Kohëve të fundit është ngritur si problematikë prokurimi që kanë kryer institucionet me objekt dreka apo darka festive të stafit me rastin e festave të fundvitit.
Edhe pse pjesa më e madhe e atyre që kanë dashur të zhvillojnë një aktivitet të tillë tashmë e kanë mbyllur procedurën, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik, kanë kërkuar që institucionet të ndalojnë këto procedura.
Në të kundërt, sikurse bëhet e ditur në reagimin e shkurtër të dy institucioneve drejtoritë e Thesarit nuk do ekzekutojnë pagesat.
Reagimi i plotë i APP dhe Financave
Njoftim për të gjithë Autoritetet Kontraktore
Agjencia e Prokurimit Publik (në vijim “APP”) ka konstatuar se, kohët e fundit autoritetet kontraktore kanë shpallur dhe zhvilluar në Sistemin e Prokurimit Elektronik procedura prokurimi me vlerë të vogël, të cilat kanë si objekt dreka apo darka festive. Nisur nga qëllimi i ligjit nr. 9643/2006 “Për Prokurimin Publik”, por edhe i Ligjit nr. 10296/2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të cilët synojnë mirëpërdorim të fondeve publike, APP dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë tërheq vëmendjen e autoriteteve kontraktore që të mos shpallin procedura të tilla prokurimi. Gjithashtu, bëjmë me dije se Drejtoritë e Thesarit do të bllokojnë ekzekutimin e pagesave për objekte të tilla prokurimi. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Prokurimit Publik
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.