Huatë me probleme që nuk arrijnë të kthehen në kohë shënuan rënie më tej gjatë muajit tetor të vitit 2019. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, treguesi i kredive me probleme arriti në 10.2%, duke shënuar rënie vjetore me -2.8 % dhe rënie me 0.5% në raport me muajin paraardhës.
Në vlerë absolute, kreditë që nuk janë kthyer nga bizneset me më shumë se tre muaj vonesë janë më pak se 500 milionë euro.
Gjatë këtij viti, sistemi bankar pa uljet e kredisë me probleme. Në dhjetor të vitit 2018, treguesi i kredive me probleme ishte 11.08% e totalit të huave që ishin në vonesë më shumë sesa 3 muaj, ndërsa në tetor 2019, ky tregues ra në 10.4%.
Banka e Shqipërisë vlerësoi se rënia e kredive me probleme, krahas përmirësimit të aktivitetit ekonomik, pasqyron edhe angazhimin e bankave në përmbushje të planit të masave për të ulur kreditë me probleme. Pritshmëritë e Bankës ishin që pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme dhe konsolidimi i sistemit bankar pritet të ndihmojnë në një rritje të qëndrueshme të kredisë në të ardhmen.
Pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një plan shpëtimi të pagëzuar si “Qasja e Tiranës”, për bizneset që kanë dështuar në shlyerjen e kredive në banka, me vlerë mbi 8 milionë euro. Plani i shpëtimit, tashmë në fuqi, do të nisë të aplikohet në muajin shtator për 9 korporata, nga grupi i të 35 kompanive që ishin problematike në kthimin e huave.
Bizneset me kredi të keqe, vlera e së cilës i kalon 100 milionë lekët (rreth 8 milionë euro) në disa banka kanë mundësi të rinisin aktivitetin dhe të dalin nga gjendja e falimentit, të ndihmuara nga vetë bankat.
Rregullorja e pagëzuar me emrin “Qasja e Tiranës”, e ngjashme me “Modelin Podgorica”, synon të ristrukturojë të paktën 9 korporata të mëdha në vjeshtë, pjesë e 35 bizneseve të mëdha në vend që zotëronin 65% të kredisë me probleme në vitin 2015. “Qasja e Tiranës” u miratua së fundmi nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe do të aplikohet në vijim për të gjitha bizneset që dështojnë të shlyejnë shumat e kredisë mbi 8 milionë euro.
Pas goditjes që bankat pësuan pas krizës ekonomike të vitit 2008 nga moskthimi i huave, të cilat kulmuan në 24,9% të totalit të kredisë së dhënë në shtator 2014, me vlerë mbi 1 miliard euro, institucionet ndërkombëtare financiare u angazhuan për të zgjidhur ngërçin që po mban peng kreditimin normal të ekonomisë sot e kësaj dite.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.