Tronditet Melburni. Numri 1 i botës, britaniku Andy Murray u eliminua në raundin e katërt (1/8 e finaleve) përballë Mischa Zverev. Tenisti gjerman, numri 50 i renditjes botërore, mundi skocezin 3-1 me sete (7-5, 5-7, 6-2, 6-4)
Pas eliminimit të Novak Djokovic, Australian Open, sheh eliminimin e 2 tenistëve më të mirë në botë që në javën e parë të turneut. Mischa ishte praktikisht perfekt gjatë gjithë lojës duke mos i dhënë asnjë mundësi skocezit. Një arritje përrallore për 29-vjeçarin e lindur në Moskë, i cili dy vite më parë nuk figuronte as tek 1000 të parët në renditje dhe që dukej i destinuar të stërviste vëllain e tij të vogël Alexander, një talent i padiskutueshëm që u eliminua para dy ditësh (raundi i tretë) nga spanjolli Nadal, pas një beteje që zgjati 5 sete.
Zhgënjimi i radhës për Murray në Melburn, 5 herë finalist në 7 edicionet e fundit (2010, 2011, 2013, 2015 e 2016), por asnjëherë fitues – katër finale të humbura ndaj Djokovic dhe një ndaj Federer në vitin 2010.
Dhe tani do të jetë pikërisht mjeshtri zviceran, kundërshtari i radhës për gjermanin Zverev në raundin çerekfinal. Roger Federer nga ana e tij fitoi betejën me japonezin Kei Nishikori (nr.5), pas 3h 23’ në 5 sete (6-7, 6-4, 6-1, 4-6, 6-3). Përballja tjetër çerekfinale do të jetë: Stan Wawrinka – Jo-Wilfried Tsonga.
Një turne mjaft emocionues, i cili në këtë pikë nuk ka favoritë të qartë.