Flet Eglinor Ramaj, administrator i Digit-Alb
Pandemia dha një efekt negativ në botë në industrinë e televizioneve me pagesë, kryesisht televizionet kabllore, satelitore dhe shoqëritë e telekomunikacionit. Për operatorin më të madh të këtij segmenti në vend, Digit-Alb, 2020-a ishte në nivele të kënaqshme dhe efekti konsiderohet më i ulët në krahasim me shërbimet e njëjta në tregjet europiane dhe në SHBA.
Eglinor Ramaj, administrator i Digit-Alb, pohon se pandemia ndikoi në rritjen e orëve të kaluara, duke ndjekur programe televizive, apo përdorimin e rrjeteve sociale dhe shërbimeve të tjera të lidhura me Teknologjinë e Informacionit. Sidoqoftë, interesi nuk arriti të rrisë aktivitetin financiar të shoqërive që mundësojnë këto shërbime (të paktën në tregun tonë).
Digit-Alb parashikon që, shumë shpejt, do të fillojë implementimi i projektit OTT (Over the Top), i cili do të mundësojë marrjen e shërbimeve klasike të Digit-Alb, por edhe të shërbimeve të reja interaktive, nëpërmjet aplikimeve në Smart TV, Tablet etj.
Si ka qenë ecuria e kompanisë në vitin e pandemisë?
Duke marrë parasysh trendet globale në industrinë e televizioneve me pagesë, mund të themi me plot bindje se ecuria e Digit-Alb gjatë vitit të pandemisë ishte në nivele krahasimisht të kënaqshme. Botërisht, viti 2020 konfirmohet si viti me impaktin më negativ në këtë industri, duke përfshirë kryesisht televizionet kabllore, satelitore dhe shoqëritë e telekomunikacionit.
Nga studimet e deritanishme, rënia e abonimeve në televizionet me pagesë në nivel global, ka ardhur kryesisht si pasojë e skepticizmit financiar të konsumatorit, si dhe pesimizmit të përgjithshëm që shkaktoi pandemia. Sigurisht, edhe Digit-Alb u ndikua, por jo në nivelet e vendeve më të zhvilluara duke qenë se çmimet e shërbimeve në tregun tonë janë shumë më të lira (mbi 10 herë më të lira) se sa shërbimet e njëjta në tregjet europiane dhe SHBA.
Një faktor shumë i rëndësishëm, i cili ndikoi në rënie, ishte edhe ndërprerja e të gjithë eventeve sportive Live gjatë gjysmës së vitit 2020. Fillimi i kampionateve pa praninë e tifozëve në stadiume shkaktoi edhe një zbehje të shkëlqimit që këto liga përfaqësojnë në subkoshinencën e konsumatorit, duke ndikuar në shitjet e paketave të abonimeve.
Cili ishte reagimi juaj gjatë pandemisë?
Në përgjithësi, në Digit-Alb, jemi përpjekur gjithmonë që edhe ngjarjet më të pafavorshme të mund t’i kthejmë në favorin tonë, duke aplikuar transformime të befta në strategji, promocion dhe shitje. Sigurisht, karantina dhe kufizimi i lëvizjes që diktoi situata e pandemisë në vitin 2020 ishin ngjarje të pazakonta për të gjithë bizneset.
Së pari, reagimi fillestar ishte nga ana e Burimeve Njerëzore, për të marrë masat e nevojshme në vijim të direktivave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Duke qenë një kompani thellësisht teknologjike, ishte më i lehtë organizimi i punës nga shtëpia përmes lidhjeve me kompjuter (remote connection) për shumicën e punonjësve. Ndërsa për një pjesë të punonjësve, prania fizike e të cilëve është e domosdoshme, duke qenë se në thelb jemi një televizion, u zbatuan me përpikëri protokollet e sigurisë sipas normativave.
Së dyti, nga ana komerciale mund të themi që ishim të përgatitur. Kjo për shkak se prej shumë vitesh ofrojmë shërbimin “Online Unit”, që u mundëson të gjithë abonentëve të kryejnë riabonime apo abonime të reja (edhe duke blerë dekoderin) përmes faqes sonë zyrtare në Web.
Së treti, u bënë ndërhyrje të rëndësishme edhe në strukturën programore, sidomos në muajt mars – gusht 2020, ku çdo orë e ditës mund të thuhet që ishte “Prime Time”, sepse shumica e popullatës ishin në shtëpi dhe kishin pritshmëri nga programet televizive. Në këto kushte, struktura programore e gjithë kanaleve tematike dhe kryesisht atyre sportive u ridimensionua në përputhje me kushtet e reja në të cilat ndodhej audienca.
Shumë vështirësi u krijuan për kanalet sportive, kjo sepse pati një ndalim total të eventeve “Live”. Edhe këtu ndërhymë me aq sa mundëm, duke shfrytëzuar arkivin tonë, duke risjellë në vëmendjen e publikut evente sportive historike që ngjallnin nostalgji, duke zbutur disi efektin e mungesës së sporteve “Live”.
Në afatin e gjatë, si e ndryshoi pandemia konceptin e menaxhimit të riskut, punës online, për grupin tuaj?
Duke qenë një shoqëri e madhe, me një aktivitet të konsiderueshëm dhe kryesisht për arsye se shumica e aktivitetit lidhet me marrëdhënie biznesi me vende të huaja, koncepti i menaxhimit të riskut prej kohësh është familjar në Digit-Alb.
Për këtë kemi edhe një grup pune që shërben edhe si “response team” (Skuadër kundërpërgjigjeje) kundrejt emergjencave dhe risqeve të ndryshme që përfshijnë:
- Personelin
- Furnitorët (Supply Chain)
- Forca Madhore me ndikim në Transmetimet Televizive.
Pandemia na vuri përballë një situate krejt të re e të panjohur më parë, të cilën e trajtuam me protokollin e një fatkeqësie natyrore, duke bërë ndryshime të shpejta për t’u përshtatur me kushtet e reja. Vijojmë t’i përmirësojmë këto ndryshime, duke pasur parasysh që situata nuk është normalizuar krejtësisht dhe në harkun e pak muajve, situata e vitit 2020 mund të përsëritet.
Për këtë, masat kryesore janë marrë për stabilizimin e zinxhirit të furnizimit, kryesisht ngaqë kjo lidhet me tregje ndërkombëtare dhe ndikohet nga faktorë të jashtëm.
Sa i përket punës online, mund të themi që është një çështje e zgjidhur. Edhe mbledhjet e departamenteve, deri para pak muajsh, vijonin të bëheshin online. Sot që flasim kemi filluar sërish organizimin e tyre online, përmes platformave si Zoom, Webex, Microsoft Teams, të cilat ofrojnë shërbimin video, por edhe shkëmbimin e dokumenteve, prezantimeve etj.
Nga ana financiare, jemi të kujdesshëm për menaxhimin e riskut. Programe financiare dhe menaxhmenti si SAP kanë modulet e duhura edhe për këtë.
Sa u rrit vëmendja drejt teknologjisë nga pandemia? Sa ndikoi karantina në rritjen e shikueshmërisë së programacionit të Digit-Alb?
Nga ana sasiore jemi të sigurt që pandemia ndikoi në rritjen e orëve të kaluara, duke ndjekur programe televizive, apo përdorimin e rrjeteve sociale dhe shërbimeve të tjera të lidhura me Teknologjinë e Informacionit. Sidoqoftë, përshtypja jonë është që ky interes nuk arriti të rrisë aktivitetin financiar të shoqërive që mundësojnë këto shërbime (të paktën në tregun tonë). Kjo për shkak të arsyeve të përmendura më sipër.
Sa e ndieni konkurrencën e platformave të huaja, si p.sh. Netflix? Duke qenë se këto platforma nuk paguajnë taksa në Shqipëri, sa ju krijon disavantazh kjo situatë?
Pikë së pari, dëshiroj t’ju korrigjoj, pasi Netflix nuk është një konkurrent direkt i Digit-Alb. Netflix është një librari kontenti online, ndërsa Digitalb është një Televizion me Pagesë, ku ndërthuret Transmetimi Live (ngjarje sportive), Transmetimi Linear (kanale televizive lineare) dhe Libraria (Popcorn).
Penetrimi i Netflix në tregun tonë është i kufizuar dhe nga sondazhet tona rezulton se përdoruesit e Netflix e përdorin këtë shërbim maksimalisht për 6 muaj, pasi Libraria ka kufizimet e veta. Më pas, përdorimi bie në mënyrë drastike. Kjo nuk ndodh me Televizionin me Pagesë, sepse eventet sportive “Live” nuk mbarojnë, prodhimet televizive në rang global janë shumë herë më të mëdha se prodhimet që Netflix blen, apo i ka prodhime origjinale të vetat.
Lidhur me konkurrencën në tregun e brendshëm, së fundmi keni humbur të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të futbollit të Serisë A. Sa do të ndikojë kjo në ecurinë tuaj?
Kjo erdhi si pasojë e ndjekjes së parimeve tona të biznesit. Është e vërtetë që synimi ynë kryesor lidhet me ofrimin e më së mirës për abonentët tanë, por, nga ana tjetër, gjithmonë jemi kujdesur që kjo të realizohet duke respektuar së pari etikën e të bërit biznes.
Çështja e Serisë A u ndërlikua nga vetë agjencia ndërkombëtare që i menaxhonte këto të drejta, gjë që shkaktoi edhe tërheqjen tonë për shkak të përcaktimeve jo të qarta të territorit të licencimit, si dhe mënyrave të transmetimit të saj.
Rezultati është që sot, këtë event e transmetojnë disa subjekte të ndryshme, në metoda transmetimi të ndryshme, duke konfuzuar abonentët potencialë. Edhe më e komplikuar paraqitet situata në Kosovë ku eventi transmetohet edhe në gjuhën serbe, duke prishur ekskluzivitetin e kujtdo që mund të ketë blerë të drejtat për territorin.
Në këto kushte, nuk mund t’u ofronim abonentëve tanë që të blinin probleme me para. Nuk do ta bëjmë kurrë këtë! Kuptohet që njëfarë ndikimi kjo do ta ketë, por dua të theksoj se Digit-Alb nuk tregton evente të caktuara, por një produkt të plotë televiziv. Ky produkt është ai që audienca shqiptare, brenda dhe jashtë kufirit, vlerëson më shumë. Nisur nga ecuria e shitjeve në muajin gusht dhe në fillim të shtatorit, mund të them me bindje të plotë se ndikimi ka qenë i papërfillshëm.
Cilat janë planet tuaja në të ardhmen në drejtim të investimeve në teknologji e programacione të reja?
Në të ardhmen e afërt, planet tona përfshijnë rritjen e cilësisë së transmetimit, duke shtuar numrin e kanaleve HD. Gjithashtu shumë shpejt do të fillojë implementimi i projektit OTT (Over the Top), që do të mundësojë marrjen e shërbimeve klasike të Digit-Alb, por edhe të shërbimeve të reja interaktive, përmes aplikimeve në Smart TV, Tablet etj.
Nga ana e strukturës programore, shumë shpejt do të lançojmë një kanal të ri me përmbajtje ekskluzive, ndërkohë që një tjetër program shumë i dashur për audiencën shqiptare do të ketë dritaren kryesore ekskluzivisht në Platformën Digit-Alb.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.