Tenderët, institucionet do të duhet të specifikojnë ligjin në shtojcën e njoftimit të kontratës

02/04/2021 1:00 PM 0 komente

Faza e tranzicionit mes hyrjes në fuqi të ligjit të ri për prokurimet dhe atij të vjetër ka krijuar paqartësi tek institucionet lidhur me faktin se cilit ligj do ti referohen autoritetet kontraktore për procedurat e hapura.

Prej ditësh Agjencia e Prokurimit Publik po sqaron përmes shkresave të ndryshme sesi do të veprohet për tenderët që janë të hapur aktualisht edhe pse ligji hyri në fuqi në datë 31 mars 2021.

Agjencia sqaroi se për ato procedura të hapura para kësaj date dhe me urdhër prokurimi më të hershëm edhe në fazat e mëvonshme deri në finalizim ligji që do të zbatohet është ai i vjetër për prokurimet ndërkohë që për çdo procedurë që urdhri i prokurimit është bërë në 31 mars dhe në sistem është bërë hedhja në këtë datë zbatimi do të jetë i ligjit të ri.

Për ta qartësuar këtë edhe më mirë APP ka kërkuar këtë të premte përmes një shkrese që institucionet të cilësojnë në Njoftimin e Kontratës edhe ligjin e zbatueshëm për procedurën që po shpallin.

“Në vijim të Njoftimit Nr. 2109/2 Prot., datë 31.03.2021, Agjencia e Prokurimit Publik (në vijim “APP”) për të shmangur paqartësitë e të gjithë palëve të përfshira në procesin e prokurimit, mbi rregullat e zbatueshme në procedurat e prokurimit që do të shpallen në kushtet kur ka hyrë në fuqi Ligji nr 162/2020 “Për prokurimin publik”, sqaron si më poshtë vijon:

Me qëllim identifikimin e Ligjit të zbatueshëm që aplikohet për procedurat që do të shpallen në vijim, APP ju bën me dije të gjithë autoriteteve kontraktore se, në Shtojcën e Njoftimit të Kontratës, pjesë e dokumenteve të tenderit, duhet të cilësojnë ligjin e zbatueshëm për procedurën e prokurimit që po shpallin. Identifikimi i ligjit të zbatueshëm u vjen në ndihmë gjithashtu edhe operatoreve ekonomike, në përgatitjen për ofertim në procedurën e prokurimit si dhe procesin e ankimit”, thuhet në njoftimin e APP.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of