Agjencia e Prokurimeve Publike u ka rekomanduar organizatave jofitimprurëse që të bëhen aktive në prokurime publike, ashtu si operatorët e tjerë ekonomikë sipas parashikimeve ligjore që janë bërë në ligjin për prokurimet. Në këtë rekomandim, APP nënvizon se legjislacioni e lejon pjesëmarrjen e OJF-ve në tenderë dhe garanton trajtim të barabartë dhe jo diskriminues.
“Agjencia e Prokurimit Publik (APP), në ushtrim të detyrave të saj, sipas parashikimeve të nenit 13, pika 2/d të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” të ndryshuar (në vijim “LPP”), harton këtë rekomandim, me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes së organizatave joqeveritare (në vijim “OJF”), në cilësinë e operatorëve ekonomikë në të gjitha procedurat e prokurimit dhe në mënyrë të veçantë, procedurat që kanë si objekt shërbimet sociale dhe shërbimet e tjera të veçanta.
Theksojmë se, një ndër parimet kryesore të LPP, është të nxisë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik, si dhe të sigurojë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues të tyre, në procedurat e prokurimit publik.
Legjislacioni i prokurimit publik lejon pjesëmarrjen e OJF-ve në procedurat e prokurimit publik në cilësinë e operatorëve ekonomikë, të cilat mund të lidhin kontrata publike sipas fushës së veprimtarisë të parashikuar në statutin e tyre.
Në këtë mënyrë, të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar, pa asnjë lloj dallimi, qofshin këta, person fizik, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, shoqëri aksionere apo organizata jo qeveritare, mund të aksesojnë sistemin e prokurimit elektronik, duke u pajisur me llogarinë përkatëse, nëpërmjet të cilës mund të paraqesin ofertat e tyre në procedurat e prokurimit publik.
APP thekson se, në procedurat e prokurimit publik që kanë për objekt shërbimet sociale dhe shërbimet e tjera të veçanta, me qëllim rritjen e transparencës, eficencës dhe llogaridhënies për këto shërbime, autoritetet kontraktore në përgjithësi dhe njësitë e qeverisjes vendore në veçanti, duhet të nxisin pjesëmarrjen e OJF-ve nëpërmjet hartimit të kritereve të pjesëmarrjes që i përshtaten objektit të prokurimit.
Për këtë qëllim, duke pasur parasysh objektin specifik të prokurimit në fushën e shërbimeve sociale, në hartimin e kritereve të veçanta për kualifikim për këtë lloj shërbimi, autoritetet kontraktore të mbajnë në konsideratë mundësinë e ofertimit të OJF, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre këto lloj shërbimesh.
Në prokurimin e këtyre lloj shërbimeve si kriter vlerësimi, autoritetet kontraktore mund të përzgjedhin “ofertën ekonomikisht më të favorshme” sipas parashikimeve të nenit 55 të LPP-së, për vetë natyrën specifike të tyre duke vlerësuar edhe elementë të tjerë të ofertës përveç çmimit më të ulët.
Referuar sa më sipër, me qëllim rritjen e performancës në prokurimin e fondeve për shërbimet sociale dhe shërbime të tjera të veçanta, inkurajohen autoritetet kontraktore të nxisin pjesëmarrjen e OJF” thuhet në rekomandimin e APP.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.