Hapja e procedurave të reja të prokurimit do të kalojë tashmë në një hallkë të re që kërkon rakordimin me sistemin financiar të qeverisë në kohë reale për të parë nëse ka fonde të disponueshme. Me një njoftim të përbashkët Ministria e Financave dhe Agjencia e Prokurimit Publik kanë bërë të ditur sesi do të veprohet në vazhdimësi dhe në funksion të kësaj kanë nxjerrë edhe një manual të detajuar që ndihmon institucionet me ndryshimet e reja.
Në krye të dokumentit sqarohet se Manuali ka për qëllim shpjegimin e hapave që duhet të ndiqen me qëllim realizimin e procedurës së prokurimit në sistemin e prokurimit elektronik, për të gjitha institucionet buxhetore që aksesojnë Web Portal në sistemin SIMF (Sistemi Informatik i Menaxhimit Financiar) dhe SIFQ (Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë), respektivisht për konfirmimin mbi fondet e vlefshme të kërkesës për angazhim (urdhrit të prokurimit) nga struktura e sistemit të thesarit dhe regjistrimin e kërkesës për angazhim në SIFQ, si dhe ato që nuk kanë akses në Web Portal.
Sipas shpjegimit në manual “krijimi i procedurës së prokurimit lidhet me kontrollin e vlefshmërisë së fondeve buxhetore në momentin e fillimit te procedurës së prokurimit të këtyre fondeve. “Procedurat me vlerë nën 1 000 000 lekë, sistemi dinamik i biletave të transportit ajror ndërkombëtar dhe marrëveshjet kuadër për të cilat nuk lidhet kontrate, pra nuk merret një angazhim ligjor financiar, nuk do ti nënshtrohen këtij integrimi. “Nëpunës i autorizuar”, për efekt te kryerjes se veprimeve ne sistemin e prokurimit elektronik, sipas këtij Manuali, te jete Personi përgjegjës për prokurimin, i cili kryen detyrat e tij sipas parashikimeve te rregullave te prokurimit publik” thuhet në dokument.
Ky manual tregon hapat nga hyrja në sistemin e APP përmes e-prokurimit deri tek marrja e informacionit në kohë reale për fondet.
“Ministria përgjegjëse për financat siguron nëpërmjet ndërveprimit automatik, për përdorim në SPE, numrat transaksioneve lidhur me transaksionet e kërkesë blerjeve me statusin “Aprovuar” në SIMF dhe SIFQ. Të gjitha institucionet buxhetore që aksesojnë Web Portal dhe SIFQ, do t’ju shfaqet seksioni “Informacioni nga buxheti”. Në fushën “Numri i transaksionit” duhet të vendosni numrin e transaksionit të miratuar paraprakisht nga thesari dhe sistemi i prokurimit elektronik i cili është i integruar me sistemin e thesarit bën kontrollin e vlefshmerise se fondeve buxhetore. Në fushën “Kodi i institucionit” secili institucion ka të përcaktuar kodin e tij unik, me anë të të cilit autoriteti/enti kontraktor akseson Web Portal dhe SIFQ” thuhet në manual.
Për institucionet që nuk kanë akses të drejtpërdrejtë në sistemin financiar manuali jep sqarimet përkatëse sesi veprohet duke marrë vulën e thesarit në dokument fizik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.