Shqipëria ka sot në fuqi një plan kombëtar të emergjencave civile të vitit 2004 që parashikon hapat që hidhen nga strukturat shtetërore në rastet e fatkeqësive natyrore apo ngjarjeve të jashtëzakonshme. Ndërkohë që paralelisht me këtë plan ekziston edhe ligji për këto emergjenca i cili deri vonë ishte ai i vitit 2001 dhe që në korrik të këtij viti u zëvendësua me një projekt të ri “Për mbrojtjen civile”. Ky ligj ndryshon ndër të tjera strukturën e ish Drejtorisë së Emergjencave Civile në Agjencinë A Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Por çfarë parashikohet nga Plani i Veprimit dhe ligji i miratuar së fundmi.
Si organizohet mbrojtja civile
Ligji i ri parashikon identifikimin e saktë të vlerësimin periodik dhe monitorimin e riskut nga fatkeqësitë si dhe një sërë elementësh të tjerë duke vijuar me investime për uljen e riskut, bashkëpunim të ngushtë të institucioneve për të kontribuar në uljen e riskut si dhe krijimin e procedurave të sakta për shkëmbimin e informacionit. Ligji parashikon që duhet të ketë një strategji kombëtare për zvogëlimin e riskut, një vendore. Planet për emergjencat civile miratohen në nivel qendror, në nivel qarku dhe në nivel vendor dhe rishikohen jo më pak se një herë në çdo tre vjet. Planet për emergjencat civile marrin në konsideratë trajtimin me prioritet të fëmijëve, të të moshuarve, të personave me aftësi të kufizuara, të shtresave në nevojë dhe grave. Plani Kombëtar për Emergjencat Civile miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. Plani i qarkut për emergjencat civile miratohet me urdhër të prefektit dhe duhet të jetë i harmonizuar me Planin Kombëtar për Emergjencat Civile dhe planet për emergjencat civile të qarqeve fqinje. Pavarësisht kërkesave strikte që vendos ligji sot plani i vetëm kombëtar që ka qeveria dhe që gjendet në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes që është edhe institucioni që ka nën varësi menaxhimin e emergjencave është ai i vitit 2004. E teksa parashikohen masat që duhet të merren nga autoritetet publike ligji parashikon edhe hapat që ndiqen nga qytetarët për solidarizim në rastin e emergjencave apo përfshirjen vullnetare në ndihmë të pjesës së prekur nga fatkeqësia.
Plani Kombëtar i Emergjencave Civile i vitit 2004 çfarë parashikon?
Lidhur me tërmetet Plani Kombëtar nënvizon se sizmiciteti i Shqipërisë karakterizohet nga një mikroaktivitet sizmik intensiv (1.0<M<3.0), nga shumë termite të vogla (3.0<M<5.0), nga tërmete të rralla me madhësi mesatare (5.0<M<7) dhe shumë rrallë nga termite të forta (M>7.0). Përplasja e pllakës së Adrias dhe Albanideve është shkaku kryesor i tërmeteve në vendin tonë. Vatrat e tërmeteve të Shqipërisë përqendrohen kryesisht përgjatë shkëputjeve tektonike aktive. Plani parashikon disa skenarë lidhur me pasojat fatale që mund të lërë një tërmet sipas periudhës së përsëritjes duke nënvizuar se vazhdimisht duhet të bëhen vlerësime teknike dhe inxhinierike.
Faktorë që duhet të merren parasysh në Parandalimin dhe Lehtësimin
- Një tërmet ose dukuri tjetër sizmike është e pamundur të parandalohet, por në zonat me rrezik të lartë mund të merren masa për të kufizuar efektet më negative që lidhen me cenimin e jetës dhe të pasurisë.
- Investimet, bashkërendimi dhe fushatat e ndërgjegjësimit te institucioneve dhe të publikut te gjerë inkurajojnë lehtësimin dhe uljen e rreziqeve.
- Përmirësimet, pranimi dhe zbatimi i kodeve dhe i standardeve të ndërtimit për të përballuar lëkundjet sizmike ulin dëmet në njerëz dhe në pasurinë private dhe publike. Masat parandaluese dhe përgatitore ulin, gjithashtu, edhe dëmtimet e mundshme ndaj infrastrukturës mbështetëse (objekte shëndetësore, ndërtesat publike kryesore, rrugët, hekurudhat, aeroportet, sistemet e furnizimit me ujë, energji etj. ), të cilat do të jenë shumë të rëndësishme për fazën e përballimit dhe të rimëkëmbjes nga një goditje sizmike.
- Ndërtimet e reja të një rëndësie të veçantë në zonat e rrezikuara nga goditjet sizmike duhet të bëhen në mënyrë të tillë që ato të përballojnë goditje më të forta sizmike sesa kërkohet nga kodet standarde dhe një gjë e tillë është investim që ia vlen. Ky investim është më i lirë se përmirësimi i strukturave ekzistuese.
- Sensibilizimi i strukturave në nivel lokal dhe kombëtar është i rëndësishëm për të sjellë së bashku aktorët e ndryshëm, për të ndërgjegjësuar dhe për të zhvilluar strategji për zbatimin e kodeve ekzistuese me synim përmirësimin e tyre.
- Objektet e rëndësishme që paraqesin rrezik, si diga, infrastruktura publike dhe private, është e rëndësishme të mirëmbahen të paktën në nivelin e standardeve origjinale duke kërkuar rrugë dhe mënyra për të siguruar kushtet më të larta të mirëmbajtjes tek to dhe, po të jetë e nevojshme, duke bërë edhe përmirësime pa vonesa të strukturave.
Faktorë për t’u marrë në konsideratë gjatë Përgatitjes dhe Mbrojtjes
- Në përgjithësi, në rastet e tërmeteve ose të goditjeve sizmike, paralajmërimi në kohë nuk është i mundur, por mund të bëhen përgatitje të veçanta në zonat e identifikuara si zona me rrezik të lartë sizmik.
- Ndërgjegjësimi i publikut për atë çfarë duhet bërë në momentet e para të tërmeteve ose të goditjeve sizmike është shumë i rëndësishëm për shpëtimin e jetës. Për këtë qëllim duhen përdorur të gjitha mënyrat e mundshme për informimin e publikut dhe institucionet përkatëse. Shkollat, administrata publike, spitalet, industria private, media lokale dhe publike duhet të angazhohen për të shpërndarë mesazhe të thjeshta e të kuptueshme nëpërmjet të gjitha mjeteve të komunikimit.
- Planifikimi i përballimit të emergjencave në nivel lokal dhe kombëtar për çdo institucion si dhe autoriteti përkatës duhet të rriten, pasi një gjë e tillë është e lidhur drejtpërdrejt me bashkërendimin e përgjithshëm, me mobilizimin e burimeve nëpërmjet Planit Kombëtar të Emergjencave Civile në Republikën e Shqipërisë.
- Planet e përballimit të emergjencave duhet të praktikohen nëpërmjet stërvitjeve simuluese dhe në terren.
- Të gjitha strukturat e emergjencave, linjat e komunikimit, rolet dhe përgjegjësitë duhet të qartësohen, të përgjithësohen dhe të testohen në bazë të planeve për të siguruar një përgjigje efektive të vazhdueshme. -5 Faktorët për t’u marrë parasysh në fazën e Përgjigjes ndaj Emergjencës
- Veprimet e menjëhershme të kërkim–shpëtimit ndërmerren kryesisht nga komuniteti i prekur, ku pjesa më e madhe e njerëzve shpëtohen nga familjaret, të afërmit ose fqinjët.
- Trajtimi i menjëhershëm mjekësor i të plagosurve do të jetë mjaft i domosdoshëm në rast të një tërmeti. Një fatkeqësi e përmasave të mëdha do të kërkojë një plan për trajtimin e viktimave në masë, për të bërë të mundur trajtimin në zonën e prekur dhe, nëse është e nevojshme, edhe evakuimin për trajtim mjekësor jashtë saj.
- Vlerësimi i shpejtë rreth humbjeve, dëmtimeve dhe nevojave.
- Nëse njerëzit mbeten brenda strukturave të dëmtuara, duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur operacione profesionale kërkim-shpëtimi, duke pasur parasysh se 24-48 orët e para janë “orët e arta”, kohë gjatë së cilës mund të shpëtohen pjesa më e madhe e njerëzve.
- Në varësi të shumë faktorëve, duke përfshirë edhe temperaturat, operacionet e kërkim-shpëtimit mund të vazhdojnë në mënyrë të suksesshme për deri në 65 ose më shumë orë pas ngjarjes. Përveç shembujve ekstremë nga fatkeqësi të mëdha, numri i të mbijetuarve që shpëtohen pas katër ose pesë ditësh është jashtë mase i vogël, megjithëse shpëtimi në këtë kohë mund të jetë ende i mundur.
- Nëse është shkaktuar një dëmtim struktural i konsiderueshëm dhe nëse një numër i madh njerëzish kanë mbetur brenda, mund të kërkohet edhe asistenca ndërkombëtare për operacionet e kërkim-shpëtimit.
- Ardhja e skuadrave të kërkim-shpëtimit do të shkaktojë një ngarkesë të konsiderueshme mbi infratrukturen e transportit ajror dhe rrugor si dhe kërkon angazhime e përpjekje për t’i shpërndarë dhe për t’i dërguar ato në zonat e prekura sa më shpejt që të jetë e mundur.
- Skuadrat ndërkombëtare për operacionet e kërkim-shpëtimit ndonjëherë vijnë të pajisura me spitale fushore. Spitalet fushore mund të ofrohen, gjithashtu, edhe si ndihmë ndërkombëtare. Ka çështje specifike që duhet të qartësohen përpara pranimit/kërkimit të një spitali të huaj fushor.
Për përdorimin e spitaleve të huaja fushore në fatkeqësitë me ndikim të menjëhershëm referojuni udhëzuesit të PAHO-WHO. Këto udhëzime mund të gjenden dhe në faqen e internetit ëëë. paho.org/disasters
- Rreziqet dytësore dhe dëmtimet strukturore të ndërtesave publike (si spitale, shkolla, ndërtesa administratash etj.) duhet të vlerësohen duke u siguruar se ato mund të funksionojnë pa pasur rreziqe.
- Vlerësimi dhe kujdesi i vazhdueshëm për nevojat për ujë të pijshëm, strehë të sigurt, furnizim me ushqime dhe artikuj të tjerë joushqimorë si dhe regjistrimin dhe kërkimin e personave që mungojnë.
- Mbështetja logjistike është shumë e rëndësishme për një përballim të suksesshëm. Rrjeti rrugor, aeroporti, komunikimi dhe infrastruktura tjetër duhet të vihen në funksion sa më shpejt dhe sa më mirë të jetë e mundur.
- Gjatë ngjarjeve të rënda mund të ketë probleme specifike, si për shembull, problemi i qindra ose edhe mijëra të vdekurve. Për këtë arsye mund të merren hapa specifikë në mënyrë që të menaxhohet siç duhet një situatë e tillë, duke e lidhur atë edhe me planin e menaxhimit të viktimave në masë. Udhëzimet e PAHO-ËHO për menaxhimin e trupave pa jetë në situata fatkeqësish mund të gjenden në ëëë.paho.org/disasters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.