Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka nisur një varg hetimesh për ngritjen e çmimeve. Drejtues të Autoritetit kanë folur edhe për ngritjen e çmimeve në testet serologjike, ku në një laborator çmimi për test ka kushtuar 200 euro.
Drejtues të Autoritetit të Konkurrencës kanë thënë sot se nuk ka vend për shqetësime sa i përket çmimeve për testet serologjike për COVID-19 në laboratorët privat.
Kryetari i këtij Autoriteti, Valon Prestreshi ka thënë se nuk ekziston më shërbimi me shumën prej 200 euro .
Prestreshi tha se në këtë laborator janë bërë vetëm katër teste që kanë kushtuar 200 euro.
“200 ka ndodhur vetëm katër teste. Pra me vetëm katër teste është bërë gjithë ky reagim. Laboratori po i bënë mbi 98 për qind të testeve dhe jo më teste me mbi 200 euro që ka ndodhur për shkak të reagimit qytetarë dhe medial. Pra ne kemi konstatuar që nuk ka hapësirë për gjoba ndaj këtij laboratori”.
Pas shqetësimeve të ngritura nga ndërtimtarët për rritjen e çmimit të çimentos 20 për qind, nënkryetari i AKK Ahmet Kransiqi tha se janë ende duke mbledh informata dhe së shpejti do të nxirret një vendim meritor për prodhuesin e çimentos.
Ndërsa, për sa i përket tenderëve të Ministrisë së Shëndetësisë në nënshkruar në pandemi, Fatime Haziri nga AKK ka thënë se Autoriteti ka monitoruar tenderët e nënshkruar gjatë pandemisë në MSH.
Megjithëse, sipas saj Autoriteti ka vendosur për të ndjekur pista më të avancuara për të tenderët e nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë.
Autoriteti ka hetuar edhe sektorin e sigurimeve, për këtë Prestreshi tha se nga analizat e bëra, konstatohet se kemi të bëjmë me një treg të rregulluar, ku çmimet e produktit janë unifikuar , e që i bie se mungon presioni konkurrencës ndërmjet kompanive.
“Për këtë arsye, ne sërish bëjmë thirrje BQK-së si rregullator i këtij tregu që ta marrë parasysh rekomandimin tonë të vitit 2019, i cili nënvizon se unifikimi i çmimeve të Primit të TPL është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.