, FACUP, si dhe superliga shqiptare e futbollit.
Pika më e fortë e këtij sezoni, sipas drejtuesve të këtij televizioni, do të jetë padyshim vazhdimi i traditës për të trajtuar tema të mprehta sociale dhe që do të kulmojnë me “Misioni Vazhdon” nga Rudina Magjistari.
“Është një format televiziv, i cili vë sërish në fokusin e tij njeriun në nevojë. Në dallim nga një sezon më parë formati i tij është ridimensionuar pa ndryshuar qëllimin e tij. I ardhur si një ndërthurje harmonike e tre elementeve, ky format do të ketë brenda atë çka dhuroi Rudina Magjistari me emisionin e saj “T´kam zemër”, reagimin dhe sensibilizimin publik që nxiti “SOS”, si dhe investigimin mbi fatin e të humburve ndër vite. Një format tepër dinamik, që përpos karakterit të tij social, sjell edhe një këndvështrim tre dimensional të njeriut në nevojë, gjë e cila e bën të veçantë në llojin e vet këtë program. Bazuar në suksesin e tre komponentëve, si dhe duke ndërtuar gjithçka mbi punën dhe eksperiencën e protagonistëve të tyre, formati më i ri televiziv në Vizion Plus, “Misioni vazhdon” pritet të ketë një tjetër ndikim pozitiv për publikun shqiptar”, -thotë Ilir Dyrmishi.
Sipas tij, jo pa qëllim është realizuar edhe “rokada” mes “Zip” dhe “Faktori Plus”, i cili vjen për herë të parë në këtë ekran nga gazetari Mero Baze.
“Synojmë të japim një formatim të ri trajtimit të temave të mprehta të ditës dhe ky është qëllimi përse emisioni “Zip” do të kalojë në transmetim në orët e para të mëngjesit”, -thotë Dyrmishi.
Sipas tij, “Faktori Plus” bazohet mbi disa rubrika, secila me individualitetin e saj, që janë Impakt, Faktori X, Debati Faktor, Jashtë faktorit, Batuta e ditës si dhe Faktori special.
Një tjetër format i ri është edhe ai i titulluar “Mos u nxeh”, që do të vijë nën drejtimin e Turian Hyskës. Është një emision i cili ka në bazë një lojë argëtimi, ku do të përfshihen katër personazhe të njohura publike shqiptare, të cilët do të konkurrojnë për një çmim qesharak.
Në vijimësi, Vizion Plus do të vazhdojë të transmetojë “Zonë e lirë”, “Konak”, “Eureka” apo edhe “Përrallë me romakë”.
Konkurrenca, rritet ashpërsia
Gara mes tre televizioneve kryesore, Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus, nis e ashpër që në orarin e mëngjesit, nga ora 7.00 deri në orën 9.00. “Wake up” dhe “Aldo Morning Show” e kanë nisur që në ditët e para të shtatorit garën. Mes tyre në lojë është futur edhe “Zip”, i zhvendosur në këtë orar nga “Faktor Plus”.
Do të jetë politika që do të joshë audiencën apo argëtimin dhe informacionet e lehta? Është kjo dilema që kanë televizionet, por secila prej tyre përpiqet të “godasë” me armën e emrave të drejtuesve dhe veçantinë.
Nga mëngjesi, gara do të zhvendoset akoma më e fortë ditën e diel, ku Top Channel do të transmetojë “E diel” dhe Tv Klan “E dielë shqiptare”, ndërsa Vizion Plus do të përpiqet të konkurrojë në mbrëmje me “Portokalli” pas datës 5 tetor me “By pass show”.
Në po këtë garë të ethshme do të jenë edhe programet të cilat kanë në qendër ngjarjet e mprehta politike. Dita e hënë risjell në arenë Blendi Fevziun me “Opinion Plus” dhe Rudina Xhungën me “Shqip”, por kështu edhe ditën e enjte, ku përsëri gara thellohet mes dy emrave, Fevziu dhe Balla. Tashmë, në garën e tematikës së ditës do të futet edhe një emër tjetër, Mero Baze, nga e hëna në të premte me “Faktor Plus”.
“Konkurrenca duhet parë si një formë që të çon përpara. Kur një televizion nuk ka konkurrencë dhe mbetet i kënaqur, ai do të thotë se mbetet në vend. Nëse një prodhim realizohet mbi baza të “inatit”, atëherë ai rrjedhimisht do të dështojë. Nëse bën një prodhim që sjell rritje të audiencës, të ardhurave, por edhe cilësi, atëherë ky prodhim do të jetë i suksesshëm. Aktualisht, në prodhimin e programeve nuk jemi ngacmuar nga konkurrenca, pasi prodhojmë mbi një plan afagjatë. Në këtë televizion nuk vendoset për programe sot për nesër, pasi ne dimë çfarë do të transmetojmë deri në fund të qershorit të këtij viti”, -thotë Vjollca Dedei.
Për drejtorin e programacionit, në televizionin Klan konkurrenca është shumë e ndjeshme. ” Është një konkurrencë e cila është në rritje, kjo vihet re edhe nga sezoni në sezon. Vetë shtimi i numrit të formateve dhe i orëve të transmetimit i dedikohet pikërisht kësaj rritjeje. Kemi investuar për të qenë sa më konkurrues, por prania e televizioneve të tjera ndikon pozitivisht në ecuri”, -thotë Albert Dumani.
Për drejtuesit e Vizion Plus, konkurrenca është ajo që ka diktuar strategjinë e re të programacionit, e cila është bazuar në kërkesat e publikut, të cilat njihen në bazë të sondazheve të përditshme, që kryen ky televizion.
Tendenca, televizionet drejt reality show
Nga viti në vit televizionet në Shqipëri kanë rritur së tepërmi cilësinë, por edhe larminë me anë të programeve, të cilët synojnë të përfshijnë grupmosha të ndryshme, por edhe të dy gjinitë. Po cila do të jetë tendenca në të ardhmen e këtyre televizioneve, formatet me karakter popullor, si “reality show” apo formatet që përfshijnë elitën intelektuale.
Sipas drejtores së programacionit në Top Channel, Vjollca Dedei, po shkohet drejt programeve argëtuese, informative dhe sociale. “Programe, ku në fokus vihen problemet e njerëzve dhe argëtimi i tyre. Natyrisht, në ekranet shqiptare do të vazhdojnë të jenë të pranishme formatet “talk show”, pasi janë të thjeshta për t´iu përgjigjur realitetit. Nëse është një temë e ditës, ai do të trajtohet në këtë format, pasi është më i përshtatshmi, por nëse do të trajtohen tema më të thella apo edhe më argëtuese do të ndiqet një format i cili është më i vështirë për t´u prodhuar”, -thotë Vjollca Dedei.
Sipas drejtorit të programacionit në televizionin Klan, tendenca e medias vizive ka pësuar ndryshime të dukshme. “Nëse do të marrim në konsideratë eksperiencën e televizioneve jashtë, vihet re se po ecet paralelisht me ato. Po ecim drejt televizioneve popullore, ku përshihen formatet e “reality show”. Tashmë është në modë edhe dalja e njerëzve të thjeshtë në ekran”, -thotë Albert Dumani. Sipas tij, tendenca e televizioneve shqiptare është të shkojë drejt “masës”, popullaritetit të madh, për të kapur shijet e të gjithëve. Ai thotë se programet elitare janë më të pakta në numër, pasi televizioni duhet të synojë të jetë sa më i prekshëm nga të gjithë, që të mos ketë vetëm telenovela, paraqitjen e jetës së bukur, por të ketë edhe elemente sociale.
“Në këtë ecuri, shikohet edhe agresiviteti në rritje i marketingut, pasi blerjet kushtojnë dhe duhet të investosh për të thithur audiencën”, -thotë Albert Dumani.
Sipas tij, tendenca vihet re edhe në raportin prodhim i huaj apo shqiptar, që kohët e fundit është përmbysur, pasi programet në rreth 70% të totalit mbajnë firmën “Made in Albania”.
Të asistohesh nga të huajt
Është një fenomen i ri për televizionet shqiptare. Top Channel duket se tashmë e ka bërë pjesë të strategjisë së tij. Ata janë producentë ose regjisorë të huaj, të cilët kanë tashmë kontrata pune me ketë televizion. Në dy programet, “Ti vlen”, por edhe “7 për 7000”, drejtuesit e këtij televizioni kanë preferuar që krahas specialistëve shqiptarë të menaxhohen edhe nga të huajt. Në spektaklin “Ti vlen”, sipas drejtores së programacionit, është kontraktuar ideuesja dhe krijuesia e formatit origjinal në Spanjë. “Është vetë Endemol, i cili sjell këshilltarët e tij në rastet kur blihet e drejta e transmetimit të këtyre shfaqjeve. Ardhja e tyre shoqërohet edhe me atë që njihet si Bibla e këtyre transmetimeve, një rregullore e cila duhet të ndiqet në mënyrë rigoroze nga vendet që marrin përsipër prodhimin e shfaqjeve të tilla. Është një standard europian dhe duhet të jetë i njëjtë”, -thotë Dedei. Përsa i takon spektaklit “7 për 7000”, Dedei thotë se fëmijët do të asistohen nga një ekspert i huaj, i cili do t´i trajnojë jo vetëm për mënyrën se si duhet të sillen në skenë, por edhe për mënyrën se si duhet të përballen. “Ardhja e ekspertëve të huaj, nuk ka të bëjë me mungesën në tregun shqiptar të specialistëve, por shërben si një garanci, jo vetëm për të trajnuar punonjësit, por edhe për të krijuar standarde”, -thotë Vjollca Dedei. Sipas saj, në shkollat shqiptare mungon tërësisht përballja me formatet e spektakleve të mëdha. Është një tendencë për të sjellë një kulturë të re në televizionet shqiptare.
Kur audienca “thithet” me intuitë
Shqipëria është një nga të paktat vende në Botë ku nuk funksionon një sistem matës i audiencës. çdo e dhënë që vjen lidhur me shikueshmërinë televizive merret në bazë të anketimeve “alla shqiptare”, që mediat kryejnë për llogari të tyre. Është një e metë që mundon televizionet në rrugën e tyre, jo vetëm mbi raportet statistikore, vendin që zënë realisht në treg, por edhe si një tregues që duhet të shërbente për marketingun, por edhe për prodhimtarinë.
Me programet e reja që televizionet shqiptare po hedhin në treg, synojnë të arrijnë pikërisht audiencën, të rrisin praninë e tyre te shikuesi, por jo vetëm edhe te klientët e biznesit.
Sipas drejtores së programacionit, në Top Channel, Vjollca Dedei, përzgjedhja e formateve të reja është bërë e kujdesshme për t´i shërbyer një grupi të synuar të gjerë, ku çdo njeri mund të shohë vetveten, miqtë apo edhe të njohurit. Bëhet fjalë për një proces i cili afron shikuesin me shfaqjen, që do të përfshijnë një gamë të gjerë.
“Televizionet vuajnë mungesën e matjeve shkencore të audiencës. Është shumë e vështirë të përcaktosh se çfarë duhet të jetë e suksesshme. Matjet tregojnë se për çfarë është e prirur audienca. Ne kemi synuar të ofrojmë argëtim dhe informim, por nuk ka të dhëna që duhet të diktojnë shijet e shikuesve nëse është politika, argëtimi, informacioni etj.”, -thotë Vjollca Dedei. Sipas saj, mungesa e matjes së audiencës ndikon edhe në strukturën e programit. “Me anë të matjeve do të kuptonim se cilat janë oraret më të mira për të gjitha moshat, apo edhe gjininë. Mbi këtë bazë do të përcaktoheshin më drejtë transmetimet e programeve, por edhe lëvizjet e marketingut”, -thotë Dedei. Sipas saj, televizioni i realizon pyetësorët në mënyrë intuitive dhe jo të mbështetura në rrugë shkencore. “çdo televizion mund të pretendojë se me anë të programeve të tij ka thithur shikueshmërinë më të lartë, por askush nuk e ka matur realisht audiencën. Në matjen e pikut të shikueshmërisë do të zhvillohej edhe më mirë marketingu, pasi emisioni me shikueshmërinë më të lartë do të kishte çmimet më të larta, pasi biznesi do të përfitonte vëmendjen më të lartë nga audienca”, -thotë drejtuesia e programacionit, në Top Channel.
Nga ana tjetër, sipas drejtorit të programacionit në televizionin Klan, Albert Dumani, strategjia për të thithur audiencën është duke përfshirë në transmetim programe të cilat përfshijnë të gjitha grupmoshat. “Synojmë programe gjeneraliste. Është një strukturë e cila është menduar gjatë verës dhe kërkon të përfshijë grupmoshat nga fëmijët e deri te më të vjetrit, falë humorit, argëtimit, por edhe politikës”, -thotë Dumani. Sipas tij, mungesa e matjes së audiencës ndikon edhe në blerjen jashtë vendit të programeve. “Shqipëria dhe Bolivia ndien mungesën e matjes së audiencës dhe kompanitë e huaja nuk e konceptojnë dot këtë hendek, i cili u bëhet i ditur gjatë kontratave të blerjes së programeve. Do të ishte shumë e nevojshme jo vetëm për një televizion, por edhe për klientët e reklameve kryerja e këtyre matjeve”, -thotë drejtori i programacionit në TV Klan.
“Piku i audiencës, kuptohen në kushte “alla shqiptare”, duke ndërmarrë anketime me anë të telefonatave, nëpërmjet shkrimeve në media të ndryshme. Jemi të kujdesshëm të kapim informacione gjatë bisedave në kafe, me njëri-tjetrin, për të kuptuar suksesin ose dështimin e një programi”, -thotë Albert Dumani.
Nga ana tjetër, sipas drejtorit të promocionit, Ilir Dyrmishi, Vizion Plus ka një strategji disi më specifike duke synuar të thithë audiencën në prezantimin e problemeve të mprehta sociale për t´i ardhur në ndihmë shtresave më në nevojë, por edhe duke synuar elitën e shoqërisë.
Reklamat, çmimet gjithnjë në rritje
Nuk është një dukuri e cila nuk pritej, por ajo që mund të thuhet është se çmimet e reklamave kanë pësuar një rritje të ndjeshme, si gjatë programeve ashtu edhe në fashat e orareve të edicioneve informative. Në krahasim me një vit më parë, sipas ofertave zyrtare të televizioneve, emisioni me çmimin reklamues më të lartë (çmimi për 30 sekonda spot publicitar, matje mesatare) rezulton tek “Opinion” me një vlerë 100,000 lekë për 30 sekonda spot, ndërsa tani ky çmim ka pësuar një ulje prej rreth 11%. Nuk mund të thuhet kjo për shfaqjen humoristike “Portokalli”, e cila ka pësuar edhe rritjen më të lartë, duke shënuar edhe “rekordin” për këtë çmim, me 150,000 lekë për 30 sekonda ose me rreth 127% rritje në krahasim me vitin 2007. Një rekord në çmim ky që justifikohet me audiencën maksimale që arrin ky emision.
Rritje të ndjeshme, sipas të dhënave zyrtare të televizioneve, ka pësuar në reklamim edhe emisioni “Zonë e Lirë”, ku 30 sekonda spot publicitar tashmë kushtojnë 99,000 lekë ose 41% më shumë se në vitin 2007. Kjo tendencë është reflektuar pothuajse në të gjitha programet dhe emisionet, të cilat kanë qenë në transmetim një vit më parë. Ndërsa përsa i takon programeve të reja, që hidhen në treg këtë vit, sipas ofertave të televizioneve momentalisht, “Ti vlen”, në Top Channel rezulton si programi me çmimin me të lartë të deklaruar për 30 sekonda, në rreth 120,000 lekë, në TV Klan, programi “E diela shqiptare” llogarit një çmim reklamues për të njëjtën kohë në rreth 60,000 lekë, ndërsa në Vizion Plus, “Misioni vazhdon” llogarit çmimin e saj reklamues për 30 sekonda në 36,000 lekë.
Nuk janë vetëm programet, që kanë pësuar këtë rritje çmimesh, por edhe spotet publicitare në fashën e orarit transmetues të lajmeve. Kështu, në të tria këto televizione, fillimi i edicionit qëndror informativ është koha kur shënon edhe çmimin më të lartë, për shkak të rritjes së audiencës. Në televizionin kombëtar Top Channel, orari 19.30 llogarit si çmim për 30 sekonda publicitet shumën prej 46,500 lekë, duke shënuar një rritje prej 19%. Në televizionin kombëtar Klan, e njëjta kohë reklamuese kushton 30,000 lekë ose 20% më shumë. Në televizionin Vizion Plus, po kjo fashë orari reklamimi tashmë kushton 34,500 lekë ose 64% më shtrenjtë.
çmime të larta reklamimi paraqesin edhe ngjarjet sportive, kështu të reklamosh gjatë kohës së transmetimit të Champions League, 30 sekonda spot publicitet kushtojnë 123,000 lekë.
Për më shumë informacion shikoni tabelën “çmimet e reklamave televizive 2008”
Nga Elona Gusmari
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.