Tërhiqet QKB: Dorëzimi i bilanceve, nuk do të ketë penalitete për ata që kanë marrë numër aplikimi

31/07/2019 1:22 PM 0 komente

 Teksa bizneset po hasen me shumë vështirësi në dorëzimin online të bilancëve sot në afatin e fundit të 31 korrikut, burime nga Qendra Kombëtare e Biznesit pohuan që nuk do të ketë penalitete.

Ky ishte viti i parë, kur në bazë të ligjit të kontabilitetit, është shtuar numri i pasqyrave që duhet të deklarohen. Krahas dorëzimit online të pasqyrave financiare, që zgjaste mesatarisht disa minuta, tashmë është shtuar dhe plotësimi i një sërë dokumenteve të tjera, si raporti i ecurisë së aktivitetit të ekonomisë, informacion për aktivet, të ardhurat, numri mesatar i punonjësve, kodin e biznesit etj.

Bizneset janë ankuar vazhdimisht se sistemi është shumë i ngadaltë dhe faqja donte kohë të merrte dokumentet edhe gjatë qershorit e korrikut, ndërsa sot sistemi u bllokua.

Qendra Kombëtare e Biznesit njoftoi se për shkak të mbingarkesës nuk do të aplikohen gjoba për ata që kanë marrë një numër aplikimi.

“Lidhur me detyrimin ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare për vitin 2018,  ju njoftojmë se subjektet të cilët kanë aplikuar online nëpërmjet portalit e-albania deri në datën 31.07.2018, (ora 24:00) dhe rezulton se aplikimi i tyre ka marrë një numër aplikimi (CN…), por për shkak të mbingarkesës së madhe të aplikimeve në të njëjtën kohë është bërë e pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të pasqyrave financiare, nuk do të aplikohet kundërvajtje administrative në bazë të nenit 74, pika 3 e ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për regjistrimin e Biznesit”.

Ndëkohë të gjithë këto subjekte që kanë aplikuar, por që nuk kanë finalizuar me sukses aplikimin për arsyen e lartpërmendur duhet të përfundojnë aplikimin e nisur edhe pas datës 31.07.2019, dhe të dërgojnë në mënyrë përfundimtare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare të vitit 2018 deri në datën 30.09.2019”, thuhet në njoftim.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of