Pasqyrat më të fundit financiare të disponueshme në lidhje me sezonin 2019/20, tregojnë se ndërkohë që pandemia, e cila vijon, ka shkaktuar humbje të mëdha në të ardhurat nga ndeshjet e ditës dhe në të drejtat televizive te klubet kryesore, të ardhurat tregtare kanë qenë më pak të prekura, me humbje më pak dramatike krahasuar me burimet nga ndeshjet e ditës dhe të drejtat televizive, kryesisht për shkak të shumë marrëveshjeve të rëndësishme që janë nënshkruar para pandemisë – shkruan KPMG në një raport të fundit.
Madje, në të vërtetë, dy nga pesë kampionatet kryesore europiane (Big5) kanë regjistruar një rritje nga viti në vit të të ardhurave tregtare në nivel kampionati.
Premier League angleze arriti të rrisë të ardhurat tregtare të përgjithshme me thuajse 200 milionë euro në 1,815 miliardë euro, me një normë rritje me 12% në sezonin 2019/20, e nxitur kryesisht nga marrëveshja 10-vjeçare për të drejtat e emrit të Everton për stadiumin e ri në Bramley-Moore Dock të Liverpool, e nënshkruar me miliarderin rus, Alisher Usmanov, i cili ka paguar 30 milionë paund vitin e kaluar, për mundësinë për t’u bërë sponsori kryesor i stadiumit të ri. Bundesliga gjermane regjistroi një rritje modeste (1%) të të ardhurave tregtare, kryesisht për shkak të rezultateve më të mira të klubeve gjermane në kompeticionet për klube të UEFA.
Të ardhurat tregtare totale në La Liga-n spanjolle ranë lehtë (-2,5%) në sezonin 2019/20, kryesisht për shkak të rënieve të konsiderueshme të Barcelonës (EUR -37m), ndërsa klube të ndryshme në La Liga regjistruan rritje të të ardhurave tregtare. Në Francë, anulimi i sezonit 2019/20 kufizoi aftësinë e klubeve për të respektuar të ardhurat tregtare dhe për pasojë, klubet e Ligue 1 regjistruan një rënie me 10.2% të të ardhurave tregtare totale.
Të ardhurat tregtare totale të klubeve të Seria A italiane ranë me 116 milionë euro (-14,6%) në 679 milionë euro në sezonin 2019/20: thuajse gjysma e kësaj shifre përfaqësohet nga rënia e të ardhurave tregtare të Inter Milan me 50 milionë euro, për shkak të përfundimit të disa kontratave të ndryshme sponsorizimi me shoqëri aziatike pranë pronarëve të Suning, dhe mosrinovimit në këtë sezon.
Siç u përmend më sipër, ndikimi në të ardhurat tregtare i pandemisë u kufizua në 2019/20, pasi pjesa më e madhe e marrëveshjeve ishin nënshkruar për sezonin. Për të pasur një tregues të tendencave tregtare më të fundit, po analizojmë marrëveshjet e reja të nënshkruara nga shpërthimi i pandemisë, duke nisur në maj 2020, veçanërisht dy komponentët më të rëndësishëm të të ardhurave tregtare të klubeve – sponsorizimet e fanellës (në pjesën e përparme) dhe marrëveshjet me furnizues kit (veshje sportive dhe pajisje të tjera).
Duke u përqendruar te pesë kampionatet kryesore europiane, që nga fillimi i pandemisë në Europë janë nënshkruar më shumë se 40 marrëveshje të reja për sponsorizimin e fanellës. Vlera mesatare e këtyre marrëveshjeve duket se është konstante, me një rënie më pak se 1% krahasuar me marrëveshjet e fundit para pandemisë. Mund të pritej një ndikim më i madh, duke qenë se sponsorët kryesorë të fanellave marrin vlerë të madhe nga transmetimet, dhe me stadiumet bosh, vlera e një publiciteti të tillë u zbeh.
Në përgjithësi mund të vërehen si rritje edhe rënie të vlerës së marrëveshjeve, të ndikuara nga faktorë të ndryshëm, si rezultatet në fushë, transferimet e lojtarëve, ecuria tregtare e klubeve, data e fillimit të negociatave (para ose pas pandemisë) dhe lloji i marrëdhënies me markat e interesuara.
Për shembull, një nga fituesit e mëdhenj është Inter Milan, i cili pas marrëveshjes së gjatë me Pirelli e zëvendësoi atë me platformën fan-token të mbështetur në blockchain, socios.com, duke dyfishuar të ardhurat nga ky burim. Në anën tjetër, rivalët e qytetit, AC Milan rinovuan marrëveshjen e tyre me Emirates – marrëveshja e re është afërsisht 56% e vlerës së marrëveshjes së mëparshme.
Nuk është e çuditshme që kohëzgjatja mesatare e marrëveshjeve të sponsorizimit të fanellës u ul nga 2.6 në 1.8 vjet, për shkak të paqartësive në lidhje me mundësitë e aktivizimit me pandeminë e cila vijon. Më së shumti janë nënshkruar kontrata njëvjeçare, duke përfituar si sponsori edhe klubi. Sponsor të tillë janë në gjendje të shfrytëzojnë atë çfarë mund të konsiderohet një treg i pafavorshëm dhe të eksperimentojnë me një bazë tifozësh shumë të angazhuar, ndërkohë që klubet ndiejnë një lloj lehtësimi financiar dhe stabilitet. Megjithatë, marrëveshja 5-vjeçare e Manchester United me TeamViewer është kundër rrymës, duke shfaqur mundësi për disa marka për të përfituar nga situata.
Në anën tjera vëzhgohen tendenca të ndryshme edhe nga më shumë se 30 marrëveshje të reja me furnizuesit kit, të nënshkruara në pesë kampionatet kryesore të Europës nga fillimi i pandemisë. Ndërsa kohëzgjatja mesatare e marrëveshjeve kit u reduktua nga 3.6 në 3.2 vjet, vlera mesatare e kontratave është rritur më shumë se 10% te klubet e pesë kampionateve kryesore që kanë nënshkruar marrëveshje të reja, ose i kanë rinovuar ato.
Siç tregojnë edhe të dhënat, marrëveshjet me furnizues kot janë në përgjithësi më të gjata krahasuar me marrëveshjet sponsorizuese të fanellave dhe si rezultat ndikohen më pak nga goditjet afatshkurtra si ndalimi i përkohshëm i rritjes së industrisë. Marrëveshja e re e Watford FC me Kelme para sezonit 2020/21 ishte rritja më e madhe relative, pasi marrëveshja e re raportohet se ishte 2.4 herë më shumë se ajo e mëparshme.
Megjithatë, jo të gjitha marrëveshjet janë nënshkruar me kushte më të mira. Një shembull është Sevilla, e cila deklaroi se rinovoi marrëveshjen me Nike me kushte thuajse të njëjta. Ndër të tjera, klube të ndryshme kanë përjetuar një rënie të vlerës së sponsorizimeve të kit, duke nxjerrë edhe një herë në pah rëndësinë e faktorëve të ndryshëm që përcaktojnë kushtet e një marrëveshje të re sponsorizimi.
/ KPMG