Flet Shkëlqim Bozgo, Ekspert
Ngritja e një terminali të gazit natyror të lëngët në Vlorë si pjesë e angazhimit amerikan me qeverinë shqiptare parashikohet të ketë efekte pozitive në treg, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në aspektin rajonal, duke rritur konkurrencën.
Shkëlqim Bozgo, njohës i mirë i sektorit të energjisë dhe veçanërisht edhe gazit, shprehet në një intervistë për “Monitor” se një projekt i tillë përfaqëson një sërë aspektesh pozitive për vend. Nga ana tjetër, në të njëjtën paralele është edhe përfitimi që Shqipëria ka nga një projekt i madh si gazsjellësi TAP i cili ka nisur operacionet tregtare.
Për disa vite ka pasur një vëmendje intensive në sektorin e gazit duke e lidhur këtë me gazsjellësin, plotësimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, hartimin e masterplanit por këto zhvillime ende nuk kanë avancuar në pikën që të japin efekt te tregu e konsumatori. Në këndvështrimin tuaj, në çfarë faze ndodhet Shqipëria sa i takon sektorit të gazit?
Sikurse dihet, Shqipëria së bashku me Kosovën dhe Malin e Zi janë tre vende të Ballkanit Perëndimor ende të pagazifikuara. Krahas sektorit të energjisë elektrike, zhvillimi i sektorit të gazit natyror ka qenë prej më shumë se një dekade një nga fokuset kryesore të proceseve në të gjithë Palët Kontraktuese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë për t’i përgatitur këta sektorë për integrimin me tregjet përkatëse të BE-së.
Ndërtimi i infrastrukturës së sektorit të gazit natyror kërkon investime të mëdha dhe për pasojë, zhvillimi i tij është përballur me disa sfida të rëndësishme si mungesa e konsumatorëve të mëdhenj, qendrat ekonomike dhe ato të banimit janë larg prej njëra-tjetrës dhe terreni mjaft i vështirë për të ndërtuar tubacionet dhe infrastrukturat e tjera shoqëruese. Në të tilla rrethana, ndërtimi i TAP ishte një fat për gjithë rajonin dhe veçanërisht për Shqipërinë.
Sjellja e TAP në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë dhe në masë të konsiderueshme u dedikohet përpjekjeve të mëdha të palës shqiptare. Në kohën kur u mor vendimi për ndërtimin e Korridorit Jugor të Gazit, krahas TAP, në garë kanë qenë edhe projekte alternative dhe konkurrentë shumë të fortë si Nabucco dhe ITGI, të cilët kishin mbështetje të madhe gjeopolitike. Qeveria shqiptare dhe gjithë ekipet e angazhuara për këtë projekt kanë bërë përpjekje të gjithanshme që TAP të siguronte mbështetjen e nevojshme nga institucionet e BE-së, Departamenti i Shtetit të SHBA, Qeveria e Azerbajxhanit dhe të vendeve ku kalon Korridori Jugor i Gazit, të cilat u kurorëzuan me sukses.
Krahas sigurimit të mbështetjes së sipërcituar, negocimi i Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës, ndërmjet TAP dhe Qeverisë Shqiptare, ka pasur sfidat e veta. TAP fillimisht ka dashur që vetëm të tranzitonte përmes Shqipërisë, ndërkohë që pala shqiptare arriti me sukses të sigurojë që TAP, me shpenzimet e veta, të ndërtojë një pikë të kompletuar të daljes së gazit për të mundësuar furnizimin e tregut të ri të gazit natyror në Shqipëri.
Një akt tjetër shumë i rëndësishëm është Vendimi i Përbashkët i Rregullatorëve të Energjisë të Greqisë (RAE), Shqipërisë (ERE) dhe Italisë (ARERA) për përjashtimin e kushtëzuar të TAP nga detyrimi i sigurimit të së drejtës së hyrjes në infrastrukturë të palëve të treta, i njohur ndryshe si Opinioni i Përbashkët Përfundimtar (Final Joint Opinion). Vendimi i përbashkët, ndër të tjera, kërkonte gjithashtu nga TAP ndërtimin e një pike tjetër daljeje në Shqipëri dhe imponon, në terma afatgjatë, detyrimin që çdo dy vjet TAP të bëjë një vlerësim të tregut dhe të ndërtojë pika të reja dalje sa herë kërkesa justifikon investimin për ndërtimin e tyre. Ky është një mekanizëm që mban gjithmonë të hapur mundësinë e ndërtimit të pikave të reja të daljes sa herë zhvillimet t’i kërkojnë një gjë të tillë.
Me këmbënguljen e palës shqiptare u kërkua që pikat e daljes të ishin gati që në momentin e fillimit të operacioneve të TAP. Për të mundësuar përdorimin e gazit duhet që tubacionet dhe gjithë infrastruktura përkatëse në vend të jenë tashmë të ndërtuara. Për fat të keq, një gjë e tillë ende nuk është realizuar. TEC-i Vlorës që prej më shumë se një dekade, është në pritje, mundet të niste menjëherë gjenerimin e energjisë elektrike së bashku me fillimin e operacioneve të TAP për të përfituar edhe prej koniunkturës shumë të favorshme të çmimeve të gazit natyror në tregun ndërkombëtar.
Disa projekt-ide interesante, me fokus shfrytëzimin e kombinuar të gazit për prodhim të energjie elektrike dhe ngrohje të serave për prodhime bujqësore etj., po ashtu nuk kanë mundur të jetësohen. Biznese të tjera që mund të zëvendësonin përdorimin e energjisë elektrike, apo burimeve të tjera energjetike me gaz, nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë.
Vlen për t’u theksuar se, nga ana e ERE-s, janë përgatitur dhe miratuar një serë aktesh rregullatore të cilat ndihmojnë për përgatitjen e terrenit për zhvillimin dhe funksionimin e infrastrukturës së gazit, por në fund të fundit, përpara se një treg të rregullohet, ai duhet të ekzistoje, prandaj në ketë fazë parësore është stimulimi dhe mbështetja e investimeve për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të gazit në Shqipëri.
TEC-i Vlorës përbën një konsumator të madh shumë të rëndësishëm dhe ndoshta pikënisjen më të mirë për zhvillimin e infrastrukturës së gazit. Transformimi i TEC-it të Vlorës nga përdorimi i dieselit në gaz natyror ka qenë objekt i një procesi të pasuksesshëm konkurrues koncesioni, ndërkohë që aktualisht po punohet me financim të WBIF (IPF7) për projektin inxhinierik të ndërtimit të tubacionit prej stacionit të kompresorëve të TAP në Seman, Fier deri në TEC-in e Vlorës, por pa ndonjë afat konkret, se kur mundet të realizohet ndërtimi i tij.
Vetëm pak kohë më parë u nënshkrua marrëveshja me kompanitë amerikane ExxonMobil dhe Excelerate Energy për vënien në punë të Termocentralit të Vlorës. Çfarë do të thotë për sektorin energjetik shqiptar vënia në punë e TEC-it të Vlorës që ka më shumë se një dekadë i ndërtuar dhe pa prodhim?
Nënshkrimi i marrëveshjes me ExxonMobil dhe Excelerate Energy, dy kompani me reputacion në tregun energjetik botëror, është pa dyshim një zhvillim shumë pozitiv. Realizimi i projektit të parashikuar në marrëveshje, jo vetëm që do të mundësojë vënien në punë të TEC-it të Vlorës, por do të sigurojë një burim të ri të furnizimit me gaz të vendit, siç është ajo e teknologjisë së gazit natyror të lëngët (GNL) duke rritur sigurinë e furnizimit me gaz dhe konkurrencën në këtë sektor. Nga ana tjetër, projekti do të nxisë zhvillimin rrjetit të gazit në Shqipëri dhe lidhjen e shkëmbimet me sistemet e rajonit.
Për sa i përket TEC-it të Vlorës, sikurse e përmenda edhe më sipër, duhet të ishin bërë të gjitha përpjekjet që ai të ishte në punë që prej momentit të fillimit të operacioneve të TAP. Janë një sërë arsyesh në favor të vënies së tij në punë pa vonesë;
- TEC-i Vlorës është tashmë një investim i kryer dhe i paguar nga konsumatorët tariforë shqiptarë të energjisë elektrike. Për pasojë, vënia e tij në punë vetëm për një investim shtesë do të mundësonte prodhimin e energjisë elektrike me kosto konkurruese.
- Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është shumë i ekspozuar ndaj riskut hidrologjik dhe vendi është ende importues neto i energjisë elektrike. Vënia në punë e TEC-it të Vlorës do të rriste sigurinë e furnizimit dhe do të zvogëlonte importet e energjisë elektrike në periudhat kur çmimet e tregjeve rajonale janë të larta.
- Në strukturën e prodhimit të energjisë elektrike të vendit tonë po rritet me shpejtësi pesha e burimeve të rinovueshme, sikurse janë HEC-et e vegjël pa rezervuare, parqet fotovoltaike dhe së shpejti, parqet me erë. Prodhimi i tyre është i vështirë të parashikohet dhe pa mundësi vetërregullimi, duke rritur kështu nevojën për balancim. Një rol i tillë mundet të kryhet ose direkt nëpërmjet TEC-eve me gaz, me cikël të hapur, ose duke zëvendësuar prodhimin në bazë të HEC-eve të mëdha me kapacitetet e TEC-eve me gaz me cikël të kombinuar, sikurse TEC-i i Vlorës. Kjo do të bënte të mundur që HEC-et me rezervuar që aktualisht funksionojnë në bazë të mundet të marrin një peshë më të madhe në balancimin e sistemit çka do të sillte shfrytëzim me efecient të këtyre HEC-eve dhe kosto me të ulët për balancimin e sistemit dhe për rrjedhojë kosto më të ulura për konsumatorët
Është nënvizuar se Vlora do të kthehet në një qendër rajonale për shpërndarjen e gazit natyror të lëngshëm (GNL) të importuar nga SHBA. Në dijeninë tuaj, duke pasur parasysh projekte të ngjashme, ka leverdishmëri ekonomike ky projekt?
Ndërtimi i një impianti të ri të gazit të lëngëzuar, i njohur ndryshe edhe si GNL, është pa asnjë dyshim një zhvillim shumë pozitiv dhe i mirëpritur. Në rajon, Greqia ka rritur kapacitetet e importit të GNL përmes zgjerimit të terminalit në ishullin Ravithousa, ndërkohë që është në ndërtim një terminal i ri notues (FSRU) në Alexandopoulis. Po ashtu Kroacia ka ndërtuar një impiant të GNL në ishullin Krk. Krahas ndërtimit të tubacioneve të reja, ka edhe një rritje të rëndësishme të kapaciteteve të GNL-së në rajon.
Ky është një tregues i konkurrencës në rritje në rajon, por nuk e zbeh rëndësinë e projektit të terminalit të ri të GNL-se në Vlorë, pasi Vlora ndodhet shumë larg të tre terminaleve të sipërpërmendura dhe transporti i GNL prej tyre deri tek konsumatorët në zonën e mbulueshme nga terminali i Vlorës nuk do të ishte praktik dhe i shoqëruar me më shumë risk.
Nga ana tjetër, një burim i ri furnizimi i GNL-së në Vlorë do të rriste konkurrencën dhe sigurinë e furnizimit, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Vendimi i sipërpërmendur i rregullatorëve të energjisë për TAP-in mundëson çdo shkëmbim gazi prej këtij terminali drejt tregjeve të vendeve të tjera fqinje. Terminali i GNL-së në Vlorë përbën gjithashtu një burim të mundshëm për ndërtimin e një pike shpërndarjeje të GNL-së në shkallë të vogël (njohur si Small Scale LNG) si dhe/ose të gazit nën presion (njohur si CNG) me anë të mjeteve transportuese të specializuara për këtë qëllim.
TAP ka nisur aktivitetin tregtar, cilat janë përfitimet që mund të ketë Shqipëria në afatmesëm dhe afatgjatë nga ky projekt?
Përfitimet nga projekti TAP kanë qenë të konsiderueshme gjatë procesit të ndërtimit të tubacionit dhe pritet të jenë të tilla edhe në të ardhmen, sidomos në zhvillimin e sektorit të gazit natyror.
Në periudhën e ndërtimit, shumë kompani shqiptare patën mundësinë të përballeshin me përvojat më të mira të industrisë bashkëkohore në projektim, ndërtim dhe përgatitjen për operim. Kjo ishte jo vetëm një mundësi e bërjes biznes për të rritur të ardhurat, por edhe një përvojë për të përmirësuar aftësitë e tyre në zbatimin e projekteve masive dhe komplekse sikurse ishte TAP dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, edhe jashtë kufijve të vendit. Gjatë periudhës së ndërtimit të TAP, numri i të punësuarve direkt tejkaloi 2500 vetë në pikun e vet, ndërkohë që numri i të punësuarve indirekt ka qenë shumë më i madh. Shumë punonjës përfituan prej trajnimeve të shumta dhe një pjesë e tyre janë tashmë pjesë e personelit të kompanive ndërkombëtare që punuan për TAP në Shqipëri.
Përfitimet prej TAP gjatë fazës operacionale janë po ashtu të shumta;
- Një investim si TAP kontribuon në rritjen e sigurisë për të bërë biznes në Shqipëri
- TAP rrit sigurinë e furnizimit me gaz natyror dhe energji. Nuk ka më asnjë pengesë për zhvillimin e sektorit të gazit natyror, duke filluar nga projekti për lidhjen e TEC-it të Vlorës me TAP-in
- Mirëmbajtja e TAP do të kryhet nga shoqëria “joint venture” e krijuar nga Albgaz dhe SNAM. Përvoja e përfituar nga personeli i kësaj kompanie do të jetë një aset për të gjithë sektorin e gazit natyror në Shqipëri dhe mundësi trajnimi e punësimi për inxhinierët e rinj.
- TAP është subjekt i tatimit mbi fitimin në përpjesëtim me pjesën e investimit në Shqipëri.
- Realizimi i projektit TAP ka krijuar një nga kushtet kryesore për zhvillimin dhe realizimin e një projekti tjetër të rëndësishëm për rajonin tonë, siç është projekti IAP (Ionnian-Adriatic Pipeline). Është e rëndësishme që Shqipëria të jetë aktive për të konsideruar shtrirjen e IAP më tej drejt Jugut për të realizuar në të ardhmen, lidhjen me projektin EASTMED. Ky i fundit synon sjelljen e gazit natyror të Mesdheut Lindor drejt tregut europian.
- Prania e TAP ka qenë, pa dyshim, një faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen e Shell për kalimin në fazën tjetër të zhvillimit të vendburimit të Shpiragut. TAP krijon aksesin në gjithë tregjet europiane për gazin natyror që mund të prodhohet prej këtij vendburimi.
- Sikurse gazi i pritshëm prej vendburimit të Shpiragut, edhe rigazifikimi prej terminalit të ardhshëm GNL të Vlorës nëpërmjet lidhjes me TAP mundet të arrijë lehtësisht tregjet rajonale dhe europiane.
Shqipëria ka një masterplan të gazifikimit ku ishin llogaritur së pari tre linja transmetimi në rajone me industrializim më të lartë. A mendoni se gazifikimi është i realizueshëm në vend dhe deri në cilën fazë, nëse flasim për arritjen deri te konsumatori fundor familjar apo vetëm tek industria, pasi zbatimi kufizohet nga kostot e larta të investimeve?
Së pari, dua të theksoj se Master Plani i sektorit të Gazit Natyror në Shqipëri është përgatitur nga firma të huaja konsulente me reputacion, por me një prani shumë modeste nga pala shqiptare. Ky fenomen, për fat të keq, është i shpeshtë në procesin e përgatitjes së planeve të ngjashëm në vendin tonë.
Pjesëmarrja e ekspertëve shqiptarë, qofshin publikë apo privatë, duhet të jetë detyruese për shkakun se duke marrë pjesë në procesin e vlerësimit dhe projektimit jo vetëm që planet e përgatitura janë më cilësorë dhe më afër realitetit të vendit, por më e rëndësishme është se do të ndihmojnë në përgatitjen e ekspertëve shqiptarë për t’i zbatuar këto plane dhe më tej për t’i përditësuar ato në vijimësi. Jo rrallë planet përfundojnë në rafte dhe nuk janë dokumente të gjallë për të orientuar zhvillimin e sektorit.
Së dyti; Masterplani i Gazit, i finalizuar në nëntor 2016 dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave në shkurt 2017, ka qenë një zhvillim shumë i rëndësishëm për vendin, megjithatë për sa i përket zbatimit të tij, që është edhe qëllimi për të cilin një plan i tillë përgatitet, nuk ka pasur pothuaj asnjë zhvillim real në terren.
Së treti; zhvillimet intensive në nivel global, rajonal dhe në vend kanë bërë të nevojshme rishikimin dhe përditësimin e Masterplanit në disa aspekte;
- Reflektimin e rolit të gazit natyror në procesin e përmbushjes së objektivit ambicioz të BE-së dhe vendeve të Traktatit të Komunitetit të Energjisë për të arritur neutralitetin e emetimeve të gazrave me efekt serë deri në vitin 2050, përfshirë këtu nevojën që tubacionet dhe sistemet e reja të gazit natyror të jenë të aftë edhe për transportimin e hidrogjenit.
- Përditësimin e ritmeve të zhvillimit ekonomik të vendit dhe kërkesës së tij për energji dhe gaz natyror.
- Harmonizimin me zhvillimet dhe projektet rajonale si IAP, EASTMED, terminalet e GNL-së, etj.
Për sa i përket konsumit të gazit në sektorin rezidencial për shkaqet që ju përmendni, por edhe për faktin që pjesa më e madhe e popullsisë jeton në Ultësirën Perëndimore, e karakterizuar nga dimra relativisht të butë, përdorimi i gazit për ngrohje në banesa nuk përbën faktor parësor për zhvillimin e rrjetit. Përdorimi në shkallë të gjerë i gazit në sektorin rezidencial pritet të ndodhë pasi të bëhet gazifikimi i konsumatorëve të mëdhenj industrialë, që do të thotë se pritet të jetë një zhvillim afatgjatë.
Cilat janë disa aspekte që mund të përmirësohen sa i takon sektorit të gazit në vend, duke pasur parasysh kuadrin rregullator, orientimin e investimeve si dhe përfshirjen në projekte më të gjera rajonale?
Sfida parësore në zhvillimin e sektorit të gazit është ndërtimi i infrastrukturës, i cili është i kushtueshëm. Për pasojë, në situatën aktuale, nuk është aq kritik krijimi i kuadrit rregullator sesa krijimi i kushteve lehtësuese për thithjen e investimeve për ndërtimin e kësaj infrastrukture. Parë në këtë këndvështrim i takon Albgaz, në rolin e vet si OST, të synojë realizimin e projektit për ndërtimin e tubacionit Seman, Fier – TEC i Vlorës, i cili do të duhet të mbështetet me anë të një garancie sovrane. Ky zhvillim do të mundësonte që Albgaz të konsolidonte veprimtarinë e vet, duke luajtur rolin e tij dhe duke rritur peshën në sektor.
Vlerësimi i oportuniteteve që krijohen nga zhvillimet rajonale të sektorit, por edhe prej zhvillimit të sektorëve të tjerë në vend dhe ne rajon, është po ashtu shumë i rëndësishëm. Liberalizimi real i sektorit të energjisë elektrike në vend kontribuon edhe në krijimin e stimujve për zhvillimin e sektorit të gazit natyror.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.