Tërmeti në Shqipëri, Haradinaj thërret mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë

26/11/2019 11:08 AM 0 komente

Qeveria në largim do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme pas tërmetit të fuqishëm prej 6.4 ballësh të Rihterit që goditi Shqipërinë sot në orët e hershme të mëngjesit.

Mësohet se mbledhja do të zhvillohet në orët e para të pasdites së sotme.

Në këtë mbledhje pritet të diskutohet situata e fundit në Shqipëri pas tërmetit prej 6.4 ballësh të Rihterit dhe hapat e mëtutjeshëm të qeverisë së Kosovës për t’i ndalë në ndihmë shtetit shqiptar.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka njoftuar që ekipet e FSK-së tashmë janë nisur drejt Shqipërisë për t’ju ofruar ndihmë nga tërmeti i fundit shkatërrues që ndodhi atje.

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe mbi 300 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu, është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.4 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndier pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of