Temperatura e lartë, që politika në këtë fushatë elektorale mund t’i kishte krijuar ekonomisë dhe biznesit, po qëndron në kuota, që nuk kanë sjellë deri tani shqetësime për përkeqësim të shëndetit financiar. Këtë e dëshmon kursi i këmbimit të lekut kryesisht ndaj monedhës europiane, me të cilat Shqipëria ka mbi 80 për qind të marrëdhënieve tregtare dhe flukset më të larta të kapitalit. Gjatë gjithë kësaj periudhe, 1 euro është këmbyer në kuotën e 140 lekëve. Javën që sapo lamë pas, monedha u forcua, por kjo jo për shkak të politikës, por për shkak të ndryshimeve në tregun ndërkombëtar.
Shpesh, gjatë kësaj periudhe, janë hedhur opsione dhe si mund të ishte dhe duhej të ishte një fushatë elektorale, sesi ajo duhej t’i qasej nevojave që ka ekonomia dhe individi sot, apo se cilat do të ishin zgjidhjet alternative. Por, pa diskutim është e lehtë të vihet re se kjo fushatë arriti t’i qëndrojë larg ekonomisë dhe biznesit, pa e stresuar dhe e futur në panik atë, sikundër ishte perceptimi i përgjithshëm se mund të ndodhte. Ndaj politika, të paktën këtë herë, e luajti një pjesë të detyrës së saj shumë mirë.
Një nga faktorët më determinues që mund të ndryshojë temperaturat, sigurisht mbetet debati për taksën mbi të ardhurat personale, ku e majta ka shpalosur hapur planin për ta përshkallëzuar sërish atë, me ata që fitojnë më shumë, që do të kenë një normë më të lartë, kurse e djathta i qëndron nivelit aktual të sheshtë prej 10% për të gjithë.
Por, zgjerimi i këndvështrimit rreth tatimeve që paguhen nga individi do të ishte më dobiprurës. Sot shqiptarët janë qytetarët që gati nuk paguajnë asnjë taksë për pronën. Prandaj në vendin tonë gjen paradokse të tilla ku një familje me shumë pak të ardhura, gati e varfër, zotëron troje, tokë bujqësore të papunuar apo një shtëpi private disakatëshe. Sepse ata nuk paguajnë për këtë pronë që kanë. Zëri i kësaj të ardhure në buxhetin e qeverisë është shumë, shumë i vogël dhe sigurisht po kaq pak edhe krahasimisht kundrejt vendeve të tjera. Dhe kjo ndodh sepse kjo taksë, që bën dallimin mes të pasurve dhe shtresave të tjerave, mes atij që ka dhe atij që nuk ka, jo vetëm që nuk mblidhet por edhe burimet prej të cilave ajo mund të rrjedhë, janë të bllokuara. Sot niveli i ndërtimeve informale në Shqipëri është i lartë aq sa mesatarisht nuk ka familje që të mos ketë si aset të saj një pronë informale, por që nuk e konsideron dot pasuri.
Taksa mbi pronën është një nga gurët themel të çdo sistemi taksash. Ajo është e vjetër saç është edhe njerëzimi. Historia dëshmon se ajo ka qenë pararendëse edhe e qytetërimeve të mëdha dhe shoqërive të sotme moderne. Në Angli nisi që me taksimin e pronave të mbretit e në Francë u formëzua pas rënies së tij. Në SHBA ajo ishte një nga fillesat e revolucionit. Çdo taksë tjetër mbi punën apo të ardhurat janë pjesë e një sistemi taksimi, i cili nis me pronën. Ndaj duket pa sens dhe i keqorientuar debati me politikat e taksave kur ende nuk kanë arritur të zgjidhin drejt çështjen e taksës mbi pronën. Përveç të tjerash, mesazhi më i qartë që vjen nga përvoja e vendeve europiane, por edhe ato të rajonit është pikërisht se përdorimi i taksës së pasurisë nuk është thjesht një instrument që gjeneron të ardhura buxhetore, por është instrumenti më i mirë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal, siç janë industria e ndërtimit, tregu i pasurive të paluajtshme, bujqësia, zhvillimet urbane, strehimi social, nxitja e investimeve të ndryshme.
Ndaj është më emergjent që legalizimet të marrin tjetër dimension dhe ritëm për të zhbllokuar tregun e gjallëruar, kapitalet e trembura apo të ngrira e për pasojë edhe për të rritur të ardhurat buxhetore dhe cilësinë e shërbimeve sociale të qeverisë ndaj njerëzve që kanë nevojë.
Përndryshe termometri do të na tregojë temperatura që do na vendosin gjendje stresi ekonomik, që nuk është pak dhe kaq sa është tani për shkak të krizës ndërkombëtare. Por më e rëndësishmja tanimë është që edhe pas zgjedhjeve, publikut dhe ekonomisë t’u japim atë që presin, kohë më të qeta e të begata, sepse nëse nuk japin këtë si hap të parë, e gjithë menyja tjetër e servirur në fushatë ka gjasa të gatuhet keq.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.