Vazhdojnë të rriten shpërblimet në botën e tenisit. Për Australian Open, i cili sapo ka nisur në Melburn, Australi, shpërblimet për lojtarët që do të marrin pjesë në turne janë rritur me 10 për qind krahasuar me një vit më parë.
Shuma në total, e vënë në dispozicion nga organizatorët për pjesëmarrësit në Slam-in e parë në 2018, është 55 milionë dollarë australianë, rreth 36 milionë euro. Në veçanti, ata që do të eliminohen në raundin e parë do të fitojnë rreth 60 mijë dollarë australianë (rreth 38 mijë euro); ata që do të eliminohen në raundin e dytë të turneut, 90 mijë dollarë australianë (rreth 60 mijë euro).
Tenistët të cilët do të eliminohen në raundin e tretë do të fitojnë 142 mijë dollarë australianë (90 mijë euro); 240 mijë dollarë (150 mijë euro) ata që do të eliminohen në raundin e një të tetave dhe 440 mijë dollarë (285 mijë euro) lojtarët të cilët do të eliminohen në raundin çerekfinal.
Lojtarët që do të arrijnë në gjysmëfinale do të fitojnë 880 mijë dollarë australianë (570 mijë euro).
Për finalistin e mundur parashikohen 2 milionë dollarë australianë (rreth 1,3 milionë euro), ndërsa fituesi i Australian Open do të marrë 4 milionë dollarë (rreth 2,6 milionë euro).
Nëse fiton Grand Slam-in e parë sezonal, Rafa Nadal mund t’i afrohet objektivit 100 milionë dollarë në karrierë (deri tani është në kuotën e 94,5 milionë dollarë dhe me këtë sukses do të arrinte në 97,6 milionë dollarë. Kështu do të ishte gjithnjë e më afër shifrës së Roger Federer (në krye në kuotën 111,8 milionë dollarë) dhe Novak Djokovic (109,8 milionë).