Tendenca për kursim, e fortë, por nuk rrezikojmë deflacion

14/05/2012 2:24 PM 0 komente

Konsumatorët po i qëndrojnë “fanatikë” prirjes së muajve të fundit për të kursyer, duke ulur shpenzimet.

Në raportin e fundit të politikës monetare për tre muajt e parë të vitit, Banka e Shqipërisë vëren se preferenca ndaj kursimit vijon. Kjo bazohet nga ulja e kredive konsumatore nga individët, rritja e depozitave me afat, rënia e kredive për investim nga biznesi.

“Edhe në vrojtimet që ne realizojmë me biznesin dhe individët na rezulton se prirja do të jetë e tillë edhe në muajt në vazhdim”, thanë gjatë prezantimit të raportit përfaqësuesit e BSH-së. Biznesi ka ulur investimet, sepse vazhdon të ketë pasiguri mbi të ardhmen, ndërkohë që nevojat për likuiditet kanë rritur kredinë në këtë drejtim.

Në një kohë kur ekonomia po rritet nën potencialet e saj, konsumi do të jetë i ulët, investimet të pakta dhe inflacioni do të jetë me të gjitha gjasat, nën 3%.

Në këto kushte, inflacioni do të vijojë të mbetet në nivele të ulëta, ku kufiri maksimal nuk pritet të kalojë 2.8%, ndërsa më i ulëti 0.7%.

BSH argumenton se shkak për uljen e inflacionit është rënia e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve, megjithëse kjo pak është reflektuar në konsumatorin fundor.

“Nga kontaktet që ne kemi pasur me importuesit na është konfirmuar se po importojnë me çmime më të ulëta se asnjëherë tjetër”, thanë përfaqësuesit e Bankës Qendrore.

Edhe hendeku i prodhimit vazhdon të jetë negativ ndërsa inflacioni i importuar është me norma të moderuara. Duke faktorizuar zhvillimet e deritanishme dhe pritjet për të ardhmen, projeksionet tona tregojnë se, me një probabilitet ndodhjeje 90%, Banka e Shqipërisë beson se inflacioni i çmimeve të konsumit do të luhatet në bandën 0.7%–2.8% gjatë vitit 2012

Por përfaqësuesit e Bankës e kanë përjashtuar riskun e një deflacioni, sepse gjatë muajve në vazhdim mund të kemi rritje të inflacionit, për shkak të shtimit të konsumit nga periudha e nxehtë dhe më e volitshme për të shpenzuar.

Çmimet e lëndëve të para parashikohen të mbeten të ulëta, duke nënkuptuar presione të dobëta nga inflacioni i importuar. Në terma realë, deficiti i eksporteve neto është ngushtuar në tremujorin e katërt të vitit, duke shtuar kontributin pozitiv në kërkesën agregate. Ngushtimi i deficitit të eksporteve neto ka ardhur nga rënia e importit të mallrave e shërbimeve në terma realë, me rreth 2.5% dhe nga rritja e eksporteve me rreth 9.6% në terma vjetorë. Zhvillimet në tregtinë e jashtme në dy muajt e parë të vitit tregojnë për reduktim të shkëmbimeve tregtare në terma vjetorë.

Eksportet në vlerë në këta dy muaj u reduktuan me 20.5% kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të mëparshëm Importet kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmin e rritjes së tyre, duke shënuar rritje vjetore nominale prej 1.8% gjatë kësaj periudhe. Këto zhvillime janë reflektuar në thellimin e deficitit tregtar në dy muajt e parë të vitit, me një normë vjetore prej 21.9%. Ky deficit përcaktohet më së shumti nga shkëmbimet tregtare të energjisë elektrike.

Remitancat u rritën me 14.3% dhe flukset hyrëse të IHD-ve me rreth 25%, v-m-v.

 

Politika monetare, pak efekt

Ulja e normës bazë të interesit, e ulur disa herë gjatë muajve të fundit nga Banka e Shqipërisë, ka dhënë pak efekt në tregun ndërbankar. Në kushtet kur nevoja për financim nga qeveria mbetet e lartë, nismat e BSH-së do të vazhdojnë të ndihen pak në ekonomi.

Një efekt negativ po jep edhe mospjesëmarrja në tregun e letrave me vlerë të qeverisë të disa bankave të mëdha në vend.

Edhe përfaqësuesit e Bankës Qendrore e kanë pohuar këtë fakt, por presin që situata të përmirësohet në muajt në vazhdim.

“Është e vërtetë se situata është pak nervoze në treg, por duhet të presim ende muajt e ardhshëm”, thanë përfaqësuesit e BSH-së.

Ndërkohë, Banka Qendrore ka mundësinë të përdorë edhe mekanizma të tjerë për të nxitur ekonominë, si blerja e letrave me vlerë të qeverisë nga vetë ajo apo edhe ndërhyrja në tregun e këmbimit valutor. Por këto masa nuk janë ende në “preferencën” e BSH-së, për sa kohë nuk janë ezauruar të gjitha masat. Hapat më ekstremë do të mund të ndërmerreshin vetëm nëse norma bazë do të shkonte drejt 0 dhe nuk do të jepte efekt në ekonomi.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of