Tërmeti i fundit të vitit të kaluar, që frenoi sektorin e ndërtimit dhe mbyllja e ekonomisë në gjysmën e dytë të muajit mars, e kanë çuar ekonominë në territor negativ në tremujorin e parë të vitit.
INSTAT raportoi se në tremujorin e parë, ekonomia ra me 2.52% kundrejt tremujorit të parë 2019. Dy sektorët që kanë ndikuar më negativisht në rritjen ekonomike janë ndërtimi, me -1.29 pikë përqindje, i cili u frenua pas tërmetit të 26 nëntorit.
Ndërkohë bllokimi i ekonomisë, pas datës 10 mars, pas shfaqjes së rasteve të para me Covid-19 ka ndikuar në aktivitetet e tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor, gjë që ka ndikuar negativisht me 0.58 pikë përqindje, si dhe në aktivitetet profesionale dhe administrative, me -0.55%. Këto grupe pritet të ketë shënuar një rënie më të madhe në tremujorin e dytë, ku për dy muaj pothuajse gjithçka ishte e mbyllur, ndërsa ndërtimi ka qenë aktiv edhe gjatë periudhës së Covid-19.
I vetmi sektor me rritje ishte bujqësia, që ndikoi pozitivisht me 0.71 pikë përqindje. Covid-19 ka ndikuar negativisht dhe në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese (-0.45%), informacionin dhe komunikacionin (-0.15%), aktivitetet financiare dhe të sigurimit (-0.16%).
Sipas INSTAT, degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e parë të vitit 2020, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019,shfaqen si më poshtë:
-Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 3,41%.
Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me3,78%. Ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë Industria nxjerrëse, e cila ka shënuar një rënie me 13.31%.
Aktiviteti i Ndërtimit pati një rënie me 16,66%. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rënie prej 3,65%. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rënie prej 5,13%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rënie prej 7,18%.
Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 2,96%. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 8,37%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë pësoi rënie me 0,31%.
Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 1,06%.Taksat Neto mbi produktet u ulën me1,79%.
Ngadalësohet konsumi
Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e parë të vitit 2020, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, shfaqen si më poshtë:
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1,12%.
Konsumi final i qeverisë u rrit me 0,64%.
Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u ul me 16,69%.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 2,13%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 6,24%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.