Grand Slam i parë sezonal, Australian Open, që do të nisë më 16 janar në Melburn, do të shtojë të ardhurat me 14 për qind (rreth 35 milionë euro).
Nga këto, 2.580 euro do të përfundojnë në xhepat e fituesve të lojës teke për meshkuj dhe femra. Shuma totale e fitimit është pothuaj trefishuar që nga viti 2001 dhe të ardhurat janë rritur me rreth 7 milionë euro që nga edicioni i vitit 2014.
Drejtuesi i turneut, Craig Tiley, ka deklaruar se organizatorët synojnë të rrisin kompensimet për lojtarët që do të eliminohen në raundet e parë si dhe për ata që kualifikohen: ai që eliminohet menjëherë do të fitojë 35 mijë euro (30 për qind më shumë krahasuar me 2015); në raundin e dytë, 55 mijë euro (+29 për qind); në raundin e tretë dhe të katërt, respektivisht 90 dhe 153 mijë euro. Çmimet për çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale do të kenë sërish një rritje me 9 për qind.
Grand Slam të tjerë – Për sa u përket çmimeve në Grand Slam të tjerë, më i pasuri për një kohë të gjatë është US Open, që vitin e kaluar vlente më shumë se 44 milionë euro. Wimbledon arrin në 36,27 milionë euro (5 për qind më shumë krahasuar me 2015) dhe Roland Garros, 32 milionë euro. Duhet të kujtojmë se në të 4 Slam-et, çmimi i parë, si për meshkujt edhe për femrat është i njëjtë, po ashtu edhe në katër turne të tjerë, Masters (Indian Wells, Majami, Madridi dhe Pekini), një barazi për të cilat femrat kanë luftuar që në krijimin e WTA në vitin 1973 me kampionen Billie Jean King.