Tërmeti e COVID-19 “fundosin” hotelet, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ra me 96%

31/08/2020 11:00 PM 0 komente

Sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi për hotele dhe të ngjashme për 6-mujorin e parë të vitit ka rënë me 96.4% në raport me janar-qershor të një viti më parë.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se kjo sipërfaqe ishte saktësisht 11 559 m² ndërsa një vit më parë, për të njëjtën periudhë, ishte rreth 311 mijë m².

Rënia e sipërfaqes së dhënë për leje ndërtimi për objekte me destinacion hotelerinë ishte e dukshme që në tremujorin e parë, kur nga janari në mars u dhanë vetëm 4290 m²ndërsa një vit më parë ishte mbi 285 mijë m².

Rënia lidhet me situatën e krijuar nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit ndërkohë që tkurrje në rënie në raport me një vit më parë ishte edhe tremujori i dytë i këtij viti dhe që reflekton situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19. Këto fenomene kanë frenuar disi ndërtimin, por pa e ndalur atë sikurse ndodhi në përgjithësi në sektorët e tjerë të ekonomisë.

Investimi në struktura akomoduese ka nisur të ketë një rritje graduale që nga viti 2017 që shënon edhe vitin e parë kur nisi “boom”-i turistik i Shqipërisë lidhur me turizmin e organizuar kryesisht në zonën e Golemit dhe më pak në Sarandë. Rritja e numrit të turistëve vit pas viti bëri që të rritet në mënyrë të vazhdueshme sipërfaqen e lejeve të dhëna për ndërtim hotelesh dhe të ngjashme, teksa bizneset në përgjigje të kërkesës, nxituan që të rrisnin kapacitetet hoteliere.

Sipas INSTAT, në vitin 2017 kjo sipërfaqe ishte 89 mijë m², ndërsa në vitin 2018, 122 mijë m². Rekordi i lejeve të dhëna me këtë orientim ishte 419 mijë m².

Kjo rritje në 2019-n erdhi në një kohë kur janë dhënë një sërë lejesh për fshatra e resorte turistikë dhe hotele nën emra “brand” në kryeqytet. Aktualisht në Tiranë, pranë Arenës Kombëtare, është njoftuar vendosja e brandit “Mariott” në kullën pranë tij, teksa edhe hotele të tjera si Hyatt, që ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë Kastrati apo Melia, e cila pritet të marrë nën menaxhim investimin “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit janë bërë pjesë të tregut shqiptar.

Një tjetër markë ndërkombëtare si ACCOR njoftoi se do të ishte pjesë e tregut shqiptar përmes një partneri me Bolv Oil Group në fund të vitit të shkuar. Struktura akomoduese do të vijë nën emrin Novotel dhe pritej, sipas deklaratave të para, të hapej në vitin 2021.

Vitin e kaluar, Shqipërinë e vizitoi një numër rekord të huajsh prej më shumë se 6 milionë personash. Por këtë vit, hyrjet e të huajve kanë rënë ndjeshëm, si rrjedhojë e situatës së krijuar nga koronavirusi.

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of