Mallikimi i politikës, që po e lë vendin prapa!

18/10/2019 10:10 PM 1 koment

Tersi i ka ndjekur shqiptarët në shekuj. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipërua u rreshtua me Bllokun e Lindjes, ndryshe nga fqinjët e saj strategjikë si Greqia e Italia. Një zgjedhje kjo që koha tregoi se ishte e gabuara, me regjimin socialist që e çoi vendin në një prej diktaturave me të egra, me një filozofi politike që i zhveshi njerëzit nga ndjenja e pronës, shkatërroi konkurrencën dhe çdo përpjekje të një tregu të lirë, duke arritur deri në përçarjen e njerëzve me njëri-tjetrin. Rezultatet dihen tashmë.

Në fillim të viteve ’90, shansi na trokiti sërish në derë. Blloku politik ra dhe një erë e re fryu në vend. Ndryshimi ishte i shpejtë, por siç koha sërish tregoi, era ishte në favor vetëm të një pakice. Rrënjët e diktaturës kishin lënë gjurmë të thella në mungesën e kulturës së qeverisjes nga njëra anë dhe zbatimit e respektimit të ligjeve nga popullata nga ana tjetër.

Vendi renditet i pari në Europë në të gjithë treguesit negativë, si korrupsioni, standardet e qeverisjes, të ardhurat për frymë, deri te treguesi i lumturisë i matur nga Kombet e Bashkuara. Shqiptarët, që jetojnë në një vend me burime të pafund natyrore, rezultojnë më të pakënaqurit në rajon dhe Europë për të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, lirinë për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.

Sot Shqipëria ndodhet sërish në një udhëkryq. Qytetarët e saj po shohin ditë pas dite të zveniten shpresat për një proces të shpejtë integrimi dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Por i kujt është faji?!

Pavarësisht problemeve të brendshme dhe kundërshtive nga anëtarët kundër zgjerimit, që sa vijnë e po shtihen, Bashkimi Europian ka qenë gjithnjë i prirë t’i fusë brenda saj “djemtë e këqij të Bllokut”. BE e ka kuptuar me kohë se është më mirë t’i mbajë nën “kontroll” shtetet problematike të Ballkanit, sesa t’i lërë jashtë.

Nga ana tjetër, arritja më e madhe procesit të gjatë të integrimit ka qenë se i ka bërë shtetet aspiruese që të jenë më të përgjegjshme për të zbatuar parimet demokratike, për të luftuar korrupsionin dhe për të përshtatur e harmonizuar legjislacionin e standardet e funksionimit të ekonomisë me ato të BE-së. Kjo është parë dhe si fitorja më e madhe e procesit të integrimit deri tani, teksa udhërrëfyesi më i madh në këtë drejtim ka qenë dëshira e qytetarëve të saj për të qenë një ditë pjesë e BE-së.

Si një kundërpeshë ndaj besimit të ulët në qeverisje, shqiptarët janë shteti më pro europian në rajon, me mbi 90% të tyre që besojnë se anëtarësimi në BE do të ishte pozitiv për vendin, përkundrejt 42% të serbëve. Zvenitja e kësaj shprese është goditja më e madhe që politika po u bën pas shpine qytetarëve të saj. Këta të fundit po reagojnë në heshtje, duke braktisur vendin. Për cilindo shtet europian është e pakonceptueshme që aplikimet për azil, nga një vend në paqe, – që mund të konsiderohet pjesë e Europës, për sa kohë ka nisur një proces të pakthyeshëm anëtarësimi, – të jenë për banorë dy herë më të larta sesa shtete që janë në luftë si p.sh., Siria.

Është e pakonceptueshme se si politika nuk arrin të gjejë gjuhën e përbashkët për të mirën e vendit, se si reforma në drejtësi nuk arrin të realizohet, pasi i futen bërryla nga të gjitha krahët. Është e pakonceptueshme se si tregtia e produkteve të paligjshme mund të lulëzojë brenda vendit dhe madje të kthehet në shqetësim për shumë vende të BE-së dhe të mos ketë asnjë përgjegjës.

Europa e ka bërë të sajën, duke na dhënë shanse shumë herë. E thënë thjesht, e vetmja gjë që kërkon në këmbim është një politikë e përgjegjshme, ulje e korrupsionit, reformim i drejtësisë, veprime këto që në fund të fundit i sjellin më shumë dobi vendit sesa vetë BE-së. Por, fëmijët e pabindur të politikës shqiptare nuk e shohin problemin te vetja, por duan t’ia hedhin fajin të tjerëve. Për sa kohë të vazhdojë kështu, tersi dhe mallkimi i politikës do të na ndjekin të gjithëve.

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
Tom Ndoci Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Tom Ndoci
Guest
Tom Ndoci

Per shume gjera ke te drejte ne kete shkrim. Po te ishte politika ne rregull ne do ishim pranuar shume heret qe ne vitin 2004. Por ndodhi 97. Pastaj lufta politike pa kompromis , korrupsioni dhe krimi e shtyne vendin deri ne keto vite. Tash mendoj se nuk eshte faji i shqiperise, ne i beme detyrat dhe komisioni ishte dakord qe ne te nisnim negociatat. Macron per hallet e tij te brendshme, per nje fare mossimpatie ndaj nesh(franca ka dashur serbet gjithmone) Per protagonizem politik ne BE vuri veton. Tashi ne duhet te qeverisemi per vete , per te miren… Read more »