Flet Stavri Thano, Menaxher i Përgjithshëm UNI-COM sh.a.
Kalimi i tepricave të energjisë në rrjet pa asnjë përfitim, edhe pse në hapat e parë të miratimit të udhëzimit, ishte një zgjidhje e mirë që duhej të ishte e përkohshme. Zgjatja e këtij afati, ku biznesi dhe familjarët marrin zero lekë nga tepricat, është humbje e investimit të tyre, që zgjat kohën e kthimit.
Stavri Thano, Menaxher i Përgjithshëm UNI-COM sh.a., shprehet se kjo humbje është më e madhe te bizneset, që edhe kapacitetin e instaluar e kanë dukshëm të lartë në raport me familjarët. Nga ana tjetër, ai thekson se ka shumë rëndësi që të ketë stimuj realë për nxitjen e këtij sektori, për të cilin ka interes të lartë.
Prej qershorit 2019 është miratuar udhëzimi i MIE, që synonte t’i hapte rrugë ngërçit të fotovoltaikëve, por ende edhe sot jemi në kushtet kur nuk ka një çmim të miratuar për tepricat. Çfarë problemesh ka sjellë kjo?
Problemi kryesor është stepja e çdo entiteti/personi privat apo publik për të investuar në këtë drejtim. Kjo, sipas meje, për arsyet më poshtë:
Një familje, nëse do ta instalonte për nevoja vetjake këtë gjë (në çatinë e një vile, tarracën e një pallati, oborrin e një shtëpie etj.), nuk mund të kuantifikojë sasinë e energjisë së prodhuar nga panelet dhe as të mirëpërdorë prodhimin e tyre.
Kjo për arsye se prodhimi sigurohet kryesisht gjatë orarit 08.00-16.00, kohë gjatë së cilës në shtëpi nuk ka njeri dhe energjia nga panelet nuk mund të shfrytëzohet, por shkon në rrjet kundrejt një pagese zero lekë.
Një biznes punon kryesisht nga e hëna në të premte, kohë gjatë së cilës ai e shfrytëzon të plotë energjinë e paneleve fotovoltaike. Po fundjavat, të cilat në një muaj bëjnë jo pak, por 26.67% të ditëve të vlefshme për prodhim gjatë një muaji?
Pra ¼ e energjisë së prodhuar nga sistemet fotovoltaike shkon në rrjet dhe në këtë rast, kundrejt një tarife 0 lek. Për t’u përmendur në këtë rast është madhësia e impianteve për biznes, e cila e kalon mbase 100kW dhe nuk ka të krahasuar në prodhim me një sistem familjar.
Si është interesi i bizneseve dhe qytetarëve për të instaluar një impiant fotovoltaik për vetëkonsum?
Këtë gjë mund ta vlerësoj vetëm apriori, duke thënë që është i lartë, por disa detaje në tërësi bëjnë që këto subjekte të stepen nga investimet.
Çfarë ndodh sot me energjinë e prodhuar nga impiantet e instaluara, që është tepricë dhe duhet të kalojë në rrjet në kushtet kur nuk ka ende një çmim?
Siç e përmenda më sipër, kalon në rrjet me 0 lekë, pra fitim i pastër për OSHEE (aq sa është).
Çfarë duhet bërë për të nxitur sektorin në kushtet aktuale?
Të marrim shembullin e vendeve të tjera, të cilat e kanë një biznes të konsoliduar tashmë. Më saktë, nga një bisedë e para ca kohëve me bashkëpunëtorin tim austriak, mësova që: 15-20% të down payment (pagesë fillestare) jepej nga shteti (kjo deri në momentin e plotësimit të një kuote prodhimi nga fotovoltaikët, të miratuar nga qeveria si masterplan).
Procedura super të thjeshtuara administrative, që kanë të bëjnë me instalimin e një sistemi fotovoltaik (certifikimi i madhësisë së sistemit nga inxhinierët e operatorit të energjisë, vendosja e një matësi me 2 kahe që në fillim, duke hequr nevojën për një të dytë më vonë, rakordim mujor të prodhimit duke bërë plus/minus në faturën e çdo muaji e të tjera si këto). Kjo gjë kishte bërë që jo vetëm në Austri, por në të gjitha këto vende që nuk i afrohen numrit të ditëve me diell që kemi ne, të kishin sisteme fotovoltaike dhe në zona, ku aktiviteti kryesor gjatë vitit janë pistat e skive, pra bora.
Si ka ardhur kostoja e instalimit të impianteve? Flasim këtu për panelet, inverterat dhe kostot e montimit. A ka pasur ndryshime në teknologji?
Kostoja totale në blerjet e pajisjeve është më e ulët. Panelet fotovoltaike janë bërë më të fuqishëm për të njëjtën sipërfaqe, gjë e cila sjell rritje të prodhimit, pra ulje të çmimit për kWpeak. Për sa u përket kostove të montimit, ato janë relative, pasi varen nga disa faktorë të tjerë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.